2020.01.22 celebrazione della Domenica della Parola di Dio in Centro America Panama-Honduras-Nicaragua 2020.01.22 celebrazione della Domenica della Parola di Dio in Centro America Panama-Honduras-Nicaragua  

Akolitati dhe lektorati për gratë, Schönborn: një pritshmëri e realizuar

Kryeipeshkvi i Vjenës Schönborn komenton miratimin e Motu Proprio tё Papës qё u mundёson edhe grave leximin e Fjalës së Zotit gjatë kremtimeve liturgjike dhe shërbimin e tryre në altar si ministrante: Papa ka bërë një hap më tej, tё kërkuar prej kohёsh nga Sinodi i 2012 mbi ungjillëzimin dhe nga Sinodi i fundit mbi Amazonën.

R.SH. - Vatikan

Tani e tutje, gratë do të kenë mundësinë të marrin pjesё në shërbesat e lektoratit dhe akolitatit. Kёshtu vendosi Papa Françesku me Motu Proprio ‘Spiritus Domini’, botuar dje, qё ndryshon paragrafin e parë të kanunit 230 të Kodit të sё Drejtës Kannonike tё Kishёs katolike. Dokumenti Motu Proprio ‘Spiritus Domini’ shoqërohet me një letër drejtuar Prefektit të Kongregatës sё Vatikanit për Doktrinën e Fesё, Kardinalit Luis Ladaria, nё të cilёn Papa Françesku kujton gjithashtu se "në horizontin e rinovimit të përvijuar nga Koncili Dytë Kishtar i Vatikanit, sot gjithnjë e më shumё ndjehet urgjenca për të rizbuluar bashkë-përgjegjësinë e të gjithë të pagëzuarve në Kishë, e veçanërisht për të zbuluar  e pёr tё rivlerësuar misionin e laikatit”. Një aspekt i rëndësishëm ky mbi të cilin përqendrohet kryeipeshkvi i Vjenës, kardinal Christoph Schönborn:

Ky fragment nënkupton para së gjithash realizimin e një dëshira dhe pritshmërie që është shprehur shumë herët nga Ministria quaedam e Shën Palit VI, sepse në dokumentin e tij ishte futur një paragraf i vogël, një rresht i cili shprehej se, në pёrkim me traditën, këto shёrbesa tё laikëve mbetën të rezervuar për burrat, duke përjashtuar kështu gratë. Por tani Papa Françesku ka ndërmarrë një hap të mëtejshëm, atё qё tashmë u shpresua dhe u kërkua në Sinodin e vitit 2012 mbi Ungjillëzimin, nën Papën Benedikti XVI, e edhe në Sinodin e Jashtëzakonshëm mbi Amazonёn mё 2019: kërkesa për të hequr këtë kufizim u shpreh me njё farё këmbëngulje. Pra, Ati i Shenjtë Bergoglio tani ka ndërmarrë hapin për të sqaruar atë që Papa Pali VI e kishte parashikuar e paraprirë, domethënë se bёhet fjalё për shërbesat laike, jo të lidhura me sakramentin e Urdhrit të Shenjtë (Meshtarinë). Papa e ka lënë në kujdesin e konferencave episkopale tё vendeve tё ndryshme për të vendosur kriteret e përshtatshme për shqyrtimin dhe përgatitjen e kandidateve.

Kisha universale është e larmishme e ka edhe ndjeshmëri të ndryshme liturgjike. Ju e pritni pranimin e këtij ndryshimi nga Kishat lokale me shpejtësi e nё kohё tё ndryshme?

Është e vërtetë që ekziston një larmi e përvojave, e praktikave. Unë mendoj se në Amerikën Latine praktika tashmë ekziston në këtë drejtim e kuptim. Në Evropë, shumica e Kishave lokale tashmë e kanë këtë mundësi të akolitatit, të grave lexuese të liturgjisë. Kjo është diçka shumë e zakonshme. Prandaj, çdo konferencë episkopale padyshim që duhet të zbatojë këtë motu proprio në ritmin e saj, në traditat e saj, por edhe në frymën e vetë motu proprio ‘Spiritus Domini’.

12 janar 2021, 12:17