At Bernard Caruana: kreshmёt një stërvitje për të kënduar gëzimin e Pashkëve

Misionari domenikan maltez nё Shqipёri, at Bernard Caruana O.P., famullitar i Kishës së Shën Dominikut nё Durrёs, na ofron njё reflektim tё tij mbi Mesazhin e Papёs Françesku pёr Kreshmёt 2021, kohë për të përtërirë fenë, shpresën, dashurinë.

R.SH. - Vatikan

Misionari domenikan maltez nё Shqipёri, at Bernard Caruana O.P., famullitar i Kishës së Shën Dominikut nё Durrёs, na ofron njё reflektim tё tij mbi Mesazhin e Papёs Françesku pёr Kreshmёt 2021, kohë për të përtërirë fenë, shpresën, dashurinë.

“Sivjet, pohon at Bernard Caruana, në famullinë tonë të Shën Dominikut në Durrës, kemi menduar të shprehim mesazhin aq të pasur dhe aktual tё Papёs nё mёnyrё simbolike. Para elterit nё Kishё janë vendosur disa shenja, që lidhen me leximet biblike dhe temën e liturgjisë së Fjalës gjatë kësaj kohe tё kreshmёve dhe njëkohësisht shpjegohet mesazhi i Papës”.  

Në Mesazhin e Papёs Françeskut, për kohën që na përgatit për kremtimin e Pashkëve, ftesa për një udhë pendese, që të çon tek rizbulimi i bashkimit me tjetrin, posaçërisht me të varfërit. Dashuria e krishterë nuk është shterpe! Të nxit ta jetosh stilin ungjillor të ngushëllimit e të dashurisë, duke agjëruar edhe nga “ngopja me informacione, të vërteta e të rreme”.

Kreshmёt, pra, janё njё rast i volitshëm për të përtërirë fenë, shpresën e dashurinë. Në Mesazhin kushtuar Kreshmëve 2021, Papa shpjegon domethënien e udhës kreshmore, që nis për çdo të krishterë me të Mërkurën e Përhime: “Duke përshkuar udhën kreshmore, që na çon drejt kremtimit të Pashkëve,  kujtojmë Atë që ‘e përuli vetveten e u bë i bindur deri në vdekje; deri në vdekjen e  kryqit”(Fil 2,8) Është kohë e përtëritjes së fesë sonë, kohë, kur shuajmë etjen me ujin e gjallë të shpresës dhe marrim, në zemrën e hapur, dashurinë e Zotit, që na bën vëllezër e motra në Krishtin. Udha e Kreshmëve, mos tё harrojmё, ёshtё udhë  drejt Ringjalljes. Po të ndjekim meditimin e at Bernard Caruana:

Ttë ndjekim meditimin e at Bernard Caruana

Heshtja kreshmore është një stërvitje për të kënduar gëzimin e Pashkëve!

Në perceptimin e shumë besimtarëve dhe për shumë njerëz në përgjithësi, koha e kreshmeve konsiderohet si një traditë që të gjithë të krishterët e festojnë: një periudhë e shenjtë, para Vdekjes dhe Ngjalljes së Jezusit, e sakrificës duke agjëruar, lutur dhe përmirësuar marrëdhëniet e tyre me Zotin. Këto dyzet ditë janë koha e përkryer që ne të reflektojmë për gjithçka dhe të mbartim kryqin tonë siç bëri Krishti.

Por Papa Françesku, si gjithmonë, na fton që të hedhim vështrimin tonë drejt së ardhmes nëpërmjet mesazhit të tij për Kreshmet. Ati i Shenjtë flet shpesh për shpresën dhe e quan “më e vogla ndër virtytet, por më e fuqishmja”! Në këtë mesazh, ai thotë: “Çdo etapë e jetës është kohë për të besuar, për të shpresuar e për të dashur”. Në fakt, Ati i shenjtë, në këtë mesazh parashtron një përmbledhje bashkëkohore të virtyteve teologjike, si: feja, shpresa, dashuria.

Tashti, “virtyti” nga latinishtja “virtus” – “burrëria” do të thotë epërsia morale e një personi. Virtyti është, me të vertetë, një gjendje e zakonshme  dhe e vendosur për të kryer të mirën por në të njëjtën kohë në doktrinën e Kishës Katolike këto tre virtyte, ndryshe nga virtytet të ashtuquajtura “kardinale”, nuk mund të merren vetëm me një përpjekje njerëzore, por futen te njeriu me anë të hirit hyjnor. Virtytet teologale i aftësojnë të krishterët të jetojnë në marrëdhënie me të Shenjtërueshmen Trini. Kanë Hyjin si zanafillë, shkak dhe objekt, Hyjin të njohur me anë të fesë, të shpresuar dhe të dashur për vetë veten e tij.

Ekzistojnë tre folje që Papa Françesku na fton t’i bashkojmë në lidhje me këto tre virtyte teologjike. Së pari; “Të ripërtërim besimin”. Është e qartë se besimi shihet dhe paraqitet si një marrëdhënie dinamike që duhet të kultivohet, rritet dhe thellohet gjithnjë e më shumë. Kjo theksohet në menyrë të veçantë nga fakti se udhëtimi i Kreshmes çdo vit arrin kulmin në Vigjiljen e Pashkëve, ku ne pohojmë pëlqimin tonë në Jezu Krishtin duke ripërtërirë premtimet e pagëzimit. Pikërisht në këtë këndvështrim, Papa Françesku na fton të jetojmë agjërimin, lëmoshën dhe lutjen, të cilat gjithmonë e kanë karakterizuar kohën e Kreshmes si elemente që na lejojnë të mishërojmë besimin tonë në jetën e përditshme. Gjithçka në dritën e një vëmendjeje të re për Fjalën e Hyjit e cila ushqen dhe vërteton besimin tonë. Ai shkruan: “ta lëmë veten që të arrihemi prej Fjalës së Hyjit, që na përçohet, brezni më brezni, prej Kishës […] është vetë Krishti, që duke marrë deri në fund njerëzinë tonë është bërë Udhë – kërkuese, por e hapur për të gjithë – që na çon në plotësinë e Jetës.”.  

Së dyti, jemi të ftuar të “nxjerrim ujin” e gjallë të shpresës. Nëse marrëdhënia jonë me Jezusin është e vërtetë dhe e gjallë, Shpirti Shenjtë rrjedh prej saj: Dhurata që buron nga Zemra e Jezusit dhe derdhet në ne duke na bërë Bijë të Atit dhe vëllezër në Jezusin. Kjo kremtohet dhe jetohet në sakramentet e Pajtimit, ku mjerimi ynë është i mirëpritur në zemrën e Atit dhe jeta e re në Shpirt lulëzon në ne. Në këtë mënyrë mund të jemi, në këtë kohë shqetësimi dhe çorientimi, bartës të shpresës dhe nxitës të së mirës: profetë të një të ardhme më të mirë.

Se fundi, ne jemi të inkurajuar të “mirëpresim dashurinë” që Zoti derdh në zemrat tona vazhdimisht. Nëse mësojmë të duam duke dashur, është gjithashtu e vërtetë që dashuria rritet në ne deri në atë masë sa ne i duam të tjerët: “Të jetosh një Kohë Kreshmeje dashurie”, shkruan Papa, “do të thotë, të kujdesesh për atë që jeton në vuajtje, i braktisur apo në angështi për shkak të pandemisë. Në kontekstin e një pasigurie të madhe për të nesërmen, duke sjellë ndër mend fjalën që Hyji i thotë Shërbëtorit të vet: «Mos u tremb, se unë të shpërbleva» (Is 43,1), të dhurojmë me dashurinë tonë një fjalë besimi dhe të bëjmë që tjetri të ndiejë se Hyji e do si një bir”.

Sivjet, në famullinë tonë të Shën Dominikut në Durrës kemi menduar që të shprehim këtë mesazh aq të pasur dhe aktual simbolikisht. Para elterit janë vendosur disa shenja, të cilat lidhen me leximet dhe temën e liturgjisë së Fjalës gjatë kësaj kohe dhe njëkohësisht shpjegohet mesazhi i Papës.  

Këto simbolet atëherë nuk kanë vetëm një vlerë estetike por kanë edhe një qëllim didaktik. Duke parë simbolin dhe duke zbuluar kuptimin, kushdo që hyn në Kishë ose merr pjesë në Liturgjitë, afrohet më së shumti jo vetëm prej mesazhit e Atit të Shenjtë por  vlerësojnë më shumë bukurinë e Fjalës së Hyjit që na shoqëron në këtë përiudhë. Dokumenta Kishtare janë të shumta në fakt dhe njeriu bashkëkohorë nuk lëxon shumë. Atëherë rrëzikojmë që porositë e vecanta edhe ato shpirtërore të rrinë larg popullit. Mendoj se me metodën e edukimit figurativ, thjeshtësohet fitimi i dijes e të njohurisë së realiteve të larta që zakonisht kërkojnë kohë dhe studim për t’i tretur.

Për më tepër, mund të themi që të dish të flasësh, sot, është e rëndësishme, por përveç kësaj lind edhe nevoja të dish të heshtësh. Mirëpo, njeriu i sotëm po jeton në një botë shumë të shpejtë e të rrethuar me zhurma të ndryshme. Shpesh me sa duket është harruar bukuria dhe vlera e heshtjes. Shoqëria e sotme, e përfaqsuar me teknologjinë dhe industrializimin më të zhvilluar se kurrë, formon individin thellësisht vetjak, duke i zbehur ndjenjën e të qënurit i lumtur.

Njeriu post-modern preferon të qëndrojë më shumë në zhurmat nga më të ndryshmet se sa të qëndroj në heshtje. E këtë e bën vetëm që të mos takohet me vetveten, të mos qëndrojë me vetveten sepse ka frikë prej saj. Kreshmet na ndihmojnë që të ndalemi, të jemi më të vëmendshëm ndaj heshtjes. Ti dëgjojmë të rrahurat e zemrës, të dëgjojmë frymëmarrjen tonë, të dimë të dëgjojmë cicërimat e zogjve, të shijojmë bukurinë e natyrës e të përjetojmë gëzimin e takimit me tjetrin.

Gjuha e simboleve është më direkte. Përballë dhimbjes, nëse nuk jemi në gjendje të themi fjalë të dala nga zemra e jo nga koka, më e mira është heshtja, përkëdhelja, gjesti, jo fjala kujton Papa Françesku. Muzika, si fjala që lind në hështje dhe po në heshtje vdes. Heshtja është një tipar i Hyjit. Është pikërisht në heshtje që Zoti tregon dashurinë e tij ndaj nesh. Heshtja kreshmore është një stervitje për të kënduar gëzimin e Pashkëve!

Bernard Caruana O.P.

09 mars 2021, 13:32