Gesù  con Nicodemo Gesù con Nicodemo 

Fjala e Zotit e dielës së 4- të të kohës së Kreshmëve 'B'

Kryqi i Krishtit, është prova më e lartë e dashurisë së Hyjit për ne; Jezusi na deshi “deri në fund të fundit” (Gjn 13,1), domethënë jo vetëm deri në çastin e fundit të jetës së tij tokësore, por edhe e sidomos, deri në cakun e fundit të dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës së 4-të të kohës liturgjike të kreshmëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.

Është ditë gëzimi e diela e katërt e Kreshmëve, sepse populli i Zotit i afrohet kremtimit të Pashkëve dhe nuk mund të mos këndojë harenë, që shijohet në takimin me Krishtin e Ngjallur.  Leximet biblike vënë theksin mbi Pashkët tashmë të afërta e na ftojnë të gëzohemi. Izraeli do të kthehet nga mërgimi. Dialogu ndërmjet Jezusit e Nikodemit na ndihmon të kuptojmë se në Jezusin e lartuar, do të thotë të dënuar me vdekje, mbi kryq, plotësohen profecitë dhe shfaqet dashuria e pakufishme e Zotit për njerëzimin.

Dashuria e Hyjit është falas e pa kufi dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë se Zoti është pambarimisht i pasur me mëshirë. Në qendër të fragmentit të Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni ( Gjn 3,14-21), kemi fjalët e Jezusit drejtuar Nikodemit: “Hyji aq fort e deshi botën, sa dha një të vetmin Birin e vet”(Gjn 3,16). Duke i dëgjuar këto fjalë, i sjellim sytë e zemrës kah Krishti i kryqëzuar e ndjejmë brenda nesh se Hyji na do, na do vërtet, e na do shumë, tepër shumë! E ja shprehja më e thjeshtë, që e përmbledh mbarë Ungjillin, gjithë fenë, tërë teologjinë: “Hyji na do me dashuri pa kurrfarë interesi e pa kurrfarë kufiri”.

Hyji e zgjedh popullin e vet jo pse e meriton

Këtë dashuri, Hyji e dëshmon sidomos në krijim. Dashuri falas, që duket në gjithë historinë e shëlbimit. Zoti e zgjedh popullin e vet, jo pse e meriton, e i thotë: “Të zgjodha pikërisht sepse je më i vogli ndërmjet gjithë popujve”. E kur erdhi “përmbushja e kohës” pavarësisht se njerëzit e thyen shumë herë besën e dhënë, Hyji, në vend që t’i braktiste, krijoi me ta një lidhje të re, në gjakun e Jezusit, lidhjen e besës së re e të amshuar, besëlidhjen që askush nuk do të mundet më ta këpusë.

Jezusi na deshi deri në cakun e fundmë të dashurisë

Kryqi i Krishtit, është prova më e lartë e dashurisë së Hyjit për ne. Jezusi na deshi “deri në fund të fundit” (Gjn 13,1), domethënë jo vetëm deri në çastin e fundit të jetës së tij tokësore, por edhe e sidomos, deri në cakun e fundit të dashurisë. Nëse në krijim na dha provën e dashurisë së Tij të pamasë, duke na dhuruar jetën, në mundimet dhe në vdekjen e të Birit Jezus na dha provën e provave: erdhi të vuante e të vdiste për ne. E këtë, për dashuri, kaq e madhe është mëshira e Hyjit! Sepse na do, Ai na fal. Me mëshirën e tij Hyji fal të gjithë, fal gjithçka, fal gjithnjë.

                                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë 2 Kro 36, 14-16.19-23

Shkatërrimi i Jerusalemit është simboli i refuzimit të Hyjit nga ana e popullit të Izraelit, që përshtatet me mentalitetin e popujve të afërm që besojnë në idhuj. Populli i Hyjit është zgjedhur për dashuri nga Hyji kur ishte i varfër dhe skllav i egjiptianëve. Dhe çdo herë që do të imitojë kombet pagane braktiset nga Hyji, ndërsa kur bëhet besnik Hyji e liron.

Lexim prej Librit të dytë të Kronikave

Në ato ditë të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem. E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre ua dërgonte me kujdes ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet. Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i bënin asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët deri që mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim. Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë.

Mbreti i treti në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij deri që u vendos mbretëria persiane, për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Deri që toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet.” Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli – madje edhe me shkrim – në mbarë mbretërinë e vet: “Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judë.” Fjala e Zotit.

Psalmi 137

Kujtimi në ty, o Zot, është gëzimi ynë

Mbi lumenj të Babilonit,

atje rrinim e lotonim,

duke sjellë në mend Sionin.

Në shelgje, në mes të tij,

harpat tona në gem i varëm.

 

Shi atje shpërngulësit tanë

t’u këndojmë prej nesh kërkuan,

të gëzohemi shtypësit urdhëronin:

“Na i këndoni këngët e Sionit!”

 

Po si mund t’i këndojmë

këngët e Zotit në dhe të huaj?

Oh, m’u thaftë-o krahu mua,

Jerusalem për në të harrofsha.

 

Për qellzë gjuha m’u kaptë mua,

që të kujtoj ty nëse unë pushofsha,

në mos e vënça Jerusalemin

mbi të gjitha gëzimet e mia!

Leximi i dytë Ef 2, 4-10

Dashuria e vërtetë refuzon logjikën e shkëmbimit. Kur do me të vërtetë nuk thuhet: kam edhe unë të drejta, apo kam bërë detyrën time. Dashuria e vërtetë dashuron falas. Krishti Jezus është shenja që Hyji na do, megjithë padenjësinë tonë. Kthimi i vërtetë gjendet në të pranuarit pa interes të dashurisë së Atit dhe pa bërë pazar me besimin.

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 Vëllezër, Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin – ju jeni të shëlbuar me hir – dhe, bashkë me të, na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten. Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave, që ndokush të mos lavdërohet. Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to. Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, që secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli Gjn 3, 14-21

Nikodemi dhe të gjithë hebrenjtë prisnin në personin e Jezusit njeriun e fortë që do të vinte drejtësi dhe do të gjykonte botën. Por Jezusi paraqitet si Mesia që pranon të gjykohet në vend që të gjykojë. Gjykimi i vërtetë dhe i vlefshëm nuk vjen nga jashtë, por nga raporti që secili ka me të vërtetën e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 3, 14-21

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit. E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija. Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tija u bënë siç thotë Hyji.” Fjala e Zotit. 

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
13 mars 2021, 14:25