Bazilika e Shën Gjonit në Lateran Bazilika e Shën Gjonit në Lateran

Shën Gjoni në Lateran, katedralja e Papës Françesku

Zbulojmë bazilikën madhështore të shën Gjonit në Lateran, seli papnore, nëna e të gjitha kishave të krishtera. Në të Dielën e parë të Kreshmëve, mesha stacionale u kremtua në orën 17.30

R.SH. - Vatikan

Mbishkrimi “Omnium Urbis et Orbis Ecclesiarum Mater et Caput” (nëna dhe kryesorja e të gjitha Kishave të Qytetit dhe të Botës) përmbledh me pak fjalë jo vetëm natyrën e jashtëzakonshme të kryebazilikës, por na nxit edhe të kuptojmë më mirë sa histori, sa emra, sa faza ndërtimi janë përqendruar të gjitha këtu, në një nga vendet më të shenjta të krishterimit. E kemi fjalën për Bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran, seli papnore historike.

Fillimisht ajo ishte stacioni i ditës së parë të Kreshmëve, “in capite jeiunii”, që fillonin ditën e diel. Një veçori e liturgjisë së këtij stacioni apo ndalese është se nuk përfshinte procesionin.

Mbishkrimi "Bazilika e Shën Gjonit në Lateran"
Mbishkrimi "Bazilika e Shën Gjonit në Lateran"

Në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran kremtohen pesë stacione, gjatë gjithë periudhës së Kreshmëve: E diela I e Kreshmëve; E Diela e Larit (fillimi i Javës së Madhe); E Enjtja e Madhe (fillimi i Triditëshes së Pashkëve); E Shtuna e Madhe (vigjilja e Pashkëve); E Shtuna në Albis (heqja e “veshjes së bardhë” në vigjiljen e madhe të ngjashme me atë të Pashkëve, gjatë tetëditëshes së Pashkëve). Bazilika ka një bukuri mahnitëse e në të spikatin Baptisteri, kuvendi e Shkalla Shenjte, të cilat bëjnë pjesë në këtë kompleks madhështor.

Lozha e Bekimeve
Lozha e Bekimeve

Lidhja e fuqishme ndërmjet Shën Gjonit në Lateran e Kostandinit

E ndërtuar mbi pronat e mëdha të Lateranëve, bazilika i kaloi perandorit romak Konstandin përmes gruas së tij të dytë, Fausta. Perandori ia dhuroi atë Milziade-s, ipeshkvit të Romës, në shenjë mirënjohjeje, menjëherë pas fitores mbi Masencin në Ponte Milvio, kur pati vizionin e Kryqit të Krishtit, si edhe pas dekretit të Milanos të vitit 313, që u siguronte të krishterëve lirinë e kultit. “Domus ecclesia” u bë kështu, seli papnore. Në vitin 324 iu kushtua Shëlbuesit Shenjt. Duhet të mbërrijmë në shekullin IX, për të gjetur edhe kushtimin për Shën Gjon Pagëzuesin e, në shekullin XII, kushtimin për Shën Gjonin Ungjilltar.

Seli e Ipeshkvit të Romës

 Nga shekulli IV deri në shekullin XIV, bazilika ishte selia e vetme e Papëve të Romës, me përjashtim të periudhës avinjoneze, 1309 - 1377. Kryebazilika papnore e madhe, katedralja kryepriftërore e Shëlbuesit Shenjt dhe e shenjtorëve Gjon Pagëzuesi e Ungjilltari në Lateran – ky, emërtimi i plotë - është sot katedralja e dioqezës së Romës, seli e ipeshkvit të Romës, Papës Françesku, kryesuar nga vikari i tij i përgjithshëm, kardinali Angelo de Donatis.

Absida, vepra e Jacopo Torriti-t
Absida, vepra e Jacopo Torriti-t

Fazat e ndërtimit

 Harta aktuale ndjek kufijtë e bazilikës së Konstandinit, e cila ndahet në pesë navata. Me kalimin e kohës, u zbukurua nga vepra arti me vlera të mëdha, edhe në sajë të donacioneve, që përmenden në burime të ndryshme si në “Liber Pontificalis”. Por pësoi edhe shkatërrime e plaçkitje. Në vitin 1300, me Papën Bonifaci VIII, u bënë disa punime me rastin e jubileut të parë në histori e ndoshta, edhe piktori i shquar italian Giotto pati bërë disa afreske, por në Jubileun e vitit 1650, Papa Inoçenci X dha urdhër për një riorganizim të përgjithshëm. Kësaj radhe, arkitekti përgjegjës ishte Borromini, i cili gjeti disa zgjidhje të guximshme dhe mahnitëse. Navata qendrore u la me përmasa gjigante, ndërsa në navatat e bardha anësore, artisti luajti me raportet ndërmjet linjave të perspektivës, boshllëqeve dhe mbushjeve, duke e lënë dritën e jashtme natyrore të depërtojë që të krijonte një shndritje të njëtrajtshme, me tone të ngrohta.

Navata qendrore
Navata qendrore

Papa Klementi XII shtoi fasadën e bardhë madhështore, kurorëzuar nga pesëmbëdhjetë shtatore të mëdha, projektuar nga Alessandro Galilei e përfunduar më 1734. Nga fundi i vitit 1702, në kamaret borrominiane të shtyllave në formën e tabernakullit, u vendosën shtatoret e dymbëdhjetë apostujve, frymëzuar kryesisht nga skicat e piktorit të shquar, Carlo Maratta.

Punimet e fundit të mëdha u bënë në kohën e Papës Piu IX, në shekullin XIX, kur u restaurua tabernakulli dhe altari kryesor, si edhe më vonë, në kohën e Papës Leoni XIII, i cili, ndërmjet viteve 1876 dhe 1886, e ngarkoi arkitektin Francesco Vespignani me detyrën e rindërtimit të absidës, të cilën e shtyu më mbrapa në krahasim me pozicionin e mëparshëm, pavarësisht se rezultati nuk qe nga më të pëlqyerit. Me atë rast, mozaiku i Jacopo Torriti-t, një kryevepër e shekullit XIII, u çmontua dhe u rimontua në vendin e ri.

Navata qendrore, cibori dhe mozaikët e absidës
Navata qendrore, cibori dhe mozaikët e absidës

Në shekullin XX, me Papën Piu XI, u restauruan dyshemetë kozmateske e, pas këtyre punimeve, përmes kërkimeve arkeologjike, u gjetën strukturat e kazermës së lashtë të “equites singulares” (trupa ushtarake të Perandorisë Romake).

Më 27 korrik 1993, edhe bazilika u dëmtua nga atentati mafioz në sheshin pranë saj, ashtu si në zona të tjera të Romës, si për shembull, në kishën e Shën Gjergjit në Velabro.

Papa Pali VI në bazilikë, viti 1978
Papa Pali VI në bazilikë, viti 1978
22 shkurt 2021, 12:58