Mesha në Gjenacan Mesha në Gjenacan

Meshë për Zojën në Gjenacan. Don Elija Matia: “të bëhemi derë e hapur për vëllezërit e motrat në nevojë”

“Sot, pas tridhjetë vjetësh të pranisë së shqiptarëve në Itali, që nga eksodi i parë i vitit 1991, pak a shumë, të gjithë e kanë gjetur një mënyrë për të hyrë në jetën e shoqërisë italiane duke mbajtur hapur lidhjen me vendin tonë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë vëllezërit e motrat tona këtu në Itali dhe në Shqipëri, që ende po përpiqen të gjejnë një rrugëzgjidhje”. Kështu tha mbrëmë don Elija Matija, koordinatori kishtar për baritorinë e emigrantëve katolikë shqiptarë në Itali, në meshën e kremtuar në Gjenacan (itali), me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve

R.SH. - Vatikan

Dje, gjithë katolikët shqiptarë, kudo ndodheshin, kremtuan festën e Zojës së Këshillit të Mirë. E siç është traditë tashmë prej vitesh, shqiptarët e Italisë, me aq mundësi sa u jepnin masat shtrënguese të sigurisë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkuan në Gjenacan, pranë Romës, për të festuar Pajtoren e tyre qiellore. Meshën e kremtuan mbrëmë, në orën 19.00, don Elija Matija, koordinatori kishtar për baritorinë e emigrantëve katolikë shqiptarë në Itali, dom Aldo Skoda Pashkja, zv.drejtor i Simi-t (Institutit Ndërkombëtar të Skalabrinianëve për Migracionin) dhe pedagog në Universitetin Papnor Gregorian, don David Gjugja, kryeredaktor i programit shqip të Radio Vatikanit – Vatican Neës, atë Ludovico Maria Centra, rektori augustinian i shenjtërores së Gjenacanit, në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Të pranishme, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri, e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj, si edhe punonjës të ambasadave e besimtarë shqiptarë të ardhur nga zona të ndryshme të Italisë.

Fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan (Itali)
Fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan (Itali)

         Gjendjen e përvijoi më së miri, që në fillim të homelisë, don Elija Matia, i cili nënvizoi se “këtë vit sikur vitin e kaluar, nuk patëm mundësinë të mblidheshim në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve në Gjenacan. Megjithatë jemi të mbledhur shpirtërisht përmes këtij kremtimi eukaristik, për të përtërirë jetën shpirtërore që ushqehet nga gurra e besimit. Kjo gurrë është Krishti Bariu i Mirë”.

Krishti, gurra e plotësisë së jetës

“Ai na thotë se vetëm nëpërmjet Tij, Derës që Ati na ka dhuruar, mund të hyjmë e të dalim e të gjejmë plotësinë e jetës – vijoi don Elia, duke komentuar Ungjillin e ditës, marrë nga shën Gjoni, në të cilin Jezu Krishti vijon të na dëshmojë se Ai është Bariu i Mirë, që kujdeset për grigjën e vet e i tregon asaj rrugën. - Të gjithë njerëzit kanë nevojë në çdo kohë të gjejnë derën e jetës së tyre. Për ne, shpesh herë, kjo ka qenë shumë e vështirë, për shkak të trazirave të historisë sonë kombëtare”.

Meshtarët, që kremtuan meshën në Gjenacan, me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve
Meshtarët, që kremtuan meshën në Gjenacan, me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve

Të mos harrojmë vëllezërit e motrat tona

“Sot – nënvizoi don Elija, duke kujtuar historinë e emigracionit nga Shqipëria - pas tridhjetë vjetësh të pranisë së shqiptarëve në Itali, që nga eksodi i parë i vitit 1991, pak a shumë, të gjithë e kanë gjetur një mënyrë për të hyrë në jetën e shoqërisë italiane duke mbajtur hapur lidhjen me vendin tonë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë vëllezërit e motrat tona këtu në Itali dhe në Shqipëri, që ende po përpiqen të gjejnë një rrugëzgjidhje”.

Meshtarët, në fund të meshës në Gjenacan, me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve
Meshtarët, në fund të meshës në Gjenacan, me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve

Kemi nevojë për Fjalën e Ungjillit

“Na takon neve, secili në fushën e vet dhe sipas përgjegjësive përkatëse, me mundësitë e veta, të bëhemi një derë e hapur për vëllezërit e motrat në nevojë” – bëri thirrje koordinatori kishtar i katolikëve shqiptarë në Itali. Por ku do ta gjejmë forcën dhe vullentin për një detyrë kaq të rëndësishme, siç është ajo, që na afron me vëllezërit, me të afërmit, për t’i ndihmuar e për t’i mirëpritur? “Të vetëdijshëm se kërkimi i rrugëve të jetës në këtë botë është i rëndësishëm për të gjithë, - iu përgjigj kësaj pyetjeje don Elija - vërejmë se kemi nevojë për diçka më shumë, që kjo botë s’mund të na e japë. Kemi nevojë për Fjalën e Ungjillit. E Fjala e Ungjillit sot na thotë se Krishti eshte Dera e sigurtë e jetës sonë. Ta mbajmë hapur këtë Derë”.

“Zoja e Këshillit të Mirë - e përfundoi homelinë don Elija Matia - edhe sot na fton të bëjmë gjithçka na thotë Jezusi. Nëna e Krishtit, së cilës i drejtohemi edhe si Porta e Qiellit – qe lutja e koordinatorit – na ndihmoftë të gjejmë portën e jetës e ta identifikojmë atë portë me Birin e Hyjit”.

27 prill 2021, 13:41