Raporti i Fondacionit "Ndihmë për Kishën që vuan" mbi lirinë fetare në botë Raporti i Fondacionit "Ndihmë për Kishën që vuan" mbi lirinë fetare në botë

Liria fetare në botë, ndërmjet persekutimit të hapur e atij “me edukatë”

Nga Pakistani në Kili, nga Turqia në Nigeri, në raportin e tij dyvjeçar, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” bën një panoramikë të lirisë fetare në botë. Bëjnë përshtypje të dhënat mbi shtimin e të ashtuquajturit “persekutim me edukatë”. Shqipëria e Kosova, nën ndikimin e neo-otomanizmit

R.SH. - Vatikan

Ajo që bie në sy, në raportin e 15-të mbi lirinë fetare në botë, përpiluar çdo dy vjet nga Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, nuk është shtimi i veprimtarisë xhihadiste në Afrikën sub-sahariane, fundi i pranverave arabe, përndjekja e pakicave në Pakistan, përmes ligjit kundër blasfemisë, ose persekutimi fetar me natyrë nacionaliste në Kinë. Bën përshtypje diçka tjetër, që raporti, i cili shqyrton periudhën 2018-2020, e quan “persekutim me edukatë”, me mirësjellje. Një persekutim, që zbatohet gati në mënyrë të ligjshme, duke e kufizuar pak nga pak të drejtën për lirinë fetare dhe lirinë e ndërgjegjes, duke imponuar ideologji, duke i detyruar fetë të heshtnin. Një lloj persekutimi që, në vendet perëndimore, u bë më i rreptë dhe më i dukshëm në periudhën e Covid-19.

Jo vetëm negativitet

Filluar me një broshurë të vogël, Raporti i Fondacionit është tashmë, një vëllim 900 faqesh, me një skedë për çdo shtet, që përpiqet të sqarojë ku sulmohet liria fetare dhe pse. Por, nuk ka vetëm të dhëna negative. Vihet në dukje edhe shtimi i dialogut, impenjimi i rinovuar fetar, ndryshimet e rëndësishme gjeopolitike si ato që, në Lindjen e Mesme, çuan në marrëveshjet e Abrahamit, pra, në pajtimin ndërmjet Izraelit dhe disa vendeve arabe, rrjedhojë e aleancave të reja transversale. E pa dyshim, edhe nënshkrimi i Deklaratës për Vëllazërimin Njerëzor në Abu Dabi.

Vëmendja ndaj lirisë fetare po bëhet temë me rëndësi të madhe. Thomas Heine-Geldern, presidenti ndërkombëtar i Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, kujton se “më 28 maj 2019, Asambleja e përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë, që caktoi 22 gushtin si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Dhunës për shkak të fesë”, ndërsa më 23 shtator 2019, Kombet e Bashkuara bënë një thirrje globale për lirinë fetare.

Liria fetare shkelet në 31,6 % të vendeve të botës

Megjithatë, sot, liria fetare shkelet në 31,6 % të vendeve të botës, gjë që prek gati dy të tretat e popullsisë globale. Ndër shkelësit më të mëdhenj janë disa nga vendet më të populluara në botë, si Kina, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Nigeria. Vendet me probleme tejet serioze janë 62 nga 196, pra, me një popullsi prej 5,2 miliardë njerëzish. Ndër ta, 12 shtete afrikane e pastaj, Kina dhe Mianmari, të dyja në shënjestër për vrasje. Këto vende shënohen me ngjyrën e kuqe. Ngjyrën portokalli e kanë 36 vende, që akuzohen për diskriminim, me një popullsi prej 1,24 miliardë njerëzish. Vetëm 9 vende janë përmirësuar ndjeshëm, ndërsa 20 prej tyre po i afrohen linjës së kuqe. Pastaj, vijnë vendet nën vëzhgim, në të cilët ka elemente shqetësuese.

Kalifati xhihadist shtrihet nga Afrika në Azi

Në përgjithësi, kuadri nuk është pozitiv. Raporti vë në dukje se rrjetet xhihadiste kanë mbërritur deri në Mozambik, duke goditur edhe Malin e Komoret e duke u shtrirë deri në Azi, në Detin e Kinës jugore. Kalifati përdor internetin, rekruton në Perëndim, duke u shkaktuar vështirësi njësive kundër terrorizmit. E pandemia solli një fenomen të ri: pakicat fetare fajësohen për përhapjen e virusit, siç ndodh në Kinë, Niger, Turqi, Egjipt e Pakistan. Gjithashtu, dokumentohet persekutimi i 30,4 milion myslimanëve në Kinë e në Mianmar, si rastet e ujgurëve e të rohingjave, por denoncohet edhe Perëndimi, që nuk i zbaton më masat për ta kundërshtuar këtë gjendje.

Shqipëria e Kosova nën ndikimin e Erdoganit

Pasi deklaron se rreth 4 miliard njerëz, pra, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, jeton në 26 vendet e klasifikuara si shtete ku persekutimi fetar është më i rëndë, drejtoresha e Raportit, Marcela Szymanski, e paralajmëron botën për veprimtarinë e presidentit turk Erdogan. “Gjatë periudhës në shqyrtim - shkruan ajo - presidenti Erdogan e ka lënë mënjanë laicizmin e Ataturkut dhe ka filluar një politikë të jashtme neo-otomane, që e bën Turqinë një fuqi globale sunite. Siç dëshmohet nga shndërrimi i Hagia Sophia-s së Stambollit në xhami, Islami promovohet në çdo aspekt të jetës publike. Në nivelin ndërkombëtar, ishte Erdogan që vendosi për ndërhyrjet ushtarake në Libi, Siri, në Irakun verior dhe në kuadrin e luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. Qeveria e Ankarasë është përpjekur të ndikojë edhe në lirinë fetare në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë dhe Qipro”.

I ashtuquajturi “persekutim me edukatë”

E pastaj, i ashtuquajturi “persekutim me edukatë”. “Termi – lexohet në raport - pasqyron shfaqjen e ‘të drejtave’, ose normave të reja kulturore, të cilat, siç pohon Papa Françesku, i lidhin fetë “me pjesën më të errët të ndërgjegjes së secilit, ose me perimetrin e mbyllur të kishave, sinagogave dhe xhamive”(EG 255). Këto norma të reja kulturore, të sanksionuara me ligj, e shohin të drejtën e individit për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë në konflikt të thellë me detyrimin ligjor për t’i respektuar vetë normat”.

“Në vitin 2020 – lexohet në raport - u vërejt një fenomen me rëndësi, që lidhet me normat kundër pandemisë Covid-19 dhe me ndikimin e tyre në lirinë fetare, në të gjithë rajonin e vendeve të OSBE-së. Shumë shtete evropiane, si dhe SHBA-ja e Kanadaja, kanë marrë masa për të ndaluar, ose kufizuar rëndë kultin publik edhe gjatë Javës së Madhe, Yom Kippur-it e Ramazanit”. Në disa shtete të OSBE-së, “e drejta për të kundërshtuar, për shkak të ndërgjegjes e të bindjeve fetare të punonjësve shëndetësorë dhe farmacistëve, nuk mbrohet më si duhet nga ligji”, vijon të denoncojë Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”. Ky është fronti i ri i persekutimit fetar. Asgjë e re, por fakti që po përhapet është shenjë, që nuk duhet nënvlerësuar.

Puna e Kishës Katolike

         Për t’u shënuar puna e Kishës Katolike, sidomos në Afrikën subsahariane, ku ajo ndërhyn edhe politikisht për të kërkuar procese të drejta zgjedhore, kritikon korrupsionin dhe dhunën kundër forcave të sigurisë.

21 prill 2021, 13:17