Më 21 prill kalendari kishtar kujton Shën Anselmin

Anselmi u shqua si predikatar i Ungjillit e reformator i jetës murgare e, sidomos si teolog. Përfaqëson fillimet e teologjisë skolastike. Ishte gjeni në metafizikë e njeri me zemër të dhimbshme: e pikërisht me zemër dhe me arsye Anselmi iu afrua mistereve të fesë të krishterë. Shkroi mes tjerash: “Bëj, të lutë, o Zot, ta ndjej me zemër, atë që prek me inteligjencë” dhe “besoj për të kuptuar, kuptoj për të besuar".

R.SH. - Vatikan

Më 21 prill kisha katolike përkujtoi Shën Anselmin e Aostës, ipeshkvë e dijetar i Kishësgjigant i krishterimit.

Shën Anselmi, i lindur rrëzë alpeve, në Aosta, në vitin 1033, në një familje fisnike, është edukuar nga etërit Benediktinë, e kështu që në moshë të re pati dëshirë të madhe t’i kushtohej jetës kundruese. I jati, Gandulfi, nuk e lejoi, sepse sipas mendimit të asaj kohe, djali i parë duhet të ecte në gjurmët e babait e jo të bëhej murg.

Anselmi vuajti aq shumë për shkak të këtij kundërshtimi nga ana e babait, sa që u sëmur rëndë, por i jati nuk e ndryshoi vendimin. Pasi u shërua, u duk sikur do t’i bindej vullnetit atëror, sepse pak nga pak iu përshtat jetës së fisnikërisë, madje Anselmi nisi të jepej pas qejfeve, që ia lejonte rangu i lartë i familjes. Por në shpirtin e tij flaka e vjetër për një tjetër jetë, nuk ishte shuar. Prandaj shumë shpejt e braktisi strehën atërore, kapërceu qafën e Montekasinos dhe nisi të endej nëpër Francë, derisa zuri vend në Bek të Normandisë, në abacinë e famshme, ku kishte katedrën mësuesi i madh i teologjisë, murgu Lanfrank.

Anselmi u zhyt në studim, duke ecur besnikërish në gjurmët e mësuesit, të cilin e zëvendësoi në moshë ende tepër të re, si abat, pra si udhëheqës i kuvendit e si mësues. Anselmi u shqua si predikatar i Ungjillit e reformator i jetës murgare e, sidomos si teolog: përfaqëson kështu fillimet e teologjisë skolastike.

Shumë iu kundërvunë, për shkak të jetës së tij të ashpër asketike, por duke qenë njeri tepër i butë e i ëmbël, Anselmi arriti gjithnjë të fitonte dashurinë dhe nderimin e kundërshtarëve. Ishte gjeni në metafizikë e njeri me zemër të dhimbshme: e pikërisht me zemër dhe me arsye Anselmi iu afrua mistereve të fesë të krishterë. Shkroi mes tjerash: “Bëj, të lutë, o Zot, ta ndjej me zemër, atë që prek me inteligjencë” dhe “besoj për të kuptuar, kuptoj për të besuar".

Dy veprat e tij më të njohura janë “Monologu” ose mënyra për të medituar mbi arsyet e fesë dhe “Prosilogu”, ose feja që kërkon arsyen, në pritje të vegimit të lumturuar në amshim.  Në veprën Cur Deus homo” Shën Anselmi vë në dukje se si arësyeja arrin të kundrojë bukurinë e së vërtetës në kërkimin e fesë në nivelin më të lartë: “Nëse nuk do të besoni, nuk do të kuptoni”; sa më shumë që përdoret intelekti – shkruan Shën Anselmi – aq më shumë i afrohemi asaj që njerëzit duan me gjithë shpirt".

Veprat filozofike të Anslemit, ashtu si mendimet e tij mbi shëlbimin, vinin nga bashkëveprimi i gjallë i ndjenjave me arsyen. Në këtë drejtim Anselmi, që konsiderohet Ati i skolastikës, ishte shumë pranë Shën Agostinit. I lartuar në dinjitetin e primatit të Anglisë, me seli në Kanterberi, murgut të butë të Bekut iu desh të përballonte armiqësinë e Gulielmit të Kuq dhe të Henrikut I, të cilët e internuan. Atëherë Anselmi u nis për në Romë, duke pritur të qetësoheshin ujërat.

Në Romë shkoi jo vetëm për të kërkuar njohjen e të drejtave të veta, por edhe për t’i zbutur dënimet që u ishin dhënë kundërshtarëve të tij, duke larguar kështu rrezikun e skizmës, do të thotë ndarjes së Kishës. E kjo sjellje i bëri të gjithë kundërshtarët e Anslemit t’i ulnin armët. Shën Anselmi vdiq në Kanterberi më 21 prill 1109. Do të ishte pasardhësi i tij, shën Toma Becket, ai që do të kërkonte kanonizimin e kryeipeshkvit, e një mbret, Jaku III, që do t’i paraqiste kërkesën Papës për ta shpallur Dijetar të Kishës. E në vitin 1720 Papa Klementi XI e deklaroi Shën Anselmin Dijetar të Kishës.

21 prill 2021, 09:46