L'affresco con la più antica raffigurazione di San Tommaso d'Aquino a Santa Maria Novella - Firenze L'affresco con la più antica raffigurazione di San Tommaso d'Aquino a Santa Maria Novella - Firenze 

Me 28 janar kalendari kishtar kujton Shën Tomën e Akuinit

Shën Toma i Akuinit (1224) domenikan, përtëriu me guxim e urti metodat e mësimdhënies. Përmblodhi në mënyrë gjeniale doktrinën teologjike dhe filozofike të traditës së Kishës në shkrimet e shumta që la, veçanërisht në monumentin “Summa Theologiae” (Përmbledhja e teologjisë) dha sistematikisht një themel shkencor, filozofik e teologjik doktrinës së krishterë.

R.SH. - Vatikan

 Shën Toma i Akuinit, meshtare doktor i Kishës, rregulltar Dominikan, me origjinë fisnike, u formua në manastirin e Montecasino-s dhe u bë mjeshtër në studimet e Parisit, Orvietos, Romës, Viterbos dhe Napolit. Në  kryeveprën e tij " Summa theologiae" dha sistematikisht një themel shkencor, filozofik dhe teologjik doktrinës së krishterë. Kur Papa Gjoni XXII më 1323 e kanonizoi Shën Tomën e Akuinit, atyre që e kundërshtuan se nuk kishte bërë mrekulli, ai u përgjigj: "Sa koncepte teologjike shqyrtoi e shkroi, kaq shumë mrekulli bëri»

Domenikani i madhShën Toma i Akuinit lindi në Rokaseka të Frozinones, rreth vitit 1225 e vdiq në Fosanova, Latina, më 7 mars 1274. “Rregulltar i Shën Dedës, i edukuar në manastirin e Montekasinos e në shkollat më të njohura të kohës, Toma i Akuinit dha mësim në Paris, Orvieto, Romë, Viterbo e Napoli, duke krijuar një metodë moderne të mësimdhënies, që shënoi një kthesë të vërtetë në arsimin e kohës. Shkroi shumë e posaçërisht kryeveprën ‘Summa Theologiæ’, sistemim gjenial i gjithë doktrinës filozofike e teologjike të mbledhur nga tradita kishtare. Ushtroi ndikim të madh mbi mendimin filozofik e teologjik të kohës e mbi kërkimet shkencore në shekujt që do të vinin”. Kështu paraqitet Shenjti i madh, Toma i Aukinit, në Mesharin Romak.

Në Martiriologun Romak për të shkruhet: “Përkujtojmë sot Shën Tomën e Akvinit, meshtar i Urdhrit të Predikatarëve e dijetar i Kishës që, i pajisur me zgjuarsi të jashtëzakonshme, ua transmetoi të tjerëve me fjalime e shkrime, dijen e tij të pashembullt. I ftuar nga Papa Gregori X për të marrë pjesë në Koncilin Ekumenik të Lionit, vdiq më 7 mars 1274 gjatë udhëtimit, në manastirin Fosanova të Lacios e pas shumë vjetësh, trupi i tij qe mbartur në Tuluzë. Përkujtohet më 28 janar”.

Kur Papa Gjoni XXII në vitin 1323 e shkroi emrin e Tomës së Akvinit në Librin e Shenjtorëve, atyre që vërejtën se nuk kishte bërë ndonjë mrekulli të madhe, Papa iu përgjigj me frazën e famshme. “Sa fraza teologjike shkroi, aq mrekulli bëri”. E ky është vlerësimi më i madh që mund t’i bëhej teologut të shquar, i cili me veprën e tij madhore ‘Summa Theologiæ’ - “Përmbledhje e teologjisë’, vuri sistematikisht bazat shkencore, filozofike e teologjike të doktrinës së krishterë.

Mё 28 janar të vitit 2007, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të festës liturgjike të Tomës së Akuinit, Papa Benedikti XVI e paraqiti Shenjtin si model i harmonisë ndërmjet arsyes e fesë, me vlerë për të gjitha kohët. E kjo sepse na mëson të vërejmë se njeriu varfërohet, kur mendon vetëm për sendet materiale, që mund të provohen, duke hequr dorë nga pyetjet e mëdha mbi jetën, mbi vetveten e mbi Zotin. 

Në të vërtetë, zhvillimi modern i shkencave ka shumë pasoja pozitive, që duhen pranuar gjithnjë. Por njëkohësisht duhet pranuar edhe se prirja për të konsideruar të vërtetë vetëm atë që provohet, përbën një kufizim të arsyes njerëzore e prodhon skizofreninë e tmerrshme, tashmë të njohur, për të cilën bashkëjetojnë racionalizmi e materializmi, hiperteknologjia dhe instinktet e shfrenuara.

Në qoftë se feja e krishterë është e vërtetë - shpjegoi Benedikti XVI - nuk e dënon lirinë dhe arsyen njerëzore, e cila nuk humbet asgjë në se bën të vetat mësimet e fesë. Feja e supozon dhe e përkryen arsyen, ndërsa arsyeja, e ndriçuar nga feja, gjen forcë të lartohet në njohjen e Zotit dhe të realiteteve shpirtërore.

Pak biografi
Toma lindi rreth vitit 1225 në kështjellën e Rokasekës (Frozinone), pronë e kontëve të Akvinit. I ati, Landolfi, ishte me origjinë longobarde e i vejë me tre fëmijë, kur u martua me Teodorën, napolitane me origjinë normane. Nga bashkimi i tyre lindën nëntë fëmijë, katër meshkuj e pesë femra. Toma ishte i fundmi i meshkujve.

Sipas traditës së epokës, djali u dërgua si ‘mblatë’ në abacinë e Montekasinos ku, në se do të dëshironte, mund të merrte përgatitjen e duhur për t’u bërë murg. Katërmbëdhjetë vjeç, kur ishte ambientuar plotësisht, u detyrua të largohej që aty, sepse më 1239 abacia u pushtua ushtarakisht nga perandori Federiku II, që i dëboi të gjithë murgjërit. Shkoi të vijonte studimet në Napoli, ku ndoqi kursin e arteve liberale e pati rastin të njihej me veprën e Aristotelit, asokohe e ndaluar në fakultetet kishtare, duke e kuptuar menjëherë vlerën e saj të madhe.

Domenikan
Në Napoli pati rastin të njihej së afërmi edhe me kuvendin e Shën Dedës e me mënyrën e jetesës së vëllezërve predikatarë. Më 1244 vendosi të hynte në Urdhrin Domenikan, ku eprorët e nuhatën shpejt talentin e zgjuarsinë e tij të rrallë. E dërguan, prandaj, në Paris, për të vijuar studimet. E ëma, Teodora, që kishte mbetur e vejë, u tmerrua kur e mori vesh ç’rrugë kishte zgjedhur djali i saj i jashtëzakonshëm e, si u nis për në Paris, e ndoqi pas e mundua t’ia priste rrugën. Njerëzit e saj e kapën dhe mbyllën në një qeli të Kështjellës atërore të Shën Gjonit. Bënë çmos t’ia kthenin mendjen. Arriten deri atje, sa t’i shtinin në qeli një vajzë me bukuri të jashtëzakonshme, për ta tunduar. Por më kot. Ai jo vetëm që nuk iu afrua, por me që nuk po dilte nga qelia, humbi durimin dhe, si mori një urë të ndezur nga vatra e bëri të ikte me të katra. Kështu pastërtia e domenikanit të ri u bë proverbiale. Ndërkaq ia doli mbanësh të ikte nga kështjella, ku e kishte mbyllur e ëma, që e konsideronte poshtërim për familjen hyrjen e të birit në një urdhër lypsarakësh. Pati përkrah vetëm të motrën, Marotën, që më pas u bë murgeshë e abateshë e manastirit domenikan të Shën Marisë në Kapua.

Student në Këln së bashku me Albertin e Madh
Su rikthye në Napoli, Eprori i Përgjithshëm, Gjon Teutoniku, e pa të arsyeshme ta çonte përsëri jashtë Italisë për t’i përsosur studimet. Shkoi në Këln ku nisi të jipte mësim së bashku me Albertin e Madh (1193-1280), domenikan, filozof e teolog, nismëtar i aristotelizmit mesjetar në botën latine e njeri me kulturë enciklopedike.

Toma u bë dishepulli i tij për pesë vjet: lindi, kështu, ndërmjet dy gjenive të kulturës, një miqësi e ngushtë. Ndërkaq Papa Inoçenci IV e thirri për të marrë në dorë drejtimin e Manastirit të Montekasinos, por ai nuk pranoi, sepse e kishte si parim të mos pranonte kurrë detyra të rëndësishme në Kishë. Deshi të mbetej murg, e murg mbeti deri në fund të jetës, murg i madh, gjenial. Në Këln, për shkak të temperamentit të heshtur e shtatit vigan, i vunë nofkën ‘kau memec’. Por Alberti i Madh, si u njoh me disa shënime të Tomës për një çështje tepër të vështirë teologjike, mbi të cilën kishte folur gjatë një leksioni, e ngarkoi të mbante një diskutim , gjatë të cilit Toma shkëlqeu, si zakonisht. Atëherë mësuesi i madh, që e kishte dëgjuar nofkën, brohoriti para të gjithëve, i entuziazmuar: “Ne e quajmë ‘kau memec’, por ai, me doktrinën e tij, një ditë ka për të pallur aq, sa ta tundë gjithë botën”.

Meshtar, Mësues në Universitetin e Parisit, Doktor në teologji

Në vitin 1252, pak pasi ishte shuguruar meshtar, Alberti e propozoi si kandidat për katedrën e “baccalarius biblicus” në Universitetin e Parisit, duke iu përgjigjur kështu Eprorit të përgjithshëm të Urdhrit të Domenikanëve, Gjonit të Vildeshauen. Ishte vetëm 27 vjeç Toma, kur nisi punën si profesor në Universitetin zëmadh e njëkohësisht mori doktoratën në teologji.

Por në universitet nuk gjeti paqe: situata ishte e tejet e trazuar, për shkak të ndeshjeve të vazhdueshme ndërmjet klerit shekullar a tij rregulltar, që ishte shumë më i përgatitur. Atëherë profesori i ri shkroi polemikën e famshme “Contra impugnantes”, do të thotë kundra klerit shekullar, që nuk donte ta pranonte epërsinë absolute të atij rregulltar. Polemika i shkaktoi telashe të reja e u desh ndërhyrja e drejtpërdrejtë e vetë Papës, që t’i hapej përsëri rruga drejt katedrës e pranimit në trupën Akademike të Universitetit.

Vetëm me komentin e “Sentencave” të Pjetër Lombardit e kishte fituar tashmë simpatinë e plotë të studentëve, të cilët e nuhatën menjëherë se mësimdhënia e tij sillte një frymë të re në universitet. Profesori i Shkrimit Shenjt e organizonte mësimin me metoda të reja duke u bazuar mbi prova e shembuj gjithnjë të rinj, pa përsëritur kurrë të njëjtin argument, derisa arrinte, së bashku me studentët, në përfundimin e dëshiruar. Ishte shpirt i lirë, i gatshëm për t’u shërbyer të gjithëve, besnik ndaj doktrinës së Kishës e njëkohësisht përtëritës i saj.
Në Paris, me ftesën e Eprorit të përgjithshëm të Dominikanëve, asokohe Raimondi de Penjafort, nisi të shkruante një traktat teologjik, titulluar “Summa contro Gentiles”, material udhëzues për misionarët, që përgatiteshin të predikonin në vendet, ku kishte një prani të fortë hebrenjsh e myslimanësh.

Kthimi në Itali: bashkëpunëtor i papëve
Punoi tri vjet në Universitetin e Parisit: më 1259 u thirr në Itali, ku vijoi të predikonte e të jepte mësim, më parë në Napoli e në Ananji, ku ishte kuria papnore, e pastaj në Orvieto, seli e Papës Urbani IV nga 1262 deri më 1264, i cili e thirri Tomën si bashkëpunëtor në hartimin e veprës “Catena aurea” (Zinxhiri i artë), koment i katër ungjijve; e gjithnjë me kërkesën e Papës, nisi dialogun me Kishat lindore, gjë që i krijoi mundësitë të thellohej në veprat e Etërve grekë e të shkruante traktatin ‘Contra erroes Graecorum’ - “Kundër gabimeve të Grekëve”, që pati ndikim shumë pozitiv në marrëdhëniet ekumenike.

Gjithnjë në periudhën e kaluar në Orvieto, u ngarkua nga Papa të shkruante liturgjinë dhe himnet e Festës së Korpit të Krishtit, themeluar më 8 shtator 1264, pas mrekullisë Eukaristike pranë Bolsenës më 1263, kur meshtari bohem Pjetri nga Praga, që dyshonte mbi praninë e Krishtit në Eukaristi, pa të rridhte nga hostja e shuguruar, që kishte ndër duar, gjak që lagu korporalin, pëlhurën e linjtë e dyshemenë.

Ndërmjet himneve të krijuara nga Toma, është edhe e “Pange lingua” , që vijon të këndohet edhe sot, së bashku me dy strofa të Tantum ergo, kur jepet bekimi me të Shenjtnueshmin Sakrament, në të cilën derdhi gjithë frymëzimin e tij poetik, si këngëtar i Eukaristisë. Më 1265 u transferua në Romë, për të drejtuar studimet e përgjithshme të Urdhërit domenikan, me seli në Santa Sabina.
 
“Summa theologiae”
Në Romë e kuptoi menjëherë se jo të gjithë studentët qenë të përgatitur për një kurs teologjik tepër impenjativ, prandaj nisi të shkruante për ta një ‘Përmbledhje të teologjisë’ për t’i paraqitur çështjet që kanë të bëjnë me fenë e krishterë në mënyrë të kuptueshme edhe për fillestarët.

Vepra e madhe teologjike, që do t’i jepte famë në shekuj, ndahet në tri pjesë: pjesa e parë trajton Hyjin, “një i vetëm në tri Vehtje dhe procesionin e të gjitha krijesave të tij”; pjesa e dytë flet për “ lëvizjen e krijesave të pajisura me arsye, drejt Hyjit”; e treta paraqet Jezusin që, si njeri, “është udha përmes së cilës kthehemi te Ati”. Vepra, e nisur në Romë më 1267, që vijoi për shtatë vjet, u ndërpre papritmas më 6 dhjetor 1273 në Napoli, tri vjet para vdekjes. Me që, për shkak të lëvizjeve të tij të vazhdueshme, Toma nuk mund të jetonte në bashkësi, gjë që i krijonte vështirësi, eprorët e tij menduan ta ndihmonin, duke i lënë pranë një domenikan tjetër, vëllain Regjinaldi nga Piperno, me të cilin formoi një bashkësi të vogël.

Vijoi, pastaj, lëvizjet nga Parisi në Napoli, duke shkruar pa pushim. Në Paris shkroi pesë vepra, vijoi ‘Përmbledhjen e teologjisë’ e hartoi shkrime polemike, përmes të cilave mbrojti domenikanët, të sulmuar nga urdhërat e tjerë të lëmoshtarëve, sidomos nga françeskanët të cilët, ndyshe prej etërve predikatarë, që ndiqnin aristotelizmin, ishin besnikë të neoplatonizmit agostinian. Synimi i Tomës ishte t’i ndreqte gabimet doktrinore kudo që të shfaqeshin. U rikthye në Montekasino e në Rokaseka, ku vijoi të jepte mësim e të përkryente studimet dhe shkrimet e tij.

Ndërprerja e plotë e shkrimit
Toma kishte pasur gjithnjë shëndet të mirë e aftësi të jashtëzakonshme për punë. E niste ditën shumë heret. Rrëfehej me Regjinaldin, kremtonte Meshën e pastaj jepte mësim, studionte e shkruante. Po kështu bënte edhe mbasdite. E, vijonte të lutej e të studionte dhe pas darke, deri natën vonë. Flinte shumë pak e bënte çmos që kjo gjë të mos u binte në sy të tjerëve. Por, më 6 dhjetor 1273, ndërsa kremtonte Meshën, diçka e preku në thellësi të shpirtit.

Që nga kjo ditë jeta e tij ndryshoi krejtësisht. Nuk kapi më pendë me dorë. Përpjekjeve të Atë Regjinaldit për ta rikthyer te studimi, iu përgjigj: “Regjinald, nuk mundem, sepse gjithçka kam shkruar, për mua vlen më pak se kashta, përballë asaj që m’u zbulua”. E shtoi: “E vetmja gjë që dëshiroj tani, është që Hyji, pasi i dha fund veprës sime si shkrimtar, t’i japë fund edhe jetës sime”.
E jeta e tij mori fund nësa ishte për udhë drejt Francës, për të marrë pjesë në Koncilin e Lionit. I mbylli sytë në abacinë e Fosanovës më 7 mars 1274. Ishte vetëm 49 vjeç e kishte shkruar më se 40 vëllime.
 
Kulti i Shenjtit
Në vitin 1567 Toma i Akvinit u shpall Dijetar i Kishës; më 4 gusht 1880, pajtor i shkollave dhe i universiteteve katolike Është edhe Pajtor i teologëve, i akademikëve, i librashitësve. Festa e tij nisi të kremtohej më 7 mars, ditën kur ndërroi jetë. U caktua më 27 janar, datë e mbartjes së relikeve të tij, pas Koncilit II të Vatikanit.

Në fund të kësaj përmbledhjeje të shkurtër të një jete të begatë, tepër të vështirë për t’u përshkruar, po vendosim himnin e mrekullueshëm eukaristik, në të cilin Toma shkriu gjithë dashurinë e besimin që kishte në misterin e Eukaristisë:“Pange lingua”
(Teksti latin)


Pange língua gloriósi
Córporis mystérium,
Sanguinísque pretiósi,
Quem in mundi prétium
fructus ventris generósi
Rex effúdit géntium.

Nobis datus, nobis natus
ex intácta Vírgine,
et in mundo conversátus,
sparso verbi sémine,
sui moras incolátus
miro cláusit órdine.

In suprémae nocte cenae
recúmbens cum frátribus,
observáta lege plene
cibis in legálibus,
cibum turbae duodénae
se dat suis mánibus.

Verbum caro panem verum
verbo carnem éfficit:
fitque sanguis Christi merum.
Et si sensus déficit,
ad firmándum cor sincérum
sola fides súfficit.

Tantum ergo Sacraméntum
venerémur cérnui:
et antícuum documéntum
novo cedat rítui:
praestet fides suppleméntum
sénsuum deféctui.

Genitóri, Genitóque
laus et jubilátio,
salus, hónor, virtus quoque
sit et benedíctio:
procedénti ad utróque
cómpar sit laudátio.
Amen.

Teksti në gjuhën shqipe, përkthyer nga Atë Gjergj Fishta:
 
Pange lingua


 1 Korpit t’Krishtit të lumnueshem
thueja , gjuhë, lavdet me nderë,
Si dhe gjakut të paçmueshem,
Qi n’perdlim t’ktij sheklli t’mjerë
- Fryti i barkut të shêjtnueshem -
Rregji i nierzve derdhi ‘i herë.

2 Lé per né edhe dergue
Prej nji Virgjine s’kullueme,
Si n’ket shekull pat jetue
Edhe msimet dha t’amshueme,
Shtekun jetës i a ka mbarue
Në një mnyrë krejt t’mrekullueme.

3 N’t’mbramen darkë t’asajë natës s’ndershme
Ulë me vllazen m’tryezë me ngranun,
Tuj i u shtrue krejt ligjes s’hershme,
Qi per hae dikúr kje dhanun,
Dymbdhetë vllazensh çetës së vlershme
Ushqim vehten desht me u dhanun.

4 Fjala mish në mish të gjallë
Me fjalë t’vet buken e shndrron
N’gjak t’vet venen shndrron per mallë,
E se shisja s’e kupton,
N’ zemer besen per m’ia njallë
T’mirit feja e bardhë mjafton.

5 Sakramend, prá, kaq t’madhnuem
Le t’a adhrojmë me ftyrë per dhé,
Edhe dokja e motit të shkuem
T’i a lëshojë rendin sjelles së ré:
N’shka s’ mbrrinë mendja me kuptuem,
Ndihmë t’na bâhet shêjtja Fé.

6 Ati e Biri sod e p’rhera
Bekue kjoshin n’brohorí,
Lavdi u kjoftë edhè u kjoftë ndera
Të tanë jetë e t’tanë fuqí;
Shpirtit, rrjedhë dý vehtjesh tjera,
M’nja i kjoftë lavdi me lumní.
Ashtu kjoftë!

28 janar 2021, 10:18