Patriku i Kostantinopojës Bartolomeu Patriku i Kostantinopojës Bartolomeu 

Bartolomeu I: pandemia, “thirrje e dëshpëruar” e natyrës për ta respektuar!

Patriku ortodoks ekumenik hapi edicionin e katërt të Halki Summit kushtuar përgjegjësisë dhe kujdesit për ambientin: kriza e Covid “nuk është akt hakmarrjeje nga ana e Zotit”, por nxitje e përpjekjeve për ta respektuar shumë më tepër ambientin - theksoi.

R. SH. - Vatikan

Thirrja, ndonëse në udhë virtuale, vjen nga një vend i pashoq. Nga “Kodra e shpresës”, mbi majën e së cilës spikat, i rrethuar me blerim të harlisur, manastiri bizantin që, për më se një shekull, deri më 1971, ishte seli e mirënjohur e Shkollës së Teologjisë së Patriarkanës ekumenike. Sidoqoftë, fjalët me të cilat Bartolomeu hapi, të martën e kaluar,  samitin e katërt  të Halki - ishull në Egje, një orë larg me barkë nga Stambolli - përmbajnë, në thirrjen e tyre për ndryshime lidhur me qëndrimin ndaj krizës ekologjike, forcën dhe bukurinë e pandotur të vendit prej nga vijnë!

Ngurrim për t’u flijuar për tokën

Në praninë e shumë ekspertëve, Patriku i Kostantinopojës reflektoi mbi pandeminë, duke e parë të lidhur ngushtë me ambientin dhe ndikimet mbi jetën e Planetit. Takimet e Halkit - kujtoi - kanë gjithnjë në qendër të vëmendjes vlerën e dialogut dhe të koorperimit. E pikërisht për këto vlera  kemi nevojë në këto çaste, kur bota është e pushtuar nga virusi. Jemi të bindur - pohoi Bartolomeu I -  se çdo shpresë reale për  të nisur një udhë të re lidhur me ndryshimet klimatike, kërkon ndryshimin rrënjësor të mënyrës si e perceptojmë e si e trajtojmë botën. Gjithsesi, një pjesë e mirë e problemit - nënvizoi- qëndron tek ngurrimi për t’u flijuar për të mirën e të tjerëve e të vetë Tokës.

Ka progres, në se ka kujdes

Pikërisht Covid-19 - vërejti kreu i Kishës së Kostandinopojës - na dha një leksion të paçmuarshëm: “na mësoi sa rëndësi ka ta dëgjojmë zërin e njëri-tjetrit e edhe të mësojmë prej njëri-tjetrit, duke na kujtuar, kështu,  pushtetin dhe vlerën e dashurisë e të solidaritetit”. Pandemia - ngulmoi Patriku Ekumenik - “na kujtoi se bota është shumë më e madhe, se shqetësimet e ambiciet tona; më e madhe  se kisha jonë e se bashkësia jonë fetare, e më madhe edhe se pushtetet tona politike e interesat kombëtare” Ndërsa pakësimi i ndotjes gjatë muajve të lockdown, na kujtoi se nuk mund të ketë progres të vërtetë, që bazohet mbi shkatërrimin e mjedisit natyror”.

Jo hakmarrje, po ndihmë

Bartolomeu foli, më pas, për lidhjet shkak-pasojë, duke kujtuar ndëhyrjen ngulmuese e të vazhdueshme të njerëzimit mbi natyrën, trafikun ilegal të  kafshëve të egra, shpyllëzimin, urbanizimin, bujqësinë intensive - e, doemos, edhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse e të viruseve nga kafshët e egra, pasojë e pushtimit të botës natyrore edhe e ndryshimeve klimatike, shkaktuar nga dora e njeriut. Pandemia - pohoi Bartolomeu - nuk është akt hakmarrjeje nga ana  e Zotit kundër shkatrrimtarit të natyrës së Tij, njeriut, por thirrje e dëshpëruar, që na drejtohet të gjithëve, për ta trajtuar natyrën me shumë respekt, e jo për ta rrënuar”.

 

28 janar 2021, 13:11