Papa gjatë Meshës në Erbil Papa gjatë Meshës në Erbil 

Françesku: në Meshën e parë, fara e magjisterit

Don Luigi Maria Epicoco, teolog dhe drejtor i Institutit Epror të Shkencave Fetare “Fides et ratio” të Akuilës, rilexon fjalët e shqiptuara nga Papa më 19 mars, tetë vjet më parë, gjatë Meshës të fillesës së Papnisë: në këto mendime gjejmë mësimet, që po i kuptojmë gjithnjë më në thellësi tetë vjet më pas.

R. SH. - Vatikan

Është një aspekt, që të prek thellë, në Meshën me të cilën Papa i ardhur “nga fundi i botës”, nisi misionin e tij në krye të Kishës. Ishte data 19 mars. Prej këndej, e natyrshme që në qendër të meditimit të Meshës të ishte figura e Shën Jozefit. Në të vërtetë, homelia e kësaj Meshe, në të cilën Papa ia hapte për herë të parë zemrën botës,  iu kushtua plotësisht fatit të Marisë. Rëndësinë e fjalëve, që Papa ia kushtoi në atë Meshë të parë Shën Jozefit si “rojtar”, do t’i kuptonim plotësisht vetëm pas tetë vjetësh - pohon teologu don Luigi Epicoco në intervistën dhënë Telepaces, që do të transmetohet sonte, në orën 20.10.

Ta kujdesesh për botën, do të thotë të kesh kujdes për njeriun   

Në atë homeli të parë - reflekton teologu - Papa i ri “paralajmëronte”  gjithë atë, që do ta shikonim të shpalosej para syve tanë më pas, në dokumentet, në gjestet, në përzgjedhjet e shtegtimeve. Në ato minuta të para, nëpërdukej një nga bazat e magjisterit, që Françesku e kishte përfytyruar menjëherë pas zgjedhjes kur, nga Lozha e Bekimeve, kërkoi lutje kushtuar vëllazërimit e, kur, në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, i ftoi besimtarët nga të katër anët botës, të vinin në qendër të vëmendjes mëshirën. E në thirrjen e rojtarit, që pati Jozefi, ishte fara  e “Laudato sí”, që me arkitekturën madhështore,  qe menduar nga Françesku për t’i thënë njerëzimit se njeriu mund të shpëtojë vetëm së bashku me tokën, mbi të cilën jeton! Ishte thirrja për ekologji të gjithanshme ajo, që Papa nënkuptonte në Meshën e  tij të parë,  duke u kërkuar gjithë krerëve të shteteve e të qeverive, që kishin ardhur për ta uruar, të impenjoheshin fuqimisht në këtë drejtim, në viset e tyre. Ky kujdes është thirrje që nuk na përket vetëm ne, të krishterëve - pati thënë Papa - duke shpjeguar nevojën  e kujdesit për familjet e miqësitë. Prandaj - nënvizon don Epicoco – theksoi e thekson pambarimisht se “po të duam të kujdesemi për botën, në radhë të parë duhet  ta marrim seriozisht njeriun”.

Një homeli, ajo e 19 marsit, tetë vjet më parë,  që përmban farët e kopshtit, i cili ka nisur të mungullojë. E pas kaq vitesh, dhjetorin e kaluar, Françesku njoftoi se do të shpallte një vit të posaçëm, kushtuar Shën Jozefit, në përkim me 150-vjetorin  e shpalljes së tij Pajtor i Kishës. Vendim, ky, që e mori me letrën apostolike Patris Corde e që jo rastësisht u shpall në një kohë trazirash, si kjo  e sotmja.

Papa - opinioni i teologut ky -  dëshiron të na thotë se edhe në këto rrethana të vështira,  ka kush na frymëzon e kush na mbështet në udhën tonë, sado të vështirë… Në vijë me ndjetet e kujtuara në homelinë e 19 marsit 2013,  është edhe ftesa për t’i lëshuar në duart e Shenjtit vendimet personale, posaçërisht ato më të ndërlikuarat,  duke u frymëzuar nga shembulli i atij, që kishte pak fjalë - e shumë punë!

E, në vend që të rrimë duke u ankuar, duhet të mësojmë të bëhemi krijues edhe në rrethana armiqësore - pëfundon meshtari, autor i një libri titulluar “Me zemrën e Atit”(Botimet e Shën Palit), përmbledhje lutjesh e meditimesh, për t’i shoqëruar lexuesit në këtë rrugë, të hapur nga Françesku.

19 mars 2021, 14:04