Imzot Gjergj Meta: Duke shikuar nga Qielli, tё jetojmё si vёllezёr mbi tokё

Ipeshkvi i Rrёshenit tё Mirditёs, imzot Gjergj Meta e shikon vizitёn historike tё sapo përfunduar tё Papёs Françesku nё Irak si shembull e mёsim se si Paqja, vëllazërimi dhe miqësia midis njerëzve me besime dhe etni të ndryshme ështё e mundur, madje është e vetmja udhё për ndërtimin e tё sotmen dhe tё nesёrmen së çdo vendi, posaçёrisht aty ku ekziston njё mozaik pluariteti fetare dhe etnik.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Rrёshenit tё Mirditёs, imzot Gjergj Meta e shikon vizitёn historike tё sapo përfunduar tё Papёs Françesku nё Irak si shembull e mёsim se si Paqja, vëllazërimi dhe miqësia midis njerëzve me besime dhe etni të ndryshme ështё e mundur, madje është e vetmja udhё për ndërtimin e tё sotmen dhe tё nesёrmen së çdo vendi, posaçёrisht aty ku ekziston njё mozaik pluariteti fetare dhe etnik.

"Zemra e një shoqërie njerëzore është besimi në Zotin, është aty ku përkatësitë e ndryshme etnike apo racore, bindjet politike, nuk i bëjnë njerëzit kundershtar, armiq, por dialogues për të mirën e të gjithëve, madje vëllezër që punojnë e ndërtojnë të mirën e përbashkët".

Nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit – Vatican News tё dёgjojmё falenderimin ndaj Papёs dhe vёshtrimin e imzot Gjergj Metёs mbi shtegtimit apostolik tё Papёs nё tokёn e Abrahamit – Irak...

Tё dёgjojmё falenderimin ndaj Papёs dhe vёshtrimin e imzot Gjergj Metёs mbi shtegtimit apostolik tё Papёs nё tokёn e Abrahamit – Irak

Shalom! Shalom! Shalom! Tri herë përsëriti në gjuhën aramaike fjalën "paqe" Papa Françesku në Karakosh, përballë shëmbëllimeve të shkatërrimit dhe gërmadhave, duke dhënë kështu mesazhin e paqes dhe pajtimit për të ardhmen.

Terrorizmi nuk mund të ketë fjalën e fundit. Paqja, vëllazërimi dhe miqësia midis njerëzve me besime dhe etni të ndryshme janë të mundura.

Papa Françesku udhëtoi për në Irak duke sfiduar covid-in dhe terrorizmin. Po! Ishte një udhëtim për Paqen, mjaft i ngjashëm me atë të një tjetër Françesku, atij të Asizit, të 800 viteve më parë, i cili në rrëmujën dhe gjakderdhjen e kryqëzatave përballoi rrezikun dhe takoi Sulltanin Malik-Al-Kamil.

Mesazhet që u dhanë, simbolet që u kryen kanë entuziazmuar shumë njerëz, të gjjthë ata që kanë për zemër një shoqëri njerëzore ku besimi në Zot, përkatësitë e ndryshme etnike apo racore, bindjet politike, nuk i bëjnë njerëzit armiq, por dialogues për të mirën e të gjithëve.

Edhe në 2014 kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë, foli për vëllazërim midis shqiptarëve që megjithëse me besime të ndryshme, dinë të gjejnë dhe e kanë gjetur gjithmonë rrugën e bashkëjetesës. Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo gjë nuk po ndodh me ata që kanë vizione e bindje të ndryshme politike. Këto të fundit kanë krijuar konflikte të ashpra e shpesh pa rregulla, sikurse të kishim të bënim me një xhungël dhe për rrjedhojë, me nevojën për mbijetesë.

Por le të kthehemi të Papa Françesku në Irak. Ai tregoi edhe një herë koherencë me çka ka predikuar qysh në fillimet e pontifikatit të tij, madje duke u kthyer në një shembull për të gjithë ne dhe për këdo që ka një angazhim publik.

Ai vizitoi Mosulin, Ur (vendin e Abrahamit), Karakoshin e martirizuar nga terroristët e Daesh-it. Mesazhet e tij ishin sa shpirtërore aq edhe politike. Ai i inkurajoi të krishterët që të mos e braktisin vendin, që të rindërtojnë traditat e tyre të lashta, t'i ruajnë ato dhe të kontribuojnë për të mirën e vendit. E një rezultat i parë politik ishte pikërisht pranimi i genocidit nga ana e parlamentit iraken ndaj minorancave, grave dhe fëmijëve, jazidi, të krishterë e kurdë.

Sigurisht rruga e paqes është e gjatë, e mundimshme. Është një proces që shpesh ka edhe të papritura e ndeshet me caqet e natyrës njerëzore, me interesa të vogla e të mëdha të individëve dhe të industrive të naftës, si edhe me urrejtjen që kanë shkaktuar plagët. Por këto gjëra nuk e bëjnë të pamundur paqen.

Faleminderit Papa Françesku për këtë udhëtim shprese dhe paqeje. Kthim të mbarë në Romë!

+ dom Gjergj Meta

08 mars 2021, 10:40