Atë Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece Atë Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece

Comece, të nisemi nga tregimet e atyre, që vijnë në Evropë, për të kuptuar si t’i presim

Një uebinar për të dëgjuar historinë e migrantëve, që vijnë në Evropë e për të kuptuar më mirë qëndrimin e mikpritësve. Ky ishte debati i djeshëm i propozuar nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian. Me ne, atë Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece-s

R.SH. - Vatikan

Migrantët përjetojnë ndarje nga vendi i tyre i origjinës, çrrënjosje kulturore e madje, edhe fetare. Ata që emigrojnë janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për të qenë viktima të diskriminimit e të intolerancës, por edhe të trajtimit çnjerëzor e degradues. Nga ana tjetër, në procesin e integrimit në shoqëritë pritëse, mund të gjenden shembuj qëndrueshmërie, të cilat dëshmojnë kapërcimin e problemeve të përditshme me vendosmëri e guxim.

Në uebinarin e djeshëm (17 shkurt) me titull “Dinjiteti njerëzor dhe reagimi: migrantët dhe bashkësitë pritëse”, promovuar nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece), në bashkëpunim me Bashkësinë e Shën Egjidit, u fol për rëndësinë e këtyre historive, në mënyrë që të përvijohet një politikë më e mirë mikpritjeje. Ndër relatorët, sekretari i përgjithshëm i Comece-s, atë Manuel Barrios Prieto, nënvizon, në mikrofonin e Vatican News, se gjatë seminarit në internet “u dëgjua zëri i migrantëve, i azilkërkuesve dhe i bashkësive, që i kanë pritur e strehuar, për të kuptuar problemet me të cilat janë hasur e si i kanë kapërcyer”. Në gjendjen aktuale, Evropa po bëhet gjithnjë e më tepër një rreth i mbyllur, ku emigrantët shihen nganjëherë si rrezik, duke shkaktuar probleme në mikpritjen e tyre. Të dëgjojmë mendimin e atë Prietos:

Si Kishë po mundohemi ta ndryshojmë narrativën. Këta njerëz që mbërrijnë, nëse priten dhe integrohen si duhet, janë pasuri për vendet tona, jo barrë. Unë besoj se e kemi për detyrë ta ndryshojmë narrativën e krijuar deri tani, sipas së cilës migrantët zënë vendet e punës, krijojnë vështirësi, rrisin krimin, duhet të përpiqemi ta ndryshojmë këtë mendësi.

Natyrisht, Evropa ka problemet e saj, që janë theksuar, për shkak të koronavirusit. Papa pohon se nuk është vetëm çështje mikpritjeje, por duhet edhe të dimë si t’i integrojmë këta njerëz në shoqëritë tona, prandaj, nuk duhet të jemi naivë, ose të cekët, pasi janë probleme të ndërlikuara dhe ne, si Kishë, u kërkojmë institucioneve të luajnë rolin që u takon. E kemi studiuar propozimin evropian për një Pakt të ri mbi migracionin dhe strehimin politik e kemi vënë re gjëra pozitive, por kemi edhe dyshime. Besoj se kjo është detyra jonë, të përpiqemi që politikat evropiane të jenë më solidare, ta ngremë zërin edhe në favor të këtyre njerëzve më të brishtë, më në rrezik, që duan të vijnë në Evropë për një të ardhme më të mirë, duke ikur nga gjendje vërtet të vështira.

Të dielën e kaluar, Papa falenderoi Kolumbinë, që zbaton Statutin për mbrojtjen e përkohshme të emigrantëve venezuelanë në vend. Nënvizoi se Kolumbia nuk është e pasur e ka shumë probleme. Sipas jush, mesazhi i drejtohej me nënkuptim Evropës e botës së pasur?

 Nëse i drejtohej apo jo nuk e di, por sigurisht si Evropë, duhet ta dëgjojmë. Na thotë se solidariteti dhe mikpritja nuk ushtrohen vetëm nga vendet e begata, që i kanë gjërat me tepri, por edhe kur jemi në vështirësi, edhe kur kemi problemet tona. Papa i thotë Evropës se solidariteti, mikpritja, respekti për dinjitetin njerëzor dhe ndihma duhet të jepen edhe kur jemi në vështirësi, pavarësisht nga pandemia e Covid-19, edhe kur nuk është e lehtë të jemi solidarë.

Në këtë periudhë, Evropa po përjeton krizën e migrantëve në Ballkan. Ç’mendoni ju për të?

Rruga e Ballkanit është një nga udhët e hyrjes së njerëzve në Evropë, sidomos për ata, që vijnë nga Afganistani, nga Pakistani, madje edhe nga Bangladeshi e nga Afrika. Shumë migrantë mbeten të bllokuar në Bosnjë, në kufi me Kroacinë, ku muajt e fundit po përjetojnë dramën e hidhur të të ftohtit, jemi në dimër. Në këtë situatë vërtet tragjike, Evropa është e thirrur të bëjë më shumë.

Nga 1 janari, presidenca semestrale e Këshillit të Evropës i ka kaluar Portugalisë. Comece i ka dorëzuar ambasadorit një dokument me idetë e ipeshkvijve evropianë për migracionin. Cili është kontributi i Kishave të kontinentit?

Ne, si Kishë Katolike e Bashkimit Evropian, së bashku me Kek (Konferenca e Kishave Evropiane), që përfaqëson Kishat e tjera të krishtera, përpiqemi të takohemi si me ambasadorin, që e përfaqëson vendin këtu në Bruksel, ashtu edhe me vetë qeverinë, në fillim të presidencës, për të dhënë kontributin tonë. Kur u takuam me ambasadorin, i dhamë një dokument të hartuar së bashku me Kek për tema të ndryshme, sepse presidenca portugeze duhet të trajtojë mbi të gjitha problemin serioz të rimëkëmbjes nga pandemia, me pasojat që pa dyshim do t’i kemi.

Një temë tjetër është konferenca për të ardhmen e Evropës, që duhet të fillojë në këtë semestër dhe, sigurisht, edhe migracioni, me Paktin e ri të propozuar nga Komisioni. Ne, si Kisha, mendojmë se duhet kapërcyer Konventa e Dublinit e se disa çështje që nuk na bindin, në Paktin e ri propozuar nga Komisioni, duhet të rishikohen, veçanërisht për sa i përket pritjes së parë apo shqyrtimit të parë, gjatë të cilit vendoset nëse personi është migrant, refugjat, ose azilkërkues për arsye të tjera. Ka disa aspekte në këtë propozim që, për mendimin tonë, duhen studiuar më mirë, prandaj kemi dhënë kontributin tonë për këtë çështje, që është thelbësore për ne, Kishat e Evropës.

18 shkurt 2021, 17:07