Protestat në Mianmar Protestat në Mianmar 

Dënim ndërkombëtar i masakrës në Mianmar

Arrin në 114 numri i njerëzve, që humbën jetën gjatë shtypjes së manifestimeve të 27 marsit kundër regjimit në ish-Birmani. Ndërmjet të vdekurve, edhe një vajzë 13 vjeçare. Bashkimi Evropian e quan “ditë terrori e turpi”, ndërsa SHBA-të, ngjarje tronditëse.

R. SH. - Vatikan

Prej dy muajsh civilët pa asnjë mbrojtje, por me  guxim të pashoq, vijojnë të manifestojnë kundër grushtit të shtetit të 1 shkurtit të kaluar. E, në Ditën e 76-të  të forcave të armatosura të Birmanisë, dje, në sheshet e këtij vendi të martirizuar, u derdh përsëri gjak birmanësh, fajtorë vetëm pse duan të jenë të lirë. Më se 100 vetë, ndërmjet të cilëve edhe fëmijë, u vranë nga ushtarakët, duke e rritur në 400 vetë numrin e viktimave.

Ditë terrori e çnderimi

“Do të mbetet e skalitur në histori si ditë terrorri e çnderimi” - pohon, në twitter, delegacioni i Bashkimit Evropian në Mianmar. “Vrasja e civilëve të çarmatosur, pa mëshiruar as fëmijët, është akt çnderues, i padurueshëm”. Fjalë të ashpra, që e dënojnë këtë krim, edhe nga ana e ambasadorit britanik Dan Chugg, për të cilin forcat  e sigurimit  “çnderuan vetveten”; ndërsa i dërguari i SHBA-ve e quan dhunën “të tmerrshme”. Këto vrasje - shton Amnesty International - vënë edhe një herë në dukje “përbuzjen e pacipë të gjeneralëve ndaj presionit të papërshtatshëm, ushtruar deri tani nga bashkësia ndërkombëtare”. Edhe OKB-ja, përmes zërit të Komisarit të Lartë për të drejtat e njeriut, e dënon sjelljen e ushtarakëve, duke shprehur edhe tronditjen për  vijimin e ndeshjeve në 44 lokalitete të vendit aziatik.

Lutja për Kishën motër

Të shumta, thirrjet dhe shprehjet e solidaritetit në këto javë nga ana e Kishave aziatike për Kishën dhe popullin e martirizuar birman. Ndërmjet tyre, Letra  e hapur  drejtuar këto ditë nga 12 kardinajtë anëtarë të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (Fabc), kardinalit Bo, në të cilën pohojnë se e mbështesin plotësisht Kishën e Mianmarit për arritjen e zgjidhjes paqësore të konfliktit e kundër dhunës ushtarake mbi civilët e pafajshëm. Në mesazh, kardinajtë aziatikë u drejtohen ushtarakëve, manifestuesve dhe gjithë politikanëve të Birmanisë, duke pohuar, së bashku me kardinalin Bo, se “dhuna nuk është kurrë rrugëzgjidhje!” Se përdorimi i forcës “shkakton vetëm dhimbje e vuajtje e shkatërrim”. Mbasi kujton se Azia është kontinent i paqes dhe i shpresës e se është edhe “një familje e vetme”, letra përfundon  duke pohuar edhe një herë se “paqja mund të arrihet”.

28 mars 2021, 11:53