Enciklika e Papës Françesku "Fratelli tutti" Enciklika e Papës Françesku "Fratelli tutti"

“Fratelli tutti” në rusisht. Imzot Pezzi: dhuratë për marrëdhëniet me myslimanët

Në ditën e paraqitjes së përkthimit në rusisht të enciklikës së Papës në Moskë, kryeipeshkvi i Kryedioqezës së Nënës së Zotit, nga kryeqyteti i Rusisë, thekson vlerën e kësaj ngjarjeje për vendin dhe për të krishterët. Ndër përkthyesit, kolektivi shkencor i Forumit Ndërkombëtar Mysliman

R.SH. - Vatikan

Enciklika e Papës mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore “Fratelli tutti” përkthehet në gjuhën ruse dhe paraqitet për publikun falë punës së shtëpisë botuese Medina dhe kolektivit shkencor të Forumit Ndërkombëtar Mysliman. Përkthimi u bë nën udhëheqjen e Drejtimit Shpirtëror të Myslimanëve të Federatës Ruse.

“Ngjarje që sjell gëzim dhe habi për një bashkëndarje që, më në fund, u bë e mundur. Mbi të gjitha, ajo përforcon idenë se vëllazërimi është rruga e vetme, që mund të përshkojmë. Kultura e takimit, për të cilën flet Papa është e nevojshme, është dera e ngushtë, përmes së cilës duhet kaluar sot për të arritur vëllazërimin e vërtetë”. Kështu pohon kryeipeshkvi katolik i Moskës, imzot Paolo Pezzi, i cili paraqiti veprën sot (3 mars), në orën 14, së bashku me nuncin apostolik Giovanni D’Aniello, në qendrën kulturore “Pokrovskie vorota” të kryeqytetit rus.

Të pranishëm, edhe përfaqësues të feve të tjera dhe të konfesioneve të tjera të krishtera, sidomos, të Kishës Ortodokse Ruse. Një ngjarje, që shpresohet ta pasurojë dhe ta mbështesë vlerën e vëllazërimit në Rusi, në kuadrin e dialogut ndërfetar.

03 mars 2021, 15:54