Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa, flet Jezu Krishti
R.SH. - Vatikan
Në fillim të librit, na përplasen në fytyrë me një forcë të padëgjuar katër kapitujt e parë, në të cilët flet Jezu Krishti. Janë prologu i librit, janë fillimi e kushtëzimi i gjithçkaje që vjen më pas; është fjala absolutisht për dëshminë më të bukur të fesë, të dashurisë dhe të lëshimit në duart e Krishtit, në gjithë Besëlidhjen e Re.
Ja çfarë thotë për vetveten Jezusi në dukjen e tij të parë e në shtatë letrat, që u dërgon Kishave të Azisë së Vogël. Duke i bashkuar këto pjesë të vetëzbulimit të Krishtit, përftojmë një lloj “Prologu të Apokalipsit”:
“Jezu Krishti, Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës!” (Zb 1,5).
“Alfa dhe Omega, Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithpushtetshmi!” (Zb 1,8).
“Unë jam i Pari dhe i Sprapsmi, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!” (Zb 1,17-18).
Unë jam “Ai që mban në të djathtën e vet shtatë yjet, Ai që ecën midis shtatë shandanave të artë” (Zb 2,1).
“I Pari dhe i Mbrami, Ai që pat vdekur, por u ngjall” (Zb 2,8).
“Ai që ka shpatën dy tehesh, të mprehtë” (Zb 2,12).
“Ai që ka sytë si flaka e zjarrit edhe këmbët në përngjasim të bronzit të lëmuar” (Zb 2,18).
“Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet… Shenjti, i Vërteti. Ai që ka çelësin e Davidit, Ai që çel dhe askush nuk mëshel, Ai që mëshel dhe askush s’mund të çelë… Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Parimi i krijesës së Hyjit” (Zb 3,1.7.14).
Ky është sekreti, i vetmi sekret i madh i këtij libri: dëshmia e fesë së(në) Jezu Krishtit! E çfarë sjell ky takim me Krishtin?
“Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: ‘Mos u tremb!’” (Zb 1,17)
Është mirë të mos harrojmë se takimi me Dëshmitarin besnik është përvojë e jashtëzakonshme, gati vdekatare. Shën Marku ungjilltar, për shembull, e tregon kështu një ekzorcizëm dramatik të Jezusit:
“Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: ‘Ç’u bë kështu!?’” (Mk 1,26).
Kjo përvojë e Zotit tmerron! E përshkon tejendanë dhe ia ngjeth mishin edhe autorit të Zbulesës, i cili ndihet si të ishte në mesin e stuhisë së këtij të Gjithpushtetshmi e dëgjon plot frikë shtatë letrat, duke perceptuar terrorin dhe gjykimin, që zbulohet në to. “Kush ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti Kishave!”