E Diela V e Kreshmëve E Diela V e Kreshmëve

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V të Kreshmëve

Pjesa ungjillore e sotme, në të Dielën V të Kreshmëve, ndjek tregimin e hyrjes triumfale të Jezusit në Jeruzalem. Të gjithë duket sikur e pranojnë, madje, edhe disa grekë, që kalonin andej, e nderojnë. Në këtë kuadër, shën Gjoni ungjilltar fillon të tregojë për Mundimet e Krishtit. Ashtu si në natyrë, kokrra e grurit vdes që të lindë një jetë e re, ashtu edhe Jezusi, me vdekjen e tij, e çon gjithçka drejt Atit Qiellor. Nuk janë brohoritë e popullit, që sjellin Mbretërinë e Hyjit, por vullneti i Atit. Prandaj, ata që ndjekin Krishtin, vihen në shërbim të Atit. Të ndjekim Ungjillin, marrë nga kreu 12 i Shën Gjonit…

R.SH. - Vatikan

20 Ndër ata që kishin ardhur në Festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. 21 Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin”. 22 Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. 23 Jezusi iu përgjigj: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut. 24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. 26 Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im”.

27 “Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! 28 O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!” Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” 29 Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!”, të tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” 30 Jezusi iu përgjigj: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju! 31 Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! 32 E unë, kur të jem lartuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit” 33 Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.

Të lutemi së bashku:

Pikërisht kur do të besojnë

se të kanë mundur, të kanë shtypur,

të kanë eliminuar përgjithmonë,

Ti u dëshmon atyre

se është e vërtetë e kundërta:

ashtu si kokrra e grurit duhet të vdesë

thellë në tokë

për t’i dhënë jetë një filizi të ri,

ashtu edhe Ti, o Jezus,

duke dhuruar jetën në kryq

bëhesh farë shpëtimi

për ata, që besojnë në Ty.

Dhe e mund vdekjen një herë e përgjithmonë

pikërisht, kur mendonte se të kishte në dorë.

 

Historia jote, krejt paradoksale,

është edhe ajo e çdo dishepulli:

kush e ruan jetën veç për vete,

kush e mbron me çdo kusht,

e humbet atë;

ndërsa, kush e dhuron për hir të dashurisë,

kush e dhuron pa hezituar,

e gjen të shndërruar nga mirësia jote e pashterrshme.

 

Lavdia, pra, nuk është

për të pushtetshmit e për të fortët,

por, për ata që dinë ta dhurojnë veten plotësisht, deri në fund,

deri sa të thyhen si buka e mirë,

deri sa të derdhin edhe gjakun.

Sepse lavdia nuk është rezultat e dijes njerëzore,

por horizonti që i përgatit Zoti

kujtdo flijohet bujarisht.

20 mars 2021, 08:58