Mbërritën nga Lindja. Mbretërit Dijetarë në art

Ardhja e Mbretërve Dijetarë, treguar nga shën Mateu ungjilltar, është burim frymëzimi për kryevepra të panumërta, që nga zanafilla e krishterimit. Në fakt, Dëftimi i Zotit është një ndër temat më të përfaqësuara në art, ndërmjet subjekteve të lidhura me Lindjen e Krishtit

R.SH. - Vatikan

Vetëm pak rreshta, që kanë frymëzuar qindra kryevepra gjatë shekujve. Janë dymbëdhjetë versetet e para të kapitullit të dytë të Ungjillit sipas Mateut, i vetmi ndër ungjijtë sinoptikë, që kujton ngjarjen e Mbretërve Dijetarë, të cilët erdhën nga Lindja për të adhuruar Foshnjën Hyjnore.

Adhurimi i Mbretërve Dijetarë në sarkofagun e një fëmije, që ruhet në Muzeun Pio Cristiano në Muzetë e Vatikanit © Musei Vaticani
Adhurimi i Mbretërve Dijetarë në sarkofagun e një fëmije, që ruhet në Muzeun Pio Cristiano në Muzetë e Vatikanit © Musei Vaticani

Nga katakombet në sarkofagët

Tema fillon të duket që në shekujt e hershëm të krishtërimit: në veçanti, një afresk në katakombet e Prishilës, që daton në shekullin III, tregon takimin e tri Dijetarëve me Familjen Shenjte, duke pasqyruar me figura historinë e Ungjillit: “Pasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, ranë përmbys dhe e adhuruan”. Edhe dëshmitë e gdhendura në sarkofagët e lashtë të krishterë i paraqesin këta personazhe, secili me një dhuratë në dorë, duke ecur drejt grazhdit ku lindi Krishti, të veshur me mantel të shkurtër dhe me një kapelë frigjiane, që tregon origjinën e tyre nga Lindja. Në veprat funerare kjo temë kishte edhe kuptim metaforik: dhuratat simbolizonin ofertën e shpirtit për Zotin.

Ylli

 Me kalimin e kohës, nga ky episod u zhvillua një narrativë e re. Ylli, që përmendet katër herë nga shën Mateu ungjilltar, bëhet element, që përsëritet shpesh e çon drejt grazhdit të Betlehemit. Fillimisht, piktorët e pasqyronin si një një pikë, nga ku dilnin rreze. Mantegna dhe Botticelli i japin pamjen e yllit të vërtetë, me një fashë drite të zgjatur si shigjetë, që tregon Familjen Shenjte dhe krejt grupin përreth.

Detaj i yllit të pikturuar nga Giotto në Kapelën e Scrovegni-t, në Padova
Detaj i yllit të pikturuar nga Giotto në Kapelën e Scrovegni-t, në Padova

Giotto dhe kometa e Halley-t

Bën përjashtim Giotto, që në Kapelën e Scrovegni-t, në Padova, përdor kometën. Sipas studiuesve, ajo është riprodhim i kometës së Halley-t, që më 25 tetor 1301, më se e dukshme në qiellin italian, kalonte për të 21-tën herë në perihel.

Dhuratat, etnia dhe tri periudhat në moshën e njeriut

Të shumta, elementet dekorative dhe simbolike, që i pasurojnë figurat e Mbretërve Dijetarë ndër shekuj. Një procesion zotërinjsh të pasur, të papërcaktuar në numër ose tre mbretër, ashtu si dhuratat, që i sjellin Jezusit: ari, që simbolizon pasurinë; kêmi, meshtarinë mbretërore dhe zanafillën hyjnore; mirra, vuajtjet, që Foshnja, ardhur për të na shpëtuar, do të duhet të pësojë me vdekjen në kryq. Me kohë, Mbretërit Dijetarë karakterizohen më mirë fizikisht, duke marrë tiparet e zeshkëta të lindorëve: tri etni të ndryshme, ardhur për të adhuruar Shëlbuesin e botës. Piktorët i pasqyruan edhe me tri mosha të ndryshme: vërtet, ata janë simbol i njerëzimit për udhë.

Andrea Mantegna, Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, tempera në pëlhurë, 1463-64, Gallerie degli Uffizi, Firence
Andrea Mantegna, Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, tempera në pëlhurë, 1463-64, Gallerie degli Uffizi, Firence

Një procesion mbretëror

 Aspekti i lidhur me luksin dhe pasurinë e këtyre personazheve pati lulëzim të madh në epokën e Gotikut të Vonë. Kjo temë, që mund të konsiderohet profane, u pëlqente mjaft artistëve të shekullit XV: procesioni mbretëror, veshjet e mrekullueshme, sendet e çmuara, veprat e argjendarisë së rafinuar, kafshë nga më të larmishmet, me vlerë simbolike, si pavodat, devetë dhe dromedarët, i japin ide të panumërta krijimtarisë artistike në periudhën nga Gotiku i Vonë në Rilindje. Adhurimi i Mbretërve Dijetarë u bë një nga temat më të trajtuara në art, shumë më tepër sesa nderimi i barinjve, që u zhvillua vetëm pas shekullit XIV. Më parë piktorët përqendroheshin në lajmin e engjëllit për të përvuajturit, të cilëve u kumtohej se do të lindte një Shëlbues.

Gentile da Fabriano

Muzeu Dioqezan i Milanos propozoi këto ditë në internet pikturën e Gentile da Fabriano-s, “Adhurimi i Mbretërve Dijetarë”, që ruhet në Galeria degli Uffizi në Firence. U pikturua në vitin 1423 e është tempera me të kuqe vezësh, në dru dhe pëlhurë liri. Është një kryevepër, që të gjithë duhet ta shohin të paktën një herë në jetë, punuar nga njëri prej eksponentëve më të rëndësishëm të Gotikut të Vonë në Itali. Pasuria, shkëlqimi, aftësia narrative shpërthejnë me forcë nga poliptiku me një ndarje të vetme. Karakterizohet nga tri luneta, brenda të cilave zhvillohet krejt historia: në të parën, Mbretërit Dijetarë shohin yllin për herë të parë; në të dytën, një procesion i gjatë përvijohet gjatë kodrave drejt Jeruzalemit; në të tretën, ai hyn në Qytetin e shenjtë, për të kaluar, më pas, në qendër të veprës, derisa arrin pranë Foshnjës Hyjnore.

Detaj i Adhurimit të Mbretërve Dijetarë, pikturë e Gentile da Fabriano, që ruhet në Gallerie degli Uffizi, Firence
Detaj i Adhurimit të Mbretërve Dijetarë, pikturë e Gentile da Fabriano, që ruhet në Gallerie degli Uffizi, Firence

Mbreti i katërt

Detajet janë mahnitëse e të pabesueshme: majmuni, gepardi që frikëson kuajt e shqetësuar, zagari nën këmbët e kuajve e, natyrisht, Mbretërit Dijetarë, që përfaqësojnë tre moshat e njeriut. Më i moshuari, pasi heq kurorën, përkulet para shën Marisë, ia njeh hyjninë të porsalindurit, të cilit i puth këmbët, pasi ia dorëzon dhuratën njërës prej shërbyeseve. Një hir princëror vë në pah gjestet e Dijetarëve të tjerë, të veshur me stof të çmuar. Pas tyre, ndërmjet njerëzve të rastit, shihet një personazh me skifter në dorë: ndoshta është bankieri Palla Strozzi, porositësi i pikturës, që portretizohet i veshur me elegancë si “mbreti i katërt”, për të cilin flasin ungjijtë apokrifë.

Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, Artemisia Gentileschi

Nga bukuria tek Bukuria

Arti, me mesazhin e tij, na flet edhe sot, menjëherë, pavarësisht nga shekujt, që kanë kaluar. Kjo shihet qartë nga pjesëmarrësit e shumtë - mesatarisht 500-800 - në leksionet on line të Muzeut Dioqezan të Milanos. Ai i filloi këto konferenca arti në internet në fillim të Kohës së Ardhjes për t’u qëndruar pranë njerëzve në këto kohë të vështira pandemie.  Në platformën Zoom, u treguan të gjitha veprat për Adhurimin e Mbretërve Dijetarë, që kanë kaluar në këtë Muze gjatë viteve të kaluara, si kryevepra e Artemisia Gentileschi-t nga Pozzuoli. Njerëzit duan të shikojnë gjëra të bukura, edhe kur janë të detyruar të rrinë mbyllur nëpër shtëpi. E s’është keq që në çdo shtëpi të hyjë pak bukuri me “b” të vogël, që na ndihmon t’i lartojmë sytë drejt Bukurisë me “B” të madhe.

06 janar 2021, 15:08