Comece, Parlamentit Evropian: rezoluta mbi abortin në Poloni, kundër shtetit të së drejtës

Mbrojtja e jetës, por edhe respektimi i të drejtave të shteteve anëtare dhe e kompetencave të Bashkimit Evropian. Këto, pikat kryesore të letrës së shkruar nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) për Parlamentin e BE-së, i cili nuk është dakord me ligjin e Polonisë kundër abortit

R.SH. - Vatikan

Në një letër dërguar kreut të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) shpreh shqetësim për disa tema të Rezolutës së 26 nëntorit, miratuar nga vetë Parlamenti mbi të drejtën për të abortuar në Poloni, sepse ato minojnë shtetin e së drejtës dhe sfidojnë të drejtën themelore të kundërshtimit, për shkak të ndërgjegjes.

Motivacionet e Parlamentit Evropian

Një vendim i marrë më 22 tetor nga Gjykata Kushtetuese Polake e deklaron antikushtetues çdo lloj aborti, pasi nuk përputhet me nenet e Ligjit Themelor për mbrojtjen e jetës së fëmijës së palindur. Bëjnë përjashtim ato ndërprerje të shtatzënisë, që kërkohen nga gratë viktima të inçestit ose të përdhunimit, si edhe rastet kur vihet në rrezik jeta e nënës. Aborti është i paligjshëm edhe kur fetusi ka keqformime serioze dhe vdekjeprurëse, ose probleme shëndetësore të tilla, që çojnë pashmangshmërisht drejt vdekjes së fëmijës, pas lindjes. Parlamenti i BE-së u shpreh kundër ligjit të Varshavës, sepse, duke parandaluar ndërprerjen e shtatzanisë edhe në rastet e keqformimeve serioze dhe të pakthyeshme të fetusit, kontribuohet në shtimin e aborteve të paligjshme, më të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e grave.

Çështja e abortit është kompetencë e shteteve anëtare

          “Kisha Katolike, e cila përpiqet t’i mbështesë gratë gjatë shtatzanive të vështira ose të padëshiruara, bën thirrje për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj çdo jete të palindur - shkruan Comece. - Çdo njeri është i thirrur në jetë nga Zoti dhe ka nevojë për mbrojtje, veçanërisht kur është më i brishtë. Mbrojtja dhe kujdesi i veçantë për fëmijën, para dhe pas lindjes - vazhdon letra - shprehet edhe përmes standardeve ligjore ndërkombëtare, për shembull, në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve”. Për Konferencat Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian “në periudha të trazuara të jetës, si në rastin e shtatzanive të padëshiruara, ose të vështira, grave” duhet t’u jepet e gjithë mbështetja e nevojshme, por, vërejnë ipeshkvijtë, “nga pikëpamja juridike .. as legjislacioni i Bashkimit Evropian, as Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk parashikojnë të drejtën e abortit. Çështja është në kompetencën e sistemeve juridike të shteteve anëtare”.

Shqetësimet e ipeshkvijve

          Ipeshkvijtë e Evropës kujtojnë më pas, njërin nga parimet themelore të Bashkimit Evropian, atë të “atribuimit, sipas të cilit Brukseli vepron ekskluzivisht brenda kufijve të kompetencave, që i janë dhënë nga shtetet anëtare në traktate”. Respektimi i këtij parimi është kërkesë e shtetit të së drejtës, një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Shteti i së drejtës, nga ana tjetër, “kërkon edhe respektimin e kompetencave të shteteve anëtare dhe të vendimeve të tyre” në këtë kuadër. Prandaj, për Comece-n, rezoluta e Parlamentit Evropian është veçanërisht shqetësuese, pasi cënon të drejtën themelore të kundërshtimit, për shkak të ndërgjegjes, e cila rrjedh nga liria e ndërgjegjes, duke i kthyer njerëzit, që e ushtrojnë këtë të drejtë në sektorin e shëndetësisë në subjekt diskriminimi. “Është e nevojshme të shihen të drejtat themelore - si liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë - në dritën e universalitetit të tyre, të paprekshmërisë, patjetërsueshmërisë, pandashmërisë dhe ndërvarësisë së tyre”, deklaron Komiteti i përhershëm i Comece-s. Për sa i përket të drejtës së kundërshtimit, për shkak të ndërgjegjes, kreu i organizmit, kardinali Jean-Claude Hollerich, zv.kryetari i parë, imzot Mariano Crociata, dhe zv.kryetarët, imzot Franz Josef Overbeck, imzot Noel Treanor dhe imzot Jan Vokal, vënë në dukje se “Karta e Bashkimit Evropian përmban nevojën e respektimit të traditave kushtetuese kombëtare dhe të zhvillimeve të legjislacionit kombëtar mbi këtë temë”.

Parimi i mos-diskriminimit

          Comece vëren se “rezoluta e Parlamentit Evropian i referohet, në disa pjesë, së drejtës për trajtim të barabartë dhe për mos-diskriminim” dhe e konsideron shqetësues faktin “që parimi i mos-diskriminimit përdoret për të zgjeruar, ose mjegulluar kufizimet e kompetencave të Bashkimi Europian”. Konferencat Ipeshkvnore nënvizojnë më tej, se Karta e Bashkimit Evropian “nuk e zgjeron fushën e zbatimit të ligjit evropian përtej kompetencave të Bashkimit, as nuk parashikon kompetenca, ose detyra të reja për të”.

Të papranueshme, sulmet kundër Kishave dhe vendeve të kultit

Comece vëren “me hidhërim se në tekst nuk është shprehur asnjë dënim, ose solidaritet lidhur me sulmet e papranueshme kundër Kishave dhe vendeve të kultit në Poloni, në kuadrin e protestave për këtë ligj”. Së fundi, ipeshkvijtë pohojnë se janë në dispozicion të Parlamentit Evropian “për çdo sqarim të nevojshëm mbi këtë çështje”, me vetëdijen “se rezoluta do të ketë një ndikim shumë negativ në perceptimin e Bashkimit Evropian nga shtetet anëtare”.

25 shkurt 2021, 13:46