Pamje nga Kisha në Filipine Pamje nga Kisha në Filipine 

500 vjet krishtërim në Filipine: feja është dhuratë

Tema e kremtimeve jubilare në vendin aziatik është “Gifted to give”, që të kujton menjëherë frazën ungjillore: “Falas morët, falas jepni”. Përmes dëshmisë së kryetarit të Konferencës ipeshkvnore të Filipineve, njihemi me sfidat e sotme dhe fenë, në një vend ku ungjillëzimi është kryesisht në duart e të rinjve. Këtë jubile e përkujton sot edhe Papa me kremtimin e Meshës Shenjte, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Dëshmitarë gazmorë të një feje, që arriti 500 vjet më parë e është më e gjallë se kurrë. Kështu quhen katolikët e Filipineve, që kremtojnë sot, pas nëntë vjet përgatitjesh, Jubileun e krishterimit. Jubile që na kujton vitin e largët 1521 kur në Ishullin Cebo u pagëzuan Raja Humbabon, Hara Humumay dhe 800 filipinas të tjerë. Ishin të krishterët e parë, që  hapnin faqen e parë të librit të historisë së ungjillëzimit në Ishujt Filipine.

Që asokohe shumë gjëra kanë ndryshuar, por Fjala e Zotit kurrë! Mbetet e pandryshuar e ndriçuese, e filipinasit, besnikë të saj. Imzot Oscar Jaime Lianeta Florencio, ipeshkëv ushtarak për Filipinet, shpjegon ç’do të thotë “të jesh dëshmitar sot”, duke folur për fytyrën rinore të krishterimit në vend,  ndjekur nga të rinj laikë e të rinj misionarë, “motorë të vërtetë të fesë në Ishujt”. Më pas kujton Mesazhin, që Papa i la sivjet Konferencës ipeshvnore të vendit, përmes të cilit i këshillon prelatët të vijojnë dëshminë konkrete “të dashurisë ungjillore” në mënyrë që Kisha katolike filipinase  të njihet në mbarë botën si “shtëpi me porta të hapura, që dhuron  shpresë e forcë”. Fjalë që u pritën me emocion e shërbim. Në jetën tonë të përditshme - vijon të kujtojë imzot Florencio - dashuri ungjillore do të thotë t’u shërbejmë të varfërve. E kjo është në qendër të fjalëve e, sidomos, të veprave tona. Është detyrë t’i ndihmosh ata, që jetojnë në mjerim, që nuk kanë punë, që nuk mund të sigurojnë bukën për familjet, që nuk mund të shfrytëzojnë shërbimet e ndryshne. Që kur shpërtheu pandemia, e cila krijoi një mori problemesh, mëshira ungjillore jetohet pikërisht në gjirin e të varfërve, të vuajturve, për të cilët Kishat tona i kanë gjithnjë portat e hapura - përfundon imzot Florencio, ndërsa Papa hap në dy kanatat Portat e Shën Pjetrit për  të kremtuar festën, me përfaqësusit e kësaj Kishe lashtë, guximtare, gjithnjë rinore!

 

14 mars 2021, 09:43