Papa Françesku për vizitë në Këshillin Botëror të Kishave Papa Françesku për vizitë në Këshillin Botëror të Kishave

“Shoshitja morale”: Kishat përballë çështjeve etike dhe faqeve më të errta të historisë botërore

Paraqiten në Gjenevë dy vëllime mbi “Shoshitjen Morale”, realizuar nga “Komisioni Feja dhe Kushtetuta” i Këshillit Botëror të Kishave (WCC). Janë fryt i një pune të gjatë, kryer nga ekspertë, teologë dhe historianë të 14 traditave të ndryshme të krishtera mbi tematika si aparteidi, nazizmi, diktatura ushtarake e Amerikës së Jugut, kolonializmi.

R.SH. - Vatikan

Një punë kërkimore shumëpalëshe dhe ekumenike mbi çështje etike si kamata, skllavërimi, liria e fesë, marrëdhëniet shtet-Kishë dhe përfshirja e besimeve fetare në luftëra. Por edhe thellim në marrëdhëniet e Kishave me disa nga faqet më të errëta në historinë botërore: aparteidi, nazizmi, diktatura ushtarake e Amerikës së Jugut, kolonializmi. E gjithë kjo pasqyrohet në dy vëllimet mbi “Shoshitjen Morale”,  paraqitur në Gjenevë nga “Komisioni Feja dhe Kushtetuta” i Këshillit Botëror të Kishave (Ëcc). Janë fryt i një pune të gjatë, kryer nga ekspertë, teologë dhe historianë të 14 traditave të ndryshme të krishtera. Tematikat janë të tilla, që ndezin shpesh debate ndërmjet të krishterëve, duke u bërë shkas për përçarje. Prandaj, thirrjes së Këshillit, ku bëjnë pjesë gjithë traditat e krishtera të botës, në një dialog të përhershëm ekumenik, iu përgjigjën menjëherë katolikët, ortodoksët, anglikanët, vetero-katolikët, protestantët dhe pentekostalët.

Dy vëllimet

 Në vëllimin e parë, me titull “Kishat dhe shoshitja morale: të mësojmë nga tradita”, studiuesit përshkruajnë si është përfshirë Kisha e tyre në proceset e shoshitjes morale, kush merr pjesë në to, cilat burime përdorin dhe si ndërveprojnë këto burime me njëri-tjetrin. Në vëllimin e dytë, me nëntitull “Të mësojmë nga historia”, shqyrtohen tema të ndryshme, duke vënë në pah si dhe pse Kishat e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre në histori. Përshkruhen 19 raste, ku ka qenë e domosdoshme “shoshitja morale” e analizohen disa nga periudhat më të errëta në historinë botërore. Për shembull, gjejmë procesin e gjatë brenda Kishës Metodiste Afrikane për të de-legjitimuar skllavërinë në kohën e kolonializmit britanik. Në pjesën e librit mbi marrëdhëniet  Kishë- shtet, roli që kanë luajtur Kishat në tri situata të veçanta krize: aparteidi në Afrikën e Jugut, diktatura ushtarake në Brazil dhe nazizmi në Gjermani. E më pas, përgjigjja e Kishave ndaj luftës, martesës, lirisë së fesë e të ndërgjegjes e deri ndaj çështjeve tejet delikate, si vetëvrasja.

Kishat, në ndryshim të vazhdueshëm

Studimi nxjerr në pah se Kishat kanë bërë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për t’i kuptuar më mirë fenomenet historike dhe e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj tyre mbi bazën e informacioneve të reja, më aktuale. Kishat e kanë kuptuar që në të kaluarën,  kanë qenë nganjëherë “bashkëpunëtore me sistemet e pushtetit dhe të hegjemonisë”, duke kontribuar në “dështimin moral” të shoqërive; ato kanë mësuar të marrin parasysh me kohë, edhe “informacionin e ri, që sigurojnë shkencat humane” dhe efektet, që mund të kenë mbi njerëzit disa nga mësimet e tyre. Kështu, dy vëllimet e tanishme ftojnë për ta dëgjuar tjetrin e për të mësuar me kujdes edhe nga leksionet, që mund të na japë historia. Sidomos, kur përgjigjet, që u duhen dhënë pyetjeve të botës së sotme, janë tejet të vështira, Kishat e krishtera mund të gjejnë mbështetje tek njëra-tjetra, duke shfrytëzuar urtinë e dijen e atyre, që mund ta kenë gjetur zgjidhjen e problemit, që i mundon të tjerat.

22 janar 2021, 16:13