Jezusi dhe Maria, pasqyruar në një miniaturë të lashtë persiane Jezusi dhe Maria, pasqyruar në një miniaturë të lashtë persiane

Çelësi i fjalëve të Kishës: Jezusi, siç e shohin myslimanët

Më 13 prill filloi muaji i Ramazanit për të gjithë myslimanët, të cilët përkujtojnë me agjërim, lutje e bamirësi, periudhën gjatë së cilës Kurani iu kumtua nga Zoti Muhametit. Edhe Jezu Krishti është i pranishëm në Kuran, por cili është vendi që i japin myslimanët Birit të Hyjit të të krishterëve? Ky është argumenti i emisionit të sotëm.

R.SH. - Vatikan

Në suren IV të Kuranit, formulohet parimi bazë mbi të cilin ndërtohet gjithë konsiderata e Islamit për Krishtin dhe mohimi i Trinisë Shenjte. “O njerëz të Shkrimit, mos i tejkaloni kufijtë e fesë suaj, dhe mos thoni për Perëndinë përveç të vërtetës. Mesia, Jezusi, i biri i Marisë, ishte lajmëtar i Perëndisë, dhe fjala e Tij që Ai i kishte dërguar Marisë është shpallje prej Tij. Prandaj, të besoni në Perëndinë dhe në lajmëtarët e Tij. Të mos thoni, “Trini.” Të ndaloni së bëri këtë për të mirën tuaj. Perëndia është vetëm një perëndi. Qoftë i madhëruar. Është tepër, shumë i madhëruar për të pasur djalë”(sura IV, vargu 171).

Nga të 114-të suret dhe nga 6226 vargjet e Kuranit (sipas njërës nga llogaritë ekzistuese), në 15 sure e në 93 vargje përmendet “Isha”, Jezusi, “biri i Marisë, që për 11 herë quhet “masih”, pra Mesi, 3 herë quhet “fjala e Zotit”, shpesh quhet “rasul”, pra “i dërguar” e profet i Hyjit dhe, herë të tjera “muslim”, pra, besimtar, që i nënshtrohet krejtësisht vullnetit të Zotit. Myslimanët e konceptojnë Trininë e Shenjtë ndryshe nga të krishterët, pasi Kurani flet për një trini, të përbërë nga Zoti, Maria e Jezusi, por është mëse e qartë se për ta, koncepti i Jezusit si Bir i Hyjit është blasfemi.

Megjithatë, Islami e ndjen mjaft praninë e Jezusit brenda fesë, pasi kjo rrjedh nga kontakti, që pati Muhameti me anëtarët e bashkësive të ndryshme të të krishterëve lindorë e me traditat e tyre. Historia e shën Gjon Pagëzuesit, Lajmërimi i Zojës, lindja e Jezusit, mrekullitë e fëmijërisë dhe të jetës publike të Krishtit, dija e Tij e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, figura e Marisë, që myslimanët e nderojnë jashtëzakonisht, apostujt, vdekja, ngjallja dhe ngjitja në qiell e Jezusit ripërpunohet nga Kurani e nga tradita e mëvonshme myslimane, edhe duke u bazuar në letërsinë apokrife të krishterë. Për shembull, vdekja e Jezusit paraqitet sipas “teorisë së sozies”, karakteristike e disa bashkësive të vogla të krishtera, me të cilat duket se është lidhur Muhameti.

Sipas kësaj teze, Jezusi është kryqëzuar vetëm në dukje, pasi Zoti bëri mrekulli dhe e zëvendësoi me një hebre tjetër, ndoshta me Judën, ose me Simonin e Cirenesë, ose me një person tjetër. Ja ç’lexohet në suren IV, që e përmendëm edhe më lart: “Pretenduan se e vranë Mesinë, Jezusin, të birin e Marisë, lajmëtarin e Perëndisë. Në të vërtetë, nuk e vranë, nuk e kryqëzuan – u bënë të mendojnë se po. Të gjitha grupet që debatojnë për këtë çështje janë plot dyshim sa i përket kësaj çështjeje. Nuk kanë njohuri; vetëm supozojnë. Një gjë është e sigurt: nuk e vranë. Po, Perëndia e ngriti atë te Vetja; Perëndia është i Plotfuqishëm, Më i Mençuri” (vv. 157-158).

Prej këndej, kuptohet mirë se ç’i dallon njerëzit e Shkrimit, që për myslimanët janë hebrenjtë dhe të krishterët, nga vetë myslimanët, pavarësisht nga feja në një Zot të vetëm. Atëherë, mbi ç’baza mund të ngrihet dialogu me ta? Këtë mundësi e vë në dukje Koncili II i Vatikanit, i cili iu drejtua “me vlerësim myslimanëve, që adhurojnë Zotin e vetëm, të gjallë e të qënësishëm, të mëshirshëm e të gjithpushtetshëm, krijues të qiellit e të tokës, që u foli njerëzve. Ata – vazhdon dokumenti konciliar “Nostra Aetate”, duke përmendur myslimanët – përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Zotit, ashtu siç iu nënshtrua edhe Abrahami, të cilit i referohet feja islame. Megjithëse nuk e njohin Jezusin si Zot, e nderojnë si profet dhe nderojnë edhe nënën e tij, Virgjërën Mari, së cilës shpesh i luten me përkushtim. Përveç kësaj, ata presin Ditën e Gjykimit të Mbramë, në të cilën Zoti do t’i shpërblejë të gjithë njerëzit e ringjallur. Ata vlerësojnë jetën morale dhe i ngrenë kult Hyjit, sidomos me lutje, lëmoshë e agjërim” (Nostra Aetate, n.3). Mbi këto baza, mund të ulen në tryezën e dialogut të krishterët e myslimanët. E këtyre të fundit, u urojmë “Ju ndihmoftë Ramazani”.

15 prill 2021, 08:29