Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit, Hyji është dashuri

Pikërisht dje, për Kishën Katolike përfundoi Koha e Krishtlindjes, me solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Sot, rimarrim në dorë Letrën I të Gjonit, për të cilën po flisnim në ditët e fundit të vitit të kaluar. Kujtojmë se shën Gjonit i atribuohen një Ungjill, tri Letra dhe Zbulesa, por pikërisht në Letrën e parë ai flet për “dashurinë e përsosur” të Zotit, duke e parë si dritë, që ndriçon gjithë botën, pa i lënë vend errësirës. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës” të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Shën Gjoni shkruan si të ishte i fiksuar me atë urdhërim, të cilin e ruan si sekret të çmuar.

“Të dashurit e mi, nuk po ju shkruaj për një urdhër të ri, por për një urdhër të vjetër, që e patët që në fillim” (1 Gjn 2,7).

Vijon letra, por, çuditërisht, ky urdhërim nuk shprehet qartë me fjalë. Mbetet pezull. Shën Gjoni nuk e hap menjëherë peshtafin, ku ruan këtë “sekret”. Jemi në kapitullin e dytë e duhet të presim fundin e të tretit për ta njohur:

“Ky është urdhri i tij: që të besojmë në Emrin e Birit të tij - në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e tij, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë” (1 Gjn 3,23-24).

Të besojmë, të duam, të mbetemi në Hyjin! Kjo është edhe linja e Ungjillit të katërt.

·       Të besojmë për ta pasur jetën, në emër të Tij;

·       Ta duam vëllain, siç na mëson Jezu Krishti;

·       Të mbetemi në Zotin e ta lejojmë të banojë në ne.

Për ta kuptuar shën Gjonin, sidomos këtë Letër, duhet të kemi parasysh Fjalën, Atin Qiellor e Shpirtin Shenjt. Është pikërisht ky ungjilltar, që e larton teologjinë e Trinisë në nivelin e nevojshëm për ta kuptuar, sepse ngjarjet, që kanë të bëjnë me Jezusin, gjejnë vendin e vet vetëm nëse nisemi nga ky shpërthim drite: nga dashuria trinitare.

E vërtet, edhe sot, pas më se 2000 vitesh, të krishterët mbeten të dashuruar pas Dashurisë (me D të madhe). Kush çuditet për këtë, duhet të pyesë më parë shën Palin apostull e pastaj, shën Gjonin. Të dy, në mënyra të ndryshme, shpjeguan ç’do të thotë ta njohësh Jezu Krishtin: thjesht, të njohësh Dashurinë Hyjnore!

“Ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa të quhemi bijtë e Hyjit, edhe ashtu jemi! Bota nuk na njeh, sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3,1-2).

Nëse ndokush nuk e përjeton përvojën e dashurisë së Zotit, nuk është në gjendje t’i kuptojë të krishterët. E, nga ana tjetër, kjo do të thotë që veprimet e të krishterëve duhet të frymëzohen vetëm nga dashuria. Kështu, në kapitullin e katërt, gjejmë pjesën, që shumica e konsideron kulmin e Besëlidhjes së Re; ndërlikimet zhduken dhe mbetet vetëm diçka tejet e thjeshtë e madhështore njëkohësisht:

“Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në sajë të tij. Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por - Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona” (1 Gjn 4,7-10).

Janë fjalë për t’u lexuar me vëmendje. Këtu qëndron i gjithë sekreti i dishepullit, që Jezusi e donte, sekreti i bashkësisë dhe i shkrimeve të tij. Një sekret, që bëhet i dukshëm dhe përvijohet në rregulla gati gjeometrike për dashurinë. Këtu qëndron dashuria: në faktin se Zoti na paraprin, nuk na pret, nuk kërkon kushte, por na do i pari e na dhuron vetveten. Kuptimi i këtyre pak fjalëve na çon në kuptimin e Dashurisë (me D të madhe).

Feja është rit, doktrinë, besim, traditë, por s’është asgjë pa Dashurinë.

07 janar 2021, 11:08