Trasfigurazione - Vangelo II Domenica di Quaresima ‘B' Trasfigurazione - Vangelo II Domenica di Quaresima ‘B'

Fjala e Zotit e dielës së 2-të të Krezhmëve ‘B’

Në këtë të Diele II të Kreshmëve, Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen në lumninë e Krishtit. Në udhën tonё kreshmore, Fjala e Zotit, pasi na fton ta ndjekim Krishtin mbi malin e lutjes, për të kundruar në fytyrën e Tij njerëzore, dritën e lumnueshme të Hyjit. Pjetri, Jaku e Gjoni, duke kundruar hyjninë e Zotërisë, përgatiten nga Jezusi për të përballuar pikёrisht shkandullin e Kryqit, në mënyrë që, duke parë Krishtin e kryqëzuar, të kuptojnë se mundimet e tij qenë pranuar vullnetarisht e t’ia kumtojnë botës.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët, meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore, të Dielës së Dytë të kohës së Krezhmëve, ciklit tё dytё, sipas kalendarit kishtar.

Në këtë të Diele II të Kreshmëve, Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen në lumninë e Krishtit.  Në udhën tonё kreshmore, liturgjia e Fjalёs sё Zotit, pasi na ftoi ta ndjekim Krishtin në shkretëtirë, për të përballuar e për të mundur, bashkë me Të, tundimet, kёtё tё diele na propozon të ngjitemi së bashku me Të, mbi malin e lutjes, për të kundruar në fytyrën e Tij njerëzore, dritën e lumnueshme të Hyjit. Për këtë dritë Jezusi u foli haptazi dishepujve të vet, por ata nuk e kuptuan. Nuk deshën ta pranonin këtë perspektivë, sepse nuk gjykonin sipas Zotit, por sipas njerëzve.

Po misteri i Shndërrimit, nuk duhet shkëputur nga rrethanat e udhës, që përshkon Jezusi, për ta përmbushur me fund misionin e Tij, duke e ditur mirë se për të arritur tek ngjallja, duhet të kalojë përmes mundimeve e vdekjes në kryq. Pjetri, Jaku e Gjoni, duke kundruar hyjninë e Zotërisë, përgatiten nga Jezusi për të përballuar pikёrisht shkandullin e Kryqit, në mënyrë që, duke parë Krishtin e kryqëzuar, të kuptojnë se mundimet e tij qenë pranuar vullnetarisht e t’ia kumtojnë botës.

Marku ungjilltar në tregimin e episodit të Shndërrimit të Jezusit para Pjetrit, Jakut e Gjonit, ndalet tek porosia hyjnore që morën nga Qielli: Dëgjojeni! Dëgjojeni Jezusin. Ai është Shëlbuesi: ndiqeni! E të dëgjosh Jezusin do të thotë të pranosh logjikën e misterit të Tij të Pashkëve, të vihesh për udhë me Të, që ta bësh jetën dhuratë dashurie për të tjerët, me bindje të plotë ndaj vullnetit të Hyjit Atë, me shkëputje nga sendet e botës dhe me liri të thellë shpirtërore.

Duhet, me fjalë të tjera, ‘të jemi gati për ta humbur jetën jonё’  (cfr Mk 8,35), duke e dhuruar, që të gjithë njerëzit të shëlbohen dhe të takohemi gjithë bashkë në lumturinë e amshuar. Edhe ne marrim pjesë në pamjen e kësaj dhurate të mbinatyrshme, duke i kushtuar kohë lutjes dhe dëgjimit të Fjalës së Zotit.

Udha e Jezusit, mos tё harrojmë, na çon gjithnjë në lumturi. Do të jetë ndërmjet kryqit, do të jenë provat, por në fund, gjithnjë, na pret lumturia. Jezusi na e premtoi lumturinë dhe do të na e japë, nëse do të ecim udhëve të Tij. Siç shkruante Papa Pali VI, posaçërisht në këtë kohë të Krezhmëve, jemi të thirrur ti përgjigjemi urdhrin hyjnor të pendesës, me ndonjë vepër vullnetare bamirësie, përtej sakrificave që na vijnë nga barra e jetës.

Kështu, leximet biblike të dielës së dytë të Kreshmëve flasin për fenë, përmes së cilës mund t’i shijojmë premtimet e Zotit, siç dëshmon shembulli i Abrahamit, për të cilin flet Leximi Parë nga Libri i Zanafillës ( 22,1-2.9. 10-13.15-18); për gëzimin e paqen e Krishtit të Gjallë, siç na pohon shembulli i përjetimit të tre apostujve bashkë me Jezusin, Mësuesin Hyjnor mbi malin tabor, për çka fletë pjesa e Ungjillit nga Marku (9,2-10). Hyji Atë edhe një herë na thërret ta dëgjojmë të Birin e Tij, Jezusin, ta ushqejmë fenë tonë me Fjalën e Tij Hyjnore, t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjtë Zot, në mënyrë që edhe ne të mund të shndërrohemi, duke u bërë shenja të besueshme të pranisë dhe të dashurisë së tij Hyjnore në histori. 

                                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 22, 1-2.9.10-13.15-18
Hyji i kërkon Abrahamit të ofrojë birin e tij. Kjo nuk është e çuditshme nëse mendojmë për sakrificat e fëmijëve që bëheshin në ato kohë. Por Hyji shpëton Izakun për t’i treguar popullit të tij që Ai dënon disa tradita. Megjithatë lejon që Abrahami të arrijë deri në pikën e sakrifikimit për të provuar besimin e tij. Besimi i Abrahamit, i gatshëm të dhurojë atë që ka më të dashur, arrin këtu pikën më të lartë. Këtë ofertë që Hyji nuk e ka dashur nga Abrahami, e ka kryer Ai vetë në vdekjen e Birit të tij. 

Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!” I tha: “Merre djalin tënd të dishirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër kodrat që do të ta tregoj.” 
Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. E shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet. Kur, qe, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham!” Ky iu përgjigj: “Urdhëro!” Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dishirit.” 
Abrahami i çoi sytë lartë dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: “Pasha mua - është fjala e Zotit – pasi e bëre këtë gjë dhe nuk të është dhembshur djali yt i dishirit, unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 116
Do të eci para Zotit në tokën e të gjallëve


Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:
“Jam i pafat për së tepërmi!”
E çmueshme është para Zotit 
vdekja e shenjtërve të tij.

O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mi:
Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, 
midis teje, o Jerusalem!

Leximi i dytë Rom 8, 31-34
Pali imagjinon se besimtarët paraqiten në gjykatën e Hyjit për tu gjykuar mbi tradhëtitë dhe pabesnikëritë e tyre. Por gjithashtu pohon se askush s’mund të na akuzojë, nga momenti që gjykatësi është nga ana jonë. Me kusht që edhe ne të jemi në anën e tij. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, çka të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti Jezus vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit: Ai ndërmjetëson për ne! Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Mk 9, 2-10
Jezusi i shndërruar është fytyra e vërtetë e Hyjit dhe e njerëzve. Po a është e mundur që Mesia të jetë ky njeri që vazhdimisht përndiqet dhe në fund kryqëzohet? Është ky aspekti më tronditës i Ungjillit. Siguritë tona të besimit mbështeten mbi përvojën e vetme të apostujve. Nuk do të ketë përveç Jezusit një Mesi tjetër të kryqëzuar që shpëton njerëzit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë, dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tija u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Atyre ju dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjoni!” Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri që Biri i njeriut të mos ngjallet prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri." Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Meditim. Lutu me Ungjillin e së dielës: 
Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,
në Malin e shndërrimit.
Atje ne pamë lumninë tënde,
dëgjuam zërin tënd.
Në atë majë na duk se feja
ishte e lehtë, e natyrshme,
pa ankthe e pa kryqe.
Ndihmona të zbresim nga mali,
e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin
udhë të tjera pa kërkuar,
udhë të shkurtra, pa mundim:
me bindjen se agu i Pashkëve,
kalon nëpër udhën 
e së Premtes së Madhe!

Homelia e Dielës II tё Krezhmëve 'B' nga dom Dritan Ndoci:

Homelia e Dielës II tё Krezhmëve 'B' nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA II E KREZHMEVE: KY ËSHTË BIRI IM – DJALI I DËSHIRIT! ATË DËGJONI!

(Zan 22, 1-2. 9. 10-13. 15-18; Ps 116 (115); Rom 8, 31-34; Mk 9, 2-10)

Pjesa ungjillore që sapo dëgjuam mbi Shndërrimin e Jezusit në Malin Tabor, na sjell një ngjarje shumë të rëndësishme në jetën e Jezusit.

Fakti se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme na tregohet edhe nga nderimi i madh që tradita e krishterë i ka rezervuar këtij episodi. Gjatë vitit, Kisha i rezervon një festë të posaçme pikërisht Shndërrimit të Jezusit, festë e cila bie më gjashtë gusht. Për asnjë ngjarje tjetër në jetën publike të Jezusit – qysh nga pagëzimi i Tij e deri tek hyrja e Tij në Jerusalem (festa e të Dielës së Larit) – liturgjia nuk e bën një gjë të tillë. Nga ana tjetër (veçanërisht në traditën e ikonografisë bizantine) gjejmë një nderim të veçantë ndaj imazheve që na e paraqesin këtë çast shndërrimi të Jezusit.

Po pse gjithë ky nderim?

Kjo kryesisht për dy arsye: Arsyeja e parë është se Shndërrimi i Jezusit dhe fenomenet që e shoqëruan atë, mbartin në vetvete një mori domethëniesh teologjike.

Jezusi shndërrohet duke dashur të zbulojë lavdinë e Natyrës së vet Hyjnore. Si të thuash se Jezusi, për një çast, e heq velin që e mbulonte Natyrën e Tij Hyjnore, duke dashur t’ua vërtetojë nxënësve të vet se Ai nuk është vetëm njeri i vërtetë, por edhe Hyj i vërtetë.

Pas pak kohësh do të vinin mundimet dhe vdekja e Tij, prandaj Jezusi duket sikur dëshiron t’i përgatisë nxënësit për një provë të tillë kaq të fortë.

Por jo vetëm kjo, por tradita e krishterë sheh në këtë Shndërrim të Jezusit edhe një paralajmërim të lavdisë së Jezusit të ngjallur së vdekuri. Qysh tani Jezusi shfaq – edhe pse për pak çaste – lavdinë që do të ketë edhe si njeri kur të ketë fituar mbi hekurat e vdekjes.

Jo më pak domethënëse janë fenomenet që e shoqëruan këtë shndërrim. Të dukurit e Elisë dhe Moisiut që bisedojnë me Jezusin, tregon se e gjitha tradita paraardhëse e hebraizmit – e cila bazohet mbi fjalën e profetëve (të simbolizuar këtu nga Elia) dhe mbi Ligjin (e dhënë nëpërmjet Moisiut) – përmbushet në personin e Jezusit. Kjo do të thotë se e gjithë kjo traditë nuk ishte qëllim në vetvete, por përgatitje e ardhjes së Jezusit. Jezusi është kuptimi i profecive dhe i Ligjit.

Reja që i mbulon të gjithë na kujton renë që në Besëlidhjen e Vjetër tregonte praninë e Hyjit. E nga kjo re, nga Hyji pra, dëgjohet një zë: «Ky është Biri im – djali i Dëshirit! Atë dëgjoni!» Është dëshmia e Atit për Birin e vet. E se po flitej pikërisht për Jezusin, na paraqitet në mënyrë sa solemne, aq edhe të këndshme: «Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.»

Për veshët e një hebreu është padyshim shumë e vështirë të pranohet se profecitë dhe Ligji paskan një rëndësi më të vogël se Jezusi, por e vërteta është pikërisht kështu. Jezusi është vetë Hyj. Është Ai që i ka dërguar profetët dhe që ka dhënë Ligjin. «Nuk panë askënd tjetër.»: pra as Elia e as Moisiu, por vetëm Jezusi është Ai për të cilin Ati po fliste.

Por arsyeja për të cilën tradita e krishterë e ka shumë për zemër Shndërrimin e Jezusit, nuk është vetëm kjo. Gjithnjë – e veçanërisht nga etërit e Kishës – kur është folur për lavdinë Hyjnore të Krishtit që na paraqitet në Shndërrimin e Tij, është folur edhe për shndërrimin që i krishteri duhet të bëjë në jetë. Nëpër disa ikona paraqitet se si rrezet e lavdisë që mbështjell Krishtin e shndërruar, arrijnë deri tek nxënësit, duke i prekur ata. Përballë Krishtit edhe ne jemi të ftuar të shndërrohemi.

Patjetër neve, në mendjen tonë, do të na vijë të kundërshtojmë: «Epo Jezusi kishte se çfarë të tregonte kur u shndërrua, sepse, përveç natyrës njerëzore, Ai kishte edhe natyrën Hyjnore. Po ne? Ne jemi vetëm njerëz.»

Është e vërtetë kjo, por ne besojmë se, si të krishterë, jemi të pajisur me Hirin Hyjnor, hir që na është dhënë qysh në pagëzim. Pikërisht në lavdinë që ka ky Hir i Hyjit që është në ne, jemi të thirrur që të shndërrohemi. Jemi të pagëzuar, jemi zhytur në jetën me Hyjin, prandaj jemi të ftuar ta lejojmë Hyjin të na shndërrojë.

Pagëzimi është si një farë që është hedhur në ne. Ajo medoemos është në gjendje të punojë brenda nesh. E, dihet, kur një fare i bëhet edhe shërbimi i duhur, ajo jo vetëm që shpërthen, por edhe jep fryte të shumta.

Le të marrim si shembull vetëm sakramenti e martesës. Ai nuk është para së gjithash një gjest që «lidh» dy njerëz. Mbase një kuptim vetëm si i tillë i këtij sakramenti është edhe arsyeja për të cilën bota moderne ka frikë të shkojë në kishë ditën e martesës. Por e vërteta është ndryshe: ky sakrament është kryesisht Hiri i Hyjit që vihet në secilin (si në burrin ashtu dhe në gruan) dhe që nuk resht kurrë së dhëni frytet e veta tipike, kur bashkëshortët përpiqen ta jetojnë jetën si të krishterë.

Në mënyrë të ngjashme e njëjta gjë vlen edhe për të gjitha sakramentet e tjera. Ata kanë aftësinë që, secilin që i merr, të «shndërrojnë» pak nga pak në lavdinë që mbartin në vetvete. Kur, në mes të situatave të ndryshme nga më delikatet, arrijmë të qëndrojmë e madje edhe të vazhdojmë përpara me zell në besimin tonë në Zotin, është falë mrekullive që realizon ky Hir Hyjnor në ne.

Por kjo nuk ndodh me një të shkelur të syrit: duhet lutja, frekuentimi i duhur i sakramenteve, leximi e meditimi i Fjalës së Hyjit, si edhe ballafaqimi i vazhdueshëm me hierarkinë kishtare. Duhet që në jetën tonë të ushtrojmë një shpirt dëgjese. Duhet që edhe në palat më intime të ndërgjegjes sonë t’i hapemi porosisë së Atit që na thotë: «Atë dëgjoni!»

Se çfarë do të thotë të jemi të dëgjueshëm ndaj zërit të Zotit, na tregohet sot në leximin e parë. Abrahamit, tashmë të moshuar, Hyji dëshiron t’i bëjë provën e fundit të dashurisë për Të. E, në fakt, për «provë» flet teksti i shenjtë: «Në ato ditë Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!”. I tha: “Merre djalin tënd të disHirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria e atje ma kushto fli shkrumbimi!»

Është një kërkesë shumë e rëndë për Abrahamin ajo që Hyji i kërkonte. E çuditshmja për veshët e Abrahamit nuk ka qenë vetëm fakti se Hyji po i kërkonte të vriste të birin. Kjo ishte kërkesë normale, sipas mendësisë së kohës, që perënditë mund të bënin. Por ajo që patjetër mund ta ketë tronditur edhe më fort, ishte fakti se Hyji po i kërkonte pikërisht atë, djalin e Premtimit. Nëse Hyji i kishte premtuar se prej këtij fëmije do të vinte një pasardhësí «sa yjet e qiellit», ku shkoi tani mbajtja e këtij premtimi? Apo ndoshta Hyji të cilit Abrahami i kishte besuar, nuk ishte fort ndryshe nga perënditë e pabesa të besimeve të tjera?

Nëse Abrahamit i pëlciste zemra si prind, jo më pak i pëlciste zemra nga errësira shpirtërore që e rrethonte.

Por teksti i shenjtë sot vazhdon me një solemnitet të rrallë: sapo përfundon së treguari kërkesën e Hyjit, thotë: «Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar....» Jo pa dashje autori i shenjtë nuk e përshkruan aspak reagimin e Abrahamit: dëshiron të thotë se Abrahami iu bind Zotit pa komente, pa ankesa. Meqë Zoti ia kishte kërkuar, Ai vetë do të mendonte si ta realizonte premtimin e Tij.

Zoti, pastaj, ia ndaloi vrasjen e të birit, sepse donte vetëm të shihte dashurinë e tij. Dashurinë dhe bindjen e menjëhershme.

Kështu do të duhej të ishim edhe ne: t’i bindemi Hyjit menjëherë, pa komente. Prandaj Abrahami njihet edhe si ati ynë në fe, duke qenë se kishte një bindje të tillë ndaj Hyjit, bindje e cila arrin të kapërcejë pikëpamjet vetjake, për t’iu hapur pikëpamjeve të mistershme të Zotit.

E, pastaj, i takoi Hyjit t’ia shprehte dashurinë e pamasë që kishte për Abrahamin e për mbarë njerëzimin. Thotë teksti: «Abrahami i çoi sytë lart dhe pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit.» Patjetër se, në çast, Abrahami nuk e ka kuptuar se kjo gjë nuk ishte thjesht rastësi. Abrahami nuk e ka kuptuar se, në atë mënyrë, Hyji po i tregonte se, më vonë, Ai vetë do ta gjente flinë e shkrumbimit: Ai dash simbolizonte Birin e Amshuar të Atit që do të Mishërohej dhe do të pësonte për ne, duke u bërë «qengji i Hyjit që i shlyen mëkatet e botës».

Thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Vëllezër, nëse Hyi na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohej për të gjithë ne e si atëherë nuk do të na japë çdo gjë?»

Atëherë le t’ia dëgjojmë edhe ne fjalën Jezusit, Birit të Atit që është flijuar për mëkatet tona. Fjala e Tij do ta shndërrojë edhe jetën tonë.

Dom Dritan Ndoci

 

27 shkurt 2021, 10:01