2019.04.11 Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme 2019.04.11 Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Larit

Me të Dielën e Larit, fillon Java e Madhe e Pashkëve, që sivjet, kremtohet sërish në kushte pandemie e me masa kufizuese në shumë anë të botës. Ungjilli i kësaj së diele (viti B) sipas Markut, në kreun 11 (1-10), na tregon për pritjen, që i bënë Jezu Krishtit në Jeruzalem, por po sot, kujtojmë edhe mundimet e Birit të Zotit në kryq. Të ndjekim një fragment…

R.SH. - Vatikan

Kur iu afruan Jerusalemit - te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i hypi në shpinë. Zgjidheni e ma bini. Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu”. Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. Disa që ndodhën aty i pyetën: “Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?” Nxënësit u përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan. Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hypi në të. Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa tjerë gemat që këputnin nëpër ara. Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: “Hosana! Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! Hosana në qiejt më të lartat!”

Në lutjen e sotme, kundrojmë mundimet e Krishtit:

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë, 
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë. 

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhembshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plëngprishës që duhet të kthehet! 
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

O Zot Jezus,

e Premtja e Madhe është ditë e errët,
ditë e urrejtjes pa arsye,
ditë e vrasjes së të Drejtit!
Po e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit:
fjala e fundme
është drita që rindizet
dashuria që fiton mbi çdo urrejtje.

O Zot Jezus,
në sa jetojmë të premten tonë të madhe,
e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha,
na jep fenë guximtare të Marisë
për të besuar në vertetësinë e Pashkëve;
na jep vështrimin e saj të kthjelltë,
për të parë vezullimet
që kumtojnë ditën e fundit të historisë:
“Një qiell të ri e një tokë të re”,
që nisin në Ty,
o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur! Amen!

27 mars 2021, 08:54