Santa Caterina da Siena Santa Caterina da Siena  (© MET)

Më 29 prill kalendari kishtar kujton Shën Katerinën e Sienës

Katerina ia kushtoi gjithë vetveten lutjes, por pas pak kohe Jezusi e ftoi për apostullim, për të mbrojtur paqen. E Katerina rendi nëpër Itali e jashtë saj për të mbrojtur paqen. Madje shkoi deri në Avinjon, për të thirrur Papën që të kthehej në Romë. Pati nga Zoti shumë hire të tjera: Fliste me Jezusin, i thoshte Lutjet e ditës me Të, i dukej vazhdimisht Zoti, bënte mrekulli. E megjithatë, mrekullia më e madhe për të qe "shkrirja e jetës në Kishë e për Kishën!".

R.SH. - Vatikan

Më 29 prill kalendari kishtar përkujton Shën Katerinen nga Siena, një shenjte e jashtëzakonshme. Shën Katerina nga Siena e Italisë është Dijetare e Kishës dhe bashkëpajtore qiellore e Evropës.  Qe bijë e Sienës. Lindi në lagjen e madhe të Frontebrandës, më 25 mars 1347. Qe e parafundmja e 25 fëmijëve që u kishte falur Zoti prindërve të saj.

Qe bijë e Italisë. Deshi ta shikonte atdheun e saj në paqe e të qeverisur nga njerëz të drejtë, që u dhimbsej e mira e të gjithëve dhe pasuria e të gjithëve. Po Katerina qe sidomos bijë e Kishës, terciare dominikane.

Punoi pa u lodhur e dhuroi jetën për shenjtërinë dhe bashkimin e Kishës. Vdiq më 29 prill 1380, në Romën e Pjetrit, Krishtit të ëmbël mbi tokë, ku solli përsëri pasardhësin e Princit të Apostujve, Papën Gregorin XI. Shenjtëria e sa qëndron në zbulimin se ishte krijesë përballë Krijuesit, gjen shprehjen e vet në adhurimin e Zotit dhe në dashurinë e pasionuar për Krishtin e për vëllezërit.

Domenikani Luigi De Granada, mistik i madh i 600-tës, thotë: "Mund të pohoj se pas misterit të parrëfyeshëm të Mishërimit të Birit të Hyjit, nuk kam lexuar asgjë që të më ketë dhënë provën më të sigurt të mirësisë hyjnore, sesa ngjarjet e jetës të kësaj Virgjëre dhe privilegjet e veçanta që i dha asaj Zoti. E Korneli Lapide, një tjetër studiues i madh jezuit, e quan Shën Katerinën "Portentum omnium seculorum", "mrekulli e gjithë shekujve"! Sapo nis ta lexosh jetën e saj, vëren menjëherë se në të ka diçka jo të zakonshme.

Që në moshën 6 vjeçe, Katerina pati vegimin e parë: pa Jezusin që e ftoi për ta ndjekur. Pa i mbushur mirë shtatë vjetët, para Zojës së Bekuar festoi fejesën e saj shpirtërore me Krishtin e iu kushtua Atij përgjithmonë me kushtin e virgjërisë. Një natë pa në ëndërr Shën Dedën, të cilin e siguroi se do të vishte petkun bardh e zí të motrave domenikane. Atëherë u kërkoi prindërve lejën për t'u bërë domenikane. Fillimisht ato nuk deshën, por pas këmbënguljes së vajzës, u detyruan të pranojnë. Atëherë Katerina ia kushtoi gjithë vetveten lutjes, por pas pak kohe Jezusi e ftoi për apostullim, për të mbrojtur paqen. E që në atë çast e shohim Katerinën duke rendur nëpër Itali e jashtë saj për të mbrojtur paqen. Madje shkoi deri në Avinjon, për të thirrur Papën.

Rreth saj u formua një grup dishepujsh që nisën ta quanin "Nënë", e ajo u qëndroi pranë, si një nënë e vërtetë. Pastaj nisi të hartonte letra të zjarrta. "Natyra ime është zjarr" - shkruante. Duke lexuar jetën e saj të shkurtër - jetoi vetëm 33 vjeç - si Krishti - të krijohet përshtypja se ishte grua e jashtëzakonshme. Pas Virgjërës Mari, Shën Katerina është gruaja më e madhe që ka jetuar mbi këtë tokë, të paktën për aq sa dihet deri më sot.

Në Itali ka pasur, pa dyshim, një ndikim të jashtëzakonshëm. Duhet kujtuar se asokohe Evropa ishte e bashkuar. Me që ishte bashkëpajtore e Italisë e me që kishte shkuar edhe në Avinjon, duke dhënë ndihmesën e vet që të kthehej papa në Romë, u bë, në mënyrë të natyrshme, edhe bashkëpajtore e Evropës, sepsè ndikimi i saj u shtri në mbarë Evropën. Rikthimi i papës në Romë qe një fakt tepër i rëndësishëm, themelor. E pastaj edhe për mësimin e saj.

Shën Tereza e Avilës, që ishte spanjolle, thoshte se pas Zotit, ishte Shën Katerina ajo që e drejtoi progresin e shpirtit të saj në rrugën drejt qiellit.
 Katerina nga Siena ishte pa shkollë, e megjithatë u shpall dijetare e Kishës, sepse të gjitha shkrimet e diktuara nga ajo, janë të frymëzuara. Doktrina e saj është e sigurt; ajo ka përshpirtëri doktrinore! Këtë e tregojnë edhe letrat që u drejtoi papëve e princave të kohës së vet.

Letra të zjarrta: "Unë, Katerina, shërbëtore e skllave e Zotit tonë Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve në gjakun e Tij të paçmueshëm". Kështu i fillonte letrat. E përballë këtyre letrave, që s'qenë letra, por flakë, papët e kardinajtë nuk mund të mos dorëzoheshin. E çka të prekë më shumë, janë fjalët e fundit, shqiptuar prej saj.

Në sa po vdiste, e rrethuar nga dishepujt e vet, shqiptoi këto fjalë të mrekullueshme: "Të jeni të sigurt, o bij fort të dashur, se unë e shkriva jetën time në Kishë e për Kishën, gjë që për mua ishte një hir jashtëzakonisht i posaçëm". Ajo pati nga Zoti edhe shumë hire të tjera: Fliste me Jezusin, i thoshte Lutjet e ditës me Të, i dukej vazhdimisht Zoti, bënte mrekulli. E megjithatë, mrekullia më e madhe për të qe "shkrirja e jetës në Kishë e për Kishën!".

 

 

 

29 prill 2021, 09:56