San Gabriele dell'Addolorata, religioso San Gabriele dell'Addolorata, religioso 

Më 27 shkurt kalendari kujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme

U quajt Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, sepse pati vegime të vazhdueshme mistike, në të cilat i dukej pikërisht Zoja e Dhimbshme. Figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar më 27 shkurt përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar. Shenjti pajtor qiellor i krahinës Italiane të Abrucit, Francesco Possenti, lindi në Asizi më 1 mars 183. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma. Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme. Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët.

Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale ( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. U quajt Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, sepse pati vegime të vazhdueshme mistike, në të cilat i dukej pikërisht Zoja e Dhimbshme.  U bë, kështu, Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, që zu, në zemrën e tij, vendin e nënës, humbur në moshë të mitur. E Zoja i priu drejt shenjtërisë.

Vdiq në vitin 1862, 24 vjeç, në Izola del Gran Saso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël të jetës rregulltare, pra pa u bërë rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar.  Në Gran Saso nderohet shumë, në shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur shenjt në vitin 1920.  Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtënueshmes Zojë të Dhimbshme. 

Për ditët tona figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin.

27 shkurt 2021, 10:34