Vangelo del giorno risurrezione Cristo Risorto noli me tangere Maria Maddalena Vangelo del giorno risurrezione Cristo Risorto noli me tangere Maria Maddalena 

Kë kërkoni?

E “Kë kërkon?” – e pyet Krishti i sapongjallur prej të vdekurve, Marinë nga Magadala. “Kërkoj Zotin!” - kjo e vetmja përgjigje që mund t’i japim kësaj pyetjeje. Zotin, për të cilin ka etje shpirti njerëzor, që nuk bie në fashë, derisa ta ketë gjetur. Si Shën Maria Magdalenë që, me sytë e mjegulluar nga lotët, nuk e dallon menjëherë Zotin e saj, të cilin e kish parë duke dhënë shpirt mbi kryq! E i duhet kohë që të kujtohet se Zoti ishte aty, ishte i gjallë e ashtu do të ishte përjetë të jetëve!

R.SH. - Vatikan

Duke u takuar për herë të parë me Pjetrin e Andreun, Zoti Jezus i pyet: "Çka kërkoni?”; “Kë kërkoni?”.

Pyetje, që përshkon shekujt. Që e gjejmë vazhdimisht në faqet e Ungjillit, e edhe në Ungjillin e kësaj së diele të 2-të gjatë vitit kishtar nga Gjoni (Gjn 1, 35-42).

Kë kërkoni? Pyetje që përsëritet pambarimisht, në kërkim të përhershëm të misterit të jetës e të fundit të saj…

Kë kërkoni? - përsërit Krishti, kur i sulen për ta kapur, ndërsa lutet mbi Malin e Ullinjve. E pikërisht njëri prej të tijve i jep puthjen më tradhtare, që pa ndonjë herë njerëzimi!

Kë kërkoni? – i pyet njerëzit që shtegtojnë në terrina, në kërkim të fillit  të këputur të dritës, varur ndërmjet qiellit e dheut. Me këmbët e ngarkuara nga pesha e viteve e trupin të përkulur deri në tokë, në pritje… Me të njëjtën pyetje në buzë: “Ku banoni?”.

Gjithnjë në kërkim të fundit të udhës, të cakut, të agimit të mbram, që mund të shndërrohet në perëndim. Ndërmjet mundësisë për t’u çuar në ajër me flatra - a për t’u rrogomisur në hon përgjithmonë.

“Kë kërkon?” – e pyet Krishti i sapongjallur prej të vdekurve, Marinë nga Magadala.

“Kërkoj Zotin!” - kjo e vetmja përgjigje që mund t’i japim kësaj pyetjeje. Zotin, për të cilin ka etje shpirti njerëzor, që nuk bie në fashë, derisa ta ketë gjetur. Si Shën Maria Magdalenë që, me sytë e mjegulluar nga lotët, nuk e dallon menjëherë Zotin e saj, të cilin e kish parë duke dhënë shpirt mbi kryq! E i duhet kohë që të kujtohet se Zoti ishte aty, ishte i gjallë e ashtu do të ishte përjetë të jetëve!

Si Maria, çdo njeri vijon të pyesë: “Ku është Zoti im?”.

Për të marrë në shekuj përgjigjen “Eja, e do ta shikosh!”. E për ta freskuar shpirtin e munduar nga enigma e jetës, me vesën e Shpirtit të pamort të Zotit!

Kë kërkoni - e pse, kur e keni Zotin të gjallë, para jush? Fshini lotët e jetës, që ju mjegullojnë sytë, e do ta shikoni!

17 janar 2021, 13:40