Kryqi i Modenës Kryqi i Modenës 

Letra Ekumenike e Javës së lutjes për unitetin e të krishterëve

Në prag të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të kremtohet nga 18 deri më 25 janar, po ju njohim me tekstin, shkruar nga imzot Ambrogio Spreafico, kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore italiane për ekumenizmin dhe dialogun, Polykarpos Stavropoulos, vikar patriarkal i Kryedioqezës Kishtare Ortodokse të Italisë e Maltës, dhe pastori Luca Maria Negro, kreu i Federatës së Kishave Ungjillore në Itali.

R. SH. - Vatikan

“Ndjemë dëshirën të bëhemi të afërt me njëri-tjetrin, njëherësh me bashkësitë tona, që janë në Itali. Vuajtja, sëmundja, vdekja, vështirësitë ekonomike të shumëkujt, distanca që na ndan, nuk dëshirojmë që ta fshehin e as ta zbehin forcën e bashkimit tonë në Krishtin Jezus”: kështu shkruajnë, në një Letër ekumenike, me rastin e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të kremtohet nga 18 deri më 25 janarin e ardhshëm, imzot Ambrogio Spreafico, kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore italiane për ekumenizmin dhe dialogun; Polykarpos Stavropoulos, vikar patriarkal i Kryedioqezës Kishtare Ortodokse të Italisë e Maltës dhe pastori Luca Maria Negro, kreu i Federatës së Kishave Ungjillore në Itali.  Duke i hedhur një shikim realitetit aktual, të tronditur thellë nga pandemia, tre nënshkruesit e letrës, vërejnë se “nuk mund të pritet që pas kësaj pandemie, “gjithçka të kthehet siç ishte para saj” - siç dëgjojmë të thuhet, e urojnë “që gjithçka të jetë më e mirë se më parë”, sepse në botë, veç pandemisë, ka akoma shumë, tepër, dhunë, padrejtësi, arrogancë e indiferencë”. E më poshtë shpjegojnë se në këto muaj dhimbjeje e nevojash të panumërta, u thellua solidariteti. “Shumë u afruan me bashkësitë tona, që t’u japin një dorë, që të jenë pranë atij, i cili ka nevojë për ushqim, për miqësi, për gjeste të reja afërsie, gjithnjë me respekt e duke pasur mirë parasysh rregullat e distancës - vijojnë  imzot Ambrogio Spreafico, imzot Stavropoulos dhe pastori Negro. Ndjejmë nevojën ta falënderojmë Zotin për këtë solidaritet, që shtohet e shumohet. Bujaria e dhuratës na ndihmoi ta rizbulojmë pasurinë dhe bukurinë e jetës së krishterë,  përplot me hirin e Zotit, të cilin jemi të thirrur t’ua dhurojmë bujarisht të gjithëve.

Unitet në bamirësi

Tre nënshkruesit e Letrës Ekumenike nënvizojnë se gjatë këtyre tre muajve, pavarësisht nga pasojat e emergjencës shëndetësore, mbi shpirtin e njerëzve nuk sundoi frika: “Vijuam të dalim për t’i ndihmuar të varfërit, të vegjlit, të moshuarit, të cilëve shpesh u mungonte afërsia e familjarëve dhe e miqve. Kishat e bashkësitë tona gjetën unitetin në këtë bamirësi, që është virtyti më i madh e që, duke qenë e pashoqe, mbetet si vulë e vënë mbi bashkimin, themeluar në Zotin Jezus”. Prej këndej, imzot Ambrogio Spreafico, imzot Stavropoulos dhe pastori Negro, sigurojnë se luten për të sëmurët, për ata që i mjekojnë, për pleqtë e vetmuar a ndër institute, për refugjatët, për të gjithë ata, që vuajnë “në këtë kohë të akullt, e cila ka aq shumë nevojë për ngrohtësi njerëzore” e, duke kujtuar ç’është shkruar në paraqitjen e materialit ndihmës, lidhur me Javën e lutjes për unitetin e krishterëve, i kërkojnë Zotit ta shërojë njerëzimin “nga forca e së keqes e nga pandemia, nga padrejtësia e nga dhuna” e t’i dhurojë  bashkimin. Së fundi, duke kujtuar metropolitin Zervos Gennadios, që ndërroi jetë më 16 tetorin e kaluar e që, për shumë e shumë vjet eci në rrugën drejt unitetit “tre nënshkruesit e letrës ftojnë për ta jetuar e për ta kremtuar Javën kushtuar uinitetit me lutje të njëzëshme, që kjo javë t’i shikojë  të krishterët të bashkuar në nisma të shumta, të përbashkëta”.

15 janar 2021, 13:33