23vangeloAEM.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës IV të vitit kishtar

Ungjilli i sotëm, marrë nga kreu i parë i Shën Markut, në të dielën IV të vitit liturgjik B, flet për njeriun, që kishte djallin në trup. Jezusi e fillon shërbimin e tij, duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Zotit e në emrin e Atit Qiellor, shpëton njerëzit e pushtuar nga shpirtrat e ndytë. Por le të ndjekim pjesën ungjillore...

R.SH. - Vatikan

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët. 23 Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti: 24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!” 25 Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!” 26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’u bë kështu!? Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!” 28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

Të lutemi së bashku:

Shihet ndryshimi

e nuk është i paktë.

Një koment me peshë, fryt i studimit,

është krejt tjetër nga një fjalë

që lind prej një përvoje unike,

një fjalë, që nuk kufizohet të tregojë udhën,

por e ndryshon krejtësisht

jetën e njerëzve.

Një shpjegim i qartë

është krejt tjetër nga një ndërhyrje,

që shndërron thellësisht, me forcën e dashurisë.

 

Njerëzit e kuptuan menjëherë, o Jezus,

e vunë në dukje

atë autoritet, që vetëm ti e ke,

sepse vepron në emër të Zotit,

të një Hyji, që dëshiron t’u sjellë gëzim të varfërve,

që përpiqet të shpëtojë mëkatarët

të çlirojë nga çdo e keqe dhe nga çdo terr

që e prangos dhe e plagos shpirtin.

 

Kështu, para teje,

para fjalëve dhe gjesteve të tua,

lind habia dhe frika

e kështu ndodh edhe sot

kur e prekim me dorë

sa i frytshëm është Ungjilli:

vazhdojmë të mrekullohemi me mirësinë tënde

e, njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm

se gjendemi para diçkaje vërtet të madhe,

për t’u pritur me gëzim e padurim

si hir, që nuk duhet të kalojë pa u kuptuar.

30 janar 2021, 08:46