Imzot Luigj Bumçi, ipeshkëv i dioqezës së Lezhës Imzot Luigj Bumçi, ipeshkëv i dioqezës së Lezhës 

Imzot Luigj Bumçi, në përvjetorin e vdekjes

Imzot Luigj Bumçit, ipeshkvi madh, në përvjetorin e vdekjes, që punoi për unitetin e Kishës e të Kombit. Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën!

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, me 1 mars, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit (1 mars 1945), ipeshkvit të madh, që punoi për unitetin e Kishës dhe të Kombit.  Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën!

Imzot Bumçi lindi më 6 nëntor 1872 në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve, ku shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë. Hyri, prandaj, në Seminarin Papnor, ku mësoi në Kolegjin Saverian dhe njëkohësisht filloi përgatitjen filozofike e teologjike për rrugën e priftit dioqezan, që kishte zgjedhur. Shpejt u shqua për një mençuri të jashtëzakonshme, që e vuri në krye të shumë veprimtarive të Seminarit e të Kolegjin Saverian.

U bë shumë i njohur edhe për humorin e tij tejet të hollë, që e bëri të shkëlqejë në vise e rrethana të ndryshme. Në garën e satirës - shkruan ipeshkvi Imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë" - mund të hahej vetëm me një Atë Fishtë. E ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të ndiqje një garë të tillë ndërmjet dy njerëzve, që veç shumë cilësive të mëdha, kishin edhe humor të spikatur”. Mësimet e larta i kreu në Itali, ku edhe u shugurua meshtar. Mbas shugurimit, shërbeu për pak kohë si famullitar në fshatra të ndryshme të Veriut.

Ndërkaq filloi edhe veprimtarinë atdhetare. Qe atë shpirtëror i kryengritësve të Malësisë së Madhe, që rrokën armët për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke; kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti një fjalim, që pati jehonë të jashtëzakonshme e që meriton të zërë vend në të gjitha antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike, me karakter të fuqishëm atdhetar.

Në Konferencë delegacioni shqiptar u ndodh para një problemi jetik për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin të shkëputeshin nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit, nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë. Delegacioni shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por duke përfituar nga fakti se në të bënin pjesë dy klerikë, të cilët tashmë kishin fituar emër kudo në botën katolike, e pikërisht Imzot Bumçi e sekretari i tij, Atë Gjegj Fishta, u ndal në Romë, ku kërkoi audiencë te Papa.

Papa Benedikti XV i priti menjëherë dhe u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë.  “Diplomat i spikatun, me natyrën e qetë të shtresave qytetare shkodrane, me stil plot gjallni jete, me prirje të theksueme për jetën politike, i guximshëm e i stërvitun, i peshuem e modern, ai punoi me zell për një Shqipni të çlirueme nga feudalizmi e mbrapambetja. Na kujton së largu figurën e kardinalit francez Richelieu” - kështu shkruan për të Imzot Zef Simoni, në sa ia pikturon portretin në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë". Si u shugurua ipeshkëv, u emëruar bari shpirtëror i dioqezës së Lezhës. Selinë e tij, sipas traditës, e pati në Kallmet, ku ndërtoi edhe Kishën që sot i është rikthyer besimtarëve.

Kongresi i Lushnjës e vuri Imzot Luigj Bumçin në krye të Këshillit të Lartë të Shqipërisë. Nga kjo tribunë, u bë i njohur nga të gjithë si njeri me mençuri të jashtëzakonshme; që njihte në mënyrë të përkryer gjuhët kryesore evropiane. Me kulturën e tij të gjerë, e linte me gojë hapur çdo njeri që komunikonte me të.

Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën! Vdiq në vitin ogurzi 1945 më 1 mars në selinë e dioqezës së tij, ndërsa mbi Shqipërinë ndehej terri e terrori. Trupi i tij u varros në Kishën e Kallmetit.

 

01 mars 2021, 10:27