Kërko

Vatican News

Europa: Pashkë shprese në kohën e pandemisë së Covid-19

Është shpresa, tema qendrore e mesazhit të Konferencës së Kishave Evropiane (CEC) dhe të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) për Pashkët, që kremtohen kësaj së diele, 4 prill.

R.SH. - Vatikan

“Shpresa e pastër në Ringjalljen e Krishtit në kohën e pandemisë së Covid-19” është pikërisht virtyti teologal, që permendet në mesazhin për Pashkët e dy organizmave, ku përfshihen të gjitha realitetet e krishtera të Evropës. Ai nënshkruhet nga rev. Christian Krieger për Konferencën e Kishave Evropiane (CEC), realitet ekumenik ku përfshihen protestantë, ortodoksë, anglikanë dhe vetero-katolikë, si edhe nga kardinali Jean-Claude Hollerich për Komisionin katolik të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece). Dokumenti u drejtohet veçanërisht të varfërve e të braktisurve.

Pashkët, kalim nga vdekja në jetë

 “Pashkët na kujtojnë kalimin e popullit të zgjedhur të Zotit nga skllavëria, shtypja dhe dëshpërimi i Egjiptit, në çlirimin, gëzimin dhe shpresën e Tokës së premtuar – lexohet në mesazh. - Ky Solemnitet kremton kalimin e Krishtit nga refuzimi, nga braktisja e dishepujve të tij më të afërt, nga poshtërimi, nga mundimet dhe vdekja e së Premtes së Madhe, në jetën, gëzimin dhe fitoren e së Dielës së Pashkëve”.

Nga pandemia, në Ringjalljen e Pashkëve

Kjo udhë “nga dëshpërimi në gëzim, nga vdekja në jetë”, vazhdojnë Cec dhe Comece, kërkon “kapërcimin e vështirësive, të dyshimeve, të pengesave, të vuajtjeve dhe të agonisë”. Një gjendje e ngjashme me atë të përjetuar nga bota për shkak të pandemisë: “Të jetosh mbyllur në shtëpi për një vit – nënvizohet në mesazhin e përbashkët – të provosh sëmundjen dhe shqetësimin, të jesh dëshmitar i zisë dhe i humbjeve i jep kuptim të ri Ringjalljes në këto Pashkë”. Të krishterët e Evropës, vënë në dukje më tej dy organizmat kishtare, pikërisht tani, në sajë të fushatave të vaksinimit, po kalojnë “nga izolimi, humbja dhe ankthi në shërimin, rimëkëmbjen dhe jetën e përtërirë, ku ‘vdekja përpihet nga fitorja’” (1 Kor 15,54).

Të ndryshojmë qëndrimin ndaj realitetit

Por kjo “dhuratë e jetës së re dhe mundësia për ta marrë e përjetuar - paralajmëron mesazhi - duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin, që mbajmë ndaj të gjitha realiteteve të botës, përfshirë sëmundjen dhe vdekjen”. Vërtet, falë Ringjalljes, “e keqja dhe vdekja fizike nuk e kanë më fjalën e fundit, sepse jeta jonë në Krishtin është e pasur me shpresë dhe me gëzim në amshim”. Mesazhi i përbashkët përfundon me urimin: “Shpresa e të Ringjallurit na ndihmoftë në këtë kohë të pandemisë së Covid-19”.

01 prill 2021, 16:27