Udha e Dhimbshme - Jeruzalem Udha e Dhimbshme - Jeruzalem

Për Kreshmë, në Udhën e Mundimeve, me françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte

Nga Toka e Shenjtë, rojtari, Atë Francesco Patton, na flet për projektin, që do t’u prijë virtualisht të gjithë besimtarëve të mbarë botës, drejt Jeruzalemit.

R. SH. - Vatikan

Në këto Kreshmë, të vrugnuara nga pandemia dhe nga pamundësia për të shtegtuar, Udha e Dhimbshme e mundimeve të Krishtit, apo Udha e Kryqit, do të përshkohet drejtpërdrejt nga besimtarët, duke hyrë në shtëpitë e tyre virtualisht, falë projektit “Hic-On the way of the cross”,  realizuar nga Rojtaria e Tokës Shenjte, për t’u krijuar besimtarëve të mbarë botës mundësinë ta ndjekin - shpjegojnë nga Jeruzalemi - hap pas hapi Jezusin në udhën e përshkuar dymijë vjet më parë, duke mbartur mbi supe kryqin nga vendi ku u rrah me kamxhik, deri te vendi i kryqëzimit.

Sytë e zemrat e besimtarëve, drejtuar nga Jeruzalemi

“Duke pasur parasysh se shtegtarët - shpjegon në Vatican News atë Francesco Patton, rojtar i Tokës Shenjte - nuk mund të vijnë fizikisht në Tokën e Krishtit, për ta përshkuar gjatë javës Udhën e Dhimbshme, që në kohë kreshmësh është devocion shumë, shumë i praktikuar nga qindra njerëz çdo të premte, menduam t’i ndihmojmë ne shtegtarët, duke e ditur se në botën mbarë një mori njerëzish i drejtojnë sytë e zemrën kah Jeruzalemi”. Është një udhë - shpjegon Rojtari - që bëhet duke rijetuar stacionet tradicionale të Udhës së Kryqit në Jeruzalem, me meditime që mund t’i ndihmojnë  “shtegtarët dhe besimtarët e përhapur në të katër anët e botës, të gjejnë kuptimin më të thellë të jetës së tyre,  të marrin një lajm shprese, në një kohë si kjo, që po jetojmë, kur të duket se shpresat vdesin për ditë”. Sepse kohë e vështirë, kohë vuajtjeje e, prej këndej, edhe leximi i vuajtjes në këndvështimin e Pashkëve, sepse ky është kuptimi i Udhës së Kryqit: të ngjallë shpresat! Ta ngjallë njeriun, pas vdekjes!

Për çdo stacion, meditimet do të jenë në gjuhë të ndryshme. E në çdo stacion do të ketë një video të shkurtër, me pamje nga Jeruzalemi, ku ndodhën ngjarjet e treguara nga Ungjijtë. Trembëdhjetë video, për trembëdhjetë stacionet, të lidhura pikërisht me vendet, në të cilat shkeli vetë Jezusi, në udhën e dhimbshme. Pastaj, falë angazhimit dhe bashkëpunimit me Christian Media Center, pamjet pasurohen me hollësira, që të ndihmojnë t’i njohësh vendet e edhe, mund të themi, t’i aktualizosh ato, që lidhen me misteret e Udhës së Kryqit. Meditimi do të ndihmohet nga rregulltarët e Rojtarisë, që do të shprehen në gjuhët amtare, nga shenjtëroret e ndryshme të Tokës Shenjte, duke i dhënë kësaj Udhe të jashtëzakonshme, ngjyrimin ndërkombëtar të françeskanëve.

Procesioni gjatë Udhës së Dhimbshme
Procesioni gjatë Udhës së Dhimbshme

E fortë lidhja me shtegtarët, në pritje të rikthimit

Atë Patton shpreson se Pashkët 2021 do të jetohen më qetësisht se vitin e kaluar. Toka Shenjte po del dalëngadalë nga Pandemia - kujton akoma.  Vaksinimet u kryen për pjesën më të madhe të popullsisë, po vendi mbetet i mbyllur e shtegtarët nuk duken akoma. Mungesa e tyre ndikon rëndë mbi ekonominë, posaçërisht në Betlehem e në Jeruzalem, ku dyqanet artizanale janë të mbyllura prej kohe. “Dëshirojmë t’i bëjmë shtegtarët pjesëmarrës edhe në kremtimet në shenjtëroret e veçanta, në mënyrë që ata, të cilët e kanë vizituar fizikisht Tokën Shenjte, të mund t’i rivizitojnë viset, ku  e ndjenë thellësisht fenë e tyre. Prandaj gjatë Javës së Madhe, do të transmetohen të gjitha çastet më të rëndësishme, duke përfshirë edhe Triditshin e Pashkëve në Varrin Shenjt, me kremtimet e Orës së Shenjtë të Gjetsemanit dhe zbritjen e Krishti në varr. “Gjatë gjithë vitit - përfundon atë Patton - do të ketë një sërë kremtimesh, për t’u krijuar besimtarëve të mbarë botës dhe shtegtarëve mundësinë të jenë në lidhje të vazhdueshme  me këtë tokë, me shpresë se së shpejti do të rikthehen!”.

19 shkurt 2021, 16:19