Torovice-Françeskanet e Shën Filipës Torovice-Françeskanet e Shën Filipës  

Shqipëri: pulmini i Motër Asuntës dhe të vegjlit e Torovicës

Ndërmjet projekteve të solidaritetit për fëmijët e botës, të ndihmuar nga ofertat e Ditës Misionare të fëmijëve, që sapo u kremtua në Itali, është edhe rindërtimi i azilit ngritur 25 vjet më parë në një zonë tepër të varfër të Shqipërisë, nga Françekanet e Shën Filippa Marerit. Eproja, Assunta D’Olimpio, pohon: “Qendra jonë misionare tashmë është pikë referimi për të gjithë”.

R. SH. - Vatikan

Torovicë. Emër që u kujton shqiptarëve një zonë kënetore, krejt të përmbytur në stinën e shirave e edhe burgun e madh, që ngrihej në mes të gjithë asaj balte. E pikërisht ky vend tani kujtohet për një arritje model në shërbim të një zone, që mbetet tejet e varfër e nevojtare për ndihmë.  Ndihmë, që i vjen nga misionaret françeskane. Eprorja, motër Assunta D’Olimpio, pohon: “Qendra jonë misionare tanimë është pikë mbështetjeje  për të gjithë”.

Një pulmin i bardhë, simbol shprese

Çdo mëngjes, para orës 8.00, nga e hëna tek e premtja, në rrugën kryesore automobilistike, pothuajse të pakalueshme një vit më parë, duket një pulmin i bardhë. Është i misionit françeskan të Shën Filippa Marerit. Shkon drejt shtëpive në rrethinat e Torovicës, fshat me 4200 shpirtra, ndërmjet Lezhës e Shkodrës. Shtëpi më shtëpi, ku ka fëmijë. Shoferja e pulminit, motër Assunta, pasi  troket në portat ku ka fëmijë ndërmjet 3 e 6 vjeç, që prindërit, të zënë me punë, nuk mund t’i çojnë në azil, hyn brenda,   ua mat temperaturën e i merr sakaq me vete, në rrugën e kthimit, drejt azilit “Gëzimi i jetës”. Azil, që e mbajnë vetë Motra Asuntë, 76 vjeçe, me origjinë nga Rieti (ku, në kuvendin e Borgo San Pietro është shtëpia kryesore e Institutit)  së bashku me simotrat shqiptare, Vera e Liza.

Në shtëpinë misionare edukohen tridhjetë e dy shqiptarë të vegjël

Tridhjetë e dy fëmijë të Torovicës kalojnë orë gazmore në sallonin e shtëpisë misionare të murgeshave, në pritje të përfundimit të azilit, në rindërtim e sipër, pas shembjes së të vjetrit. Motrat shpresojnë se, me ndihmën e bamirësve, do ta përfundojnë brenda verës 2021. Edhe pse vendi i tanishëm është i ngushtë e nuk mund ta sigurojë plotësisht distancimin e fëmijëve kaq të vegjël. Ata nuk rrinë një minut pa lëvizur - kujton motër Asunta, eprore e bashkësisë së Shqipërisë, e pranishme edhe me një mision tjetër me dy motra, në Kamëz, në rrethinat e Tiranës – e duhet t’u lajmë shumë shpesh duart, ndërsa i porosisim nënat të mos i sjellin në azil, kur kanë raste të covid-19 në familje.

Më në fund, murgeshat u rikthyen në këto troje

Shqiparët gati-gati e kishin harruar shërbimin e murgeshave në spitale e ndër shkolla. Ndoshta edhe pse ishte e ndaluar të flisje qoftë edhe një fjalë të mirë për ato motra, që i patën dhuruar jetën popullit të varfër, në emër të Zotit. Po nën regjimin diktatorial edhe Zoti vetë ishte i ndaluar - në se mund ta ndalojë njeriu atë, që ka në dorë fatet e rruzullimit! E edhe fatet e Torovicës, ku motrat arritën që më 1995. I pati ftuar një ipeshkëv i sapo dalë nga burgu. E kur arritën, pati brohoritur me gjithë zemër: “Më në fund murgeshat u rikthyen në këto troje!”. Brohoriti kështu, nga që e njihte mirë dobinë që mund të kishte populli prej këtyre grave, të cilat ia kushtojnë gjithë jetën Zotit e njeriut, sidomos, atij që vuan. E torovicasit ishin, e edhe janë, ndër më të vuajturit!

Na ndihmon lutja dhe ndihma e vëllezërve

Na ndihmon lutja e ndihma e vëllezërve - kujton motër Assunta D’Olimpio - që  na flet për këtë bashkësi të vogël, por  tejet të nevojshme misionare:

“Veprimtaritë e misionit tonë u përcaktuan, pasi studiuam mjedisin, e në këto çaste janë: kopshti, katekizmi për mosha të ndryshme, animacioni liturgjik në katër fshatra, qendra e dëgjimit, mjekimi, kurset e formimit njerëzor e kristian për familjet e reja, kujdesi për fëmijët me vështirësi të posaçme pas përfundimit të mësimeve e, posaçërisht, vëmendja për më të varfërit, të cilët shkojmë e i takojmë shpesh në shtëpi, nëse nuk vijnë ata vetë tek ne. E zgjodhëm këtë vend, sepse nuk kishte prani femërore dhe e kuptuam shumë shpejt se ishte zonë tepër e varfër e se kishte nevojë për ndihmë sa njerëzore, aq edhe shpirtërore. Që në takimin e parë që patëm me krerët e fshatit, me kryebashkiakun e me njerëz të tjerë, ipeshkvi i moshuar tha një fjalë, që më pëlqeu shumë: “Të falënderoj, o Zot, që u ktheve përsëri në këtë vend!”. Këtu ishte burgu i madh i regjimit, me nam shumë të keq. Po ne menduam se Jezusi shkon t’i takojë të varfërit edhe kur janë ndër pranga. Ipeshkvi Frano Illia, që e kishte provuar për shumë kohë burgun e regjimit e kishte vuajtur shumë, përsëriste vazhdimisht: “Shyqyr që u kthyen përsëri murgeshat në këto troje”.

Këtu ndjehet shumë varfëria, sepse vend i izoluar për shumë vjet, ndërmjet maleve, me njerëz pa punë e me probleme edhe ndër ara, ndonëse toka kënetore tani është tharë. E pikërisht në mes këtyre tokave, u ngrit azili ynë me emrin aq premtues: “Gëzimi i jetës”.

 

16 janar 2021, 14:52