Katolikë nigerian gjatë lutjes Katolikë nigerian gjatë lutjes 

Edhe një prift tjetër i vrarë në Nigeri

Kishat e krishtera janë në gjendje alarmi, për shkak të pasigurisë, që mbretëron në vend. Prifti mbeti i vrarë së bashku me gjashtë vetë të tjerë

R. SH. - Vatikan

Edhe një prift tjetër vritet në Nigeri: atë Ferdinand Fanen Ngugban, zëvendës-famullitar i famullisë së Shën Palit të Aye-Twar, në dioqezën e Katsina-Ala, në Shtetin nigerian të Benue. Prifti u vra mëngjesin e 30 marsit, së bashku me gjashtë vetë të tjerë, nga një grup i armatosur,  që sulmoi bashkësinë, duke shtënë me armë e duke u vënë zjarrin shtëpive.  Sipas njoftimit të kancelarit të dioqezës së Katsinës, cituar nga agjencia Aciafrika, prifti i ri sapo kishte kremtuar Meshën e ditës e po përgatitej për Meshën e Bagmit, në katedrale, së bashku me sivëllezërit, kur, i tërhequr nga zhurmat,  doli nga kisha për të parë ç’po ngjiste. Trupi i tij u gjet pas pak, pa jetë, me një plumb në zverk. Ndërkaq policia u vu në ndjekje të vrasësve.

Pasiguri në gjithë vendin

Vrasja e  dom Ngugban ndodhi vetëm pak ditë para lirimit të një prifti tjetër katolik të dioqezës Warri, dom Harrison Egwuenu, rrëmbyer nga burra të armatosur më 15 mars, ndërsa kthehej në kolegjin e Shën Gjergjit, në Obinomba. Meshtari i ri i rrëmbyer, i shtohet  një liste të gjatë sekuestrimesh e vrasjesh, në një vend ku mbretëron e patrazuar, pasiguria e shkaktuar nga bandat kriminale, barinjtë Fulani e terroristët e Boko Haram. Ndërmjet  viktimave,  edhe disa priftërinj, rregulltarë e rregulltare, pavarësisht nga qëndrimi i Konferencës ipeshkvnore  nigeriane, që ka deklaruar prej kohe, se nuk do të paguajë më për shpengimet.

Duhen marrë masa

Ipeshkvijtë, së bashku me Kishat e tjera të krishtera, më se një herë e kanë denoncuar këtë situatë, duke u bërë thirrje për ndërhyrje autoriteteve nigeriane. Këto ditë, pas një sulmi të ri nga Lëvizja e barinjve Fulani kundër  guvernatorit të Shtetit të Benue, Samuel Ortom, në selinë e tij në Makurdi, Shoqata e krishterë e Nigerisë (Cam) u kujtoi institucioneve se mbrojtja e jetës dhe e pronës së qytetarëve është detyra  e parë e qeverisë. Sipas ipeshkvijve nigerianë, Nigeria  është para rrezikut të copëtimit.

02 prill 2021, 13:24