Shën Jozefi punëtor Shën Jozefi punëtor

Çelësi i fjalëve të Kishës: puna

Pas dy ditësh është 1 maj, e kremtja e shën Jozefit dhe festa e punëtorëve. Edhe Papa zakonisht pushon në këtë ditë. Kësaj radhe do të jetë i impenjuar vetëm në mbrëmje për fillimin e muajit të Zojës, gjatë të cilit çdo ditë, në një shenjtërore të ndryshme të botës, do të thuhet pa pushim Rruzarja për fundin e pandemisë së koronavirusit. Papa Françesku e hap më 1 maj këtë maratonë lutjeje, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan dhe e mbyll më 31 maj. Por 1 maji është edhe një ditë për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet kohës së punës e kohës së festës, si edhe mbi cilësinë e të dyjave, në epokën bashkohore. Sot, do të përpiqemi të shpjegojmë pikërisht kuptimin e fjalës “punë” për të krishterët, duke u nisur nga Shkrimi i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Krijimi i botës, në Librin e Zanafillës, nuk paraqitet si luftë ndërmjet zotave, apo si luftë ndërmjet së mirës e së keqes, por si rezultat i punës. Krijuesi “punon” për gjashtë ditë me radhë, përshkruhet si një lloj poçari, që me duart e veta, i jep formë krijesës më të lartë, njeriut (2,7); e së fundi, pushon të shtatën ditë, pasi e ka realizuar projektin e Tij të Gjithësisë. Madje, njeriu vendoset në kopshtin e Edenit “për ta punuar e për ta ruajtur” (2,15). Binomi punë/pushim bëhet kështu edhe ritmi i jetës njerëzore, në ngjashmëri me atë hyjnore.

Zoti i jep krijesës njerëzore detyra konkrete, si për shembull, “t’u japë emra kafshëve dhe shpendëve” (2,19-20), pra, ta njohë, të thellohet e ta shndërrojë realitetin. Jo më larg se në kapitullin e katërt të Librit të Zanafillës, hyjnë në skenë Abeli, bari, e Kaini, bujk. Gjithashtu, përmenden ndërtuesi i qytetit, artisti, metalpunuesi, së bashku me tensionet, që ekzistonin ndërmjet klasave të ndryshme shoqërore.

Më tej, Bibla vazhdon t’i japë rëndësi punës: ngrihen në qiell profesionet, përshkruhen gjallërisht ditët dhe veprat e punëtorit, luftohet përtacia (shih Librin e Fjalëve të Urta), mbrohet e drejta për pushim, liria fetare dhe personale (urdhërimi i së shtunës). Gjithashtu, vihet në dukje se ekziston jo vetëm puna e krahut, por edhe puna intelektuale, si ajo e skribit, ose puna për t’i shërbyer bashkësisë, si ajo e mjekut (shih Sir 38-39). I jepet vlerë e veçantë dijes e urtisë, që s’është tjetër, veçse relfketimi e meditimi shpirtëror për të mos e lejuar punëtorin ta mbushë ditën vetëm me gjërat e jashtme (Gb 28).

Shën Jozefi punëtor
Shën Jozefi punëtor

Pra, Shkrimi i Shenjtë paraqet lumturinë e punës në Tokën e Premtuar dhe mundësinë, që i jep ajo secilit për të shprehur krijimtarinë e vet. Por, shpreh edhe sigurinë se puna mund të kthehet në të kundërtën e vet, nëse njeriu shtypet e shfrytëzohet, si në rastin e skllavërisë egjiptiane. Nga ana tjetër, Libri i Kishtarit vë në dukje shpesh sa absurd është ai, që punon e lodhet vetëm për të grumbulluar pasuri e për t’ia lënë një trashëgimtari, që nuk ia di vlerën dhe e harxhon krejtësisht pa dhimbje (1,3; 2,11.18-19; 3,9; 4,4-6).

Puna serioze e jo ajo fanatike, që ka si qëllim vetëm shtimin e kapitaleve, kremtohet e lavdërohet edhe nga Jezusi, “biri i zdrukthëtarit” (Mt 13,55) e “zdrukthëtar”, Ai vetë (Mk 6,3). Shembëlltyrat me të cilat flet, kanë si protagonistë fshatarë, peshkatarë, tregtarë, gra shtëpiake, barinj, punëtorë gjithëfarësh e të tjera. Krishti na fton t’ia kërkojmë Zotit “bukën e përditshme”, duke u thënë dishepujve të vet të mos shqetësohen për ushqimin deri në atë pikë, sa të harrojnë vlerat më të larta, siç ndodh me Martën, e cila kishte hall më tepër të bënte punët e shtëpisë, se të rrinte me Të (shih Mt 6,31-32 e Lk 10,38-42).

Bashkësitë e para të krishtera ishin të vetëdijshme për vlerën e punës, pasi, siç u shkruan Shën Pali Apostull selanikasve, “shikoni punët tuaja dhe punoni me duart tuaja”, ashtu siç bënte edhe vetë “duke punuar natë e ditë që të mos i bëhej ndokujt barrë” (1 Sel 2,9; 4,10-12), sepse “kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” (2 Sel 3,10). Por edhe në këtë rast e përgjithmonë, puna duhet kuptuar sipas parimit të Jezusit, që thoshte: “çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet?” (Mk 8,36).

29 prill 2021, 08:16