Kërko

Shkolla ku ndodhi rrëmbimi Shkolla ku ndodhi rrëmbimi 

Sulm në një shkollë të Nigerisë: rrëmbehen 300 nxënëse

Në vendin afrikan më se 300 vajza u sekuestruan nga njerëz të armatosur, gjatë një sulmi të ri në një shkollë të Shtetit Zamfara

R. SH. - Vatikan

Përsëritje dramatike e një ngjarjeje të hidhur: burra të armatosur hynë me forcë në një shkollë dhe i  rrëmbyen te gjitha vajzat. Rrëmbimin në masë në vendin afrikan e denoncoi një nga mësueset e shkollës. Një dëshmitar tjetër tregoi se u sulmua edhe post-blloku në afërsi, për të penguar  mundësinë e ndërhyrjes së ushtarakëve gjatë sulmit mbi shkollën. Në rajon lëvizin grupe të ndryshme të armatosura, që vijojnë të rrëmbejnë ku e si munden me qëllim pasurimi,  për t’i shkëmbyer pengjet me para ose me  anëtarët e tyre të burgosur.

Sulmet e mëparshme

Rrëmbimi i fundit u shtohet disa ngjarjeve të tjera të kësaj natyre. Javën e kaluar 42 vetë u rrëmbyen nga një shkollë në Shtetin nigerian të Nigerit. Në dhjetor, në një institut në veri të Nigerisë, u rrëmbyen më se 300 fëmijë. Në këtë rast pengjet u liruan pas një sërë bisedimesh me funksionarët e qeverisë.

Kaigama: thirrje e re për sigurinë në vend

Nigeria jeton në një situatë të vështirë, në të cilën mungon plotësisht siguria. Në një intervistë të kohëve të fundit dhënë Vatican News, kryeipeshkvi i Abujës, imzot Ignatius Kaigama, u bëri thirrje autoriteteve, duke u kujtuar se popullsia jeton e pushtuar nga frika e sulmeve nga ana e grupeve kriminale dhe esktremistëve islamikë.

26 shkurt 2021, 14:52