Cardinale Ernest Simoni celebra la Messa nella Chiesa degli albanesi a Roma, 2019.12.15 Cardinale Ernest Simoni celebra la Messa nella Chiesa degli albanesi a Roma, 2019.12.15

Kardinali Ernest Simoni në 65-vjetorin e meshtarisë

Përkujtohet sot 65-vjetori i meshtarisë së kardinalit shqiptar Ernest Simoni, i mbijetuar nga burgjet e internimet komuniste. Në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit – Vatican News, vetë kardinali kujton ditën e shugurimit, komenton gjendjen e Kishës Katolike në Shqipëri e bekon gjithë popullin shqiptar

R.SH. - Vatikan

Më 7 prill 1956, në katedralen e Shkodrës, shugurohej meshtar don Ernest Simoni, në duart e kryeipeshkvit të atëhershëm, imzot Ernest Çoba, i cili do të martirizohej më pas nga regjimi komunist e ateist i Enver Hoxhës, duke e mbyllur jetën në burg, më 15 prill 1979. Një fat i ngjashëm, ndërmjet burgut e punës së detyruar, do t’i takonte edhe meshtarit të ri, ashtu si shumë të tjerëve, por dita kur ia kushtoi plotësisht jetën Zotit, kujtohet prej tij si çast gëzimi, së bashku me meshën e parë të kremtuar të nesërmen e shugurimit, të dielën “in Albis”, pra, të dielën e parë pas Pashkëve. Dom Ernest Simoni i atëhershëm, siç e dinë të gjithë, u krijua kardinal nga Papa Françesku, pasi dëgjoi dëshminë e tij gjatë vizitës në Tiranë, më 21 shtator 2014. E kardinali kremton pikërisht sot, më 7 prill, 65-vjetorin e meshtarisë, duke e kujtuar me këto fjalë për programin shqip të Radio Vatikanit – Vatican News, atë ditë të lume…

Dëgjo kardinalin Ernest Simoni...

 Jeta e kardinalit Ernest Simoni s’ka qenë aspak e lehtë. Në moshën 10-vjeçare vendosi të hyjë në Kolegjin e etërve françeskanë në Shkodër, me të cilët ndenji derisa vranë e persekutuan eprorët dhe përzunë të gjithë rishtarët, më 1948. Don Ernestin e ardhshëm e çuan si mësues, po edhe aty s’e lanë gjatë, sepse u mësonte nxënësve të bënin kryqin e të thoshin uratë. Vijoi shërbimin në Kishë e u shugurua meshtar. Në pragun e Krishtlindjes së vitit 1963, u arrestua nga komunistët si armik i popullit, pasi pati kremtuar meshë për shpirtin e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy, vrarë vetëm pak muaj më parë, por sidomos, sepse i predikonte popullit se ia vlen t’ia kushtosh jetën Jezu Krishtit. Për 28 vite me radhë u burgos, u çua në punë të detyruar në minierë, në kampe internimi e në handrakët e Shkodrës, duke arritur të peshonte deri në 37 kg. Por i jetoi këto vite pa u shkurajuar e duke u bërë mbështetje me kremtimin e meshës edhe për shokët e burgut, siç shpjegon vetë, në mikrofonin e don David Gjugjës, kryeredaktorit të programit shqip…

Dëgjo kardinalin Ernest Simoni...

Viti 1990 e gjen të lirë kardinalin e ardhshëm Ernest Simoni. Regjimi bie e kishat hapen sërish, sepse herët a vonë, realizohen gjithnjë fjalët e Krishtit: “Dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”. Dom Ernesti fillon sërish shërbimin meshtarak, duke e çuar Fjalën e Zotit edhe aty, ku i duhej të ecte me orë në këmbë për të mbërritur. Më 21 shtator 2014, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, Papa Françesku e dëgjon, ndërsa jep dëshminë e tij në katedralen e shën Palit në Tiranë. Mallëngjehet deri në lot dhe e përqafon fort meshtarin e moshuar. Më 19 nëntor 2016 e krijon kardinal, jo sepse Shqipëria është seli kardinalore, por sepse ai meshtar ishte i denjë për atë rang, pasi e tregoi me vepra se ishte i gatshëm të derdhte edhe gjakun për fenë e krishterë, për lirinë e paqen e popullit të Zotit. E si kardinal, gjithnjë në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit-Vatican News, kardinali Ernest Simoni hedh një vështrim mbi Kishën në Shqipëri në ditët e sotme…

Dëgjo kardinalin Ernest Simonin...

Kardinali Ernest Simoni ka një fjalë edhe për të gjithë ata, që më 25 prill, do të japin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Ta dëgjojmë…

Dëgjo kardinalin Ernest Simoni...

 E së fundi, në këtë 65-vjetor të meshtarisë, kardinali Ernest Simoni, i cili tashmë banon në Firence të Italisë, si kanonik i Kapitullit Metropolitan të katedrales Santa Maria del Fiore, dëshiron të bekojë gjithë popullin shqiptar, kudo ndodhet…

Dëgjo kardinalin Ernest Simoni...
07 prill 2021, 11:10