Shën Antoni Abat Shën Antoni Abat  

Më 17 janar, kalendari kishtar kujton Shën Antonin, Abat

Shën Antoni Abat, konsiderohet ati i të gjithë murgjve e të çdo forme të jetës rregulltare. E ndjeu thirrjen e Zotit për ta ndjekur në shkretëtirë duke dëgjuar fjalët e Krishtit në Ungjillin e liturgjisë që i thoshte: “ Nëse do të jesh u përsosur, shko, shit çka ke, faljau skamnorëve “ “Mos u brengosuni për të nesërmen”.

R.SH. - Vatikan

Më 17 janar, kalendari kishtar kujton Shën Antonin, Abat . Antoni e ndjeu thirrjen e Zotit për ta ndjekur në shkretëtirë duke dëgjuar fjalët e Krishtit në Ungjillin e liturgjisë që i thoshte: “ Nëse do të jesh u përsosur, shko, shit çka ke, faljau skamnorëve “(Mt 19,21); “Mos u brengosuni për të nesërmen” (Mt 6,34). Shën Antoni, Abat, konsiderohet ati i të gjithë murgjve e të çdo forme të jetës rregulltare. Këndej është një nga oshënarët më të njohur në historinë e Kishës.

Shën Antoni Abat lindi në Koma, në zemër të Egjiptit, në vitin 250, vdiq në Tebaide, në Egjiptin e Epërm, më 17 janar të vitit 356 më se njëqind vjeç. Në moshën njëzet vjeçare braktisi gjithçka e shkoi të banonte në një vend të shkretë e pastaj në brigjet e Detit të Kuq, ku jetoi në vetmi të plotë për më se 80 vjet. U bë i njohur në të gjithë lindjen.

Në vetmitorën e tij nisën të dynden shtegtarë nga të katër anët për të kërkuar një këshill, një lutje, një ndërmjetësi. Edhe Kostandini perandor me bijtë e tij shkuan disa here t’i kërkonin këshilla e lutje. Jetën e tij e tregoi një nga nxënësit e Shenjtit, Shën Athanasi, që e bëri Ndoun oshënar të njohur në mbarë Kishën. Shenjti u largua nga vetmitorja e tij vetëm dy herë. Herën e parë për të ngushëlluar të krishterët e Aleksandrisë, të persekutuar nga Maksimin Daja, ndërsa të dytën, me ftesën e Athanasit, për t’i nxitur t’i qëndronin besnikë Koncilit Kishtar të Nikesë. Në ikonografi Shën Antoni bata paraqitet i rrethuar nga gra provokuese (simbol i tundimeve) ose nga kafshë shtëpiake (si derri, pulat, delet etj.). E kjo, sepse Shenjti është pajtor i kafshëve shtëpiake.

Shën Antoni nuk e pati të lehtë të arrinte përsosurinë shpirtërore, duke kaluar një jetë kaq të ashpër, kaq të mënjanuar. Iu desh të kapërcente prova të vështira. Nisi të tronditej nga mendime të neveritshme, të dyshonte mbi dobinë e një jete kaq të vetmuar shpirtërore, që pak nga njerëzit e Kishës e ndiqnin, të joshej nga kënaqësitë e mishit, të tundohej nga dëshira për të grumbulluar pasuri, aq e përhapur në kohën e tij e në të gjitha kohërat.

Kërkoi atëherë ndihmën e vetmitarëve të tjerë që e këshilluan të mos trembej, por të ecte para me besim, sepse Zoti ishte me të e, si t’i shkëpuste të gjitha lidhjet me të mirat tokësore, të tërhiqej në një vend edhe më të vetmuar. E Antoni, i mbuluar vetëm me një copë leckë, u strehua në një varr të lashtë, hapur në shkëmb të gjallë, pranë fshatit Koma. Një mik i sillte herë pas here pak bukë; për të tjerat duhet të mendonte vetë, duke e shuar urinë me fryte pylli e bar fushe.

Këtu pati tundime edhe më të tmerrshme: shihte vegime të llahtarshme e zëra të çjerra i flisnin nga shkretëtira. U krodh në errësirë të dendur shpirtërore, por megjithatë, nuk e humbi kurrë shpresën në ndihmën e Zotit, duke bërë ditë për ditë vullnetin e tij, ashtu si e kishin këshilluar mësuesit vetmitarë.

Kur, më në fund, iu duk Krishti, duke e ndriçuar, ai e pyeti: “Ku ishe, o Zot? Pse nuk m’u duke që në fillim, për t’i dhënë fund vuajtjeve të mia?”. E menjëherë dëgjoi përgjigjen: “Anton, unë isha këtu, me ty e të ndihmoja për ta fituar betejën”.

Sigurisht që vetëm njerëz tepër të shëndoshë mendërisht mund ta përballonin një asketizëm të tillë, kaq të rreptë. Disa kalonin në çmenduri e pastaj nisnin t’i merrnin fantazitë e tyre si ndriçime hyjnore ose si tundime djallëzore. Po Antoni, me ndihmën e Zotit, i përballoi të gjitha tundimet e shejtanit, djallit të mallkuar që e zgjonte në zemër të natës e kështu me ndihmën e hirit të Zotit, Antoni u bë pikë referimi për shumë njerëz, që dëshironin t’i kushtoheshin jetës rregulltare e vetmitare.

Nisi atëherë të ngushëllonte të mjerët, të shëronte të sëmurët, të mësonte nxënësit e rinj, që shtuan radhët e vetmitarëve, duke krijuar dy grupe të mëdha, mbi bazën e të cilave u themeluan dy manastire, një në lindje të Nilit e tjetri në bregun e mëngjër të lumit, ku çdo murg kishte shpellën e tij vetmitare, por edhe ndihmën e njërit nga vëllezërit më të përgatitur për këtë lloj jete shpirtërore. E të gjithë kishin pranë Shën Antonin që u jepte këshilla për t’u përsosur shpirtërisht, të bashkuar me Zotin në çdo çast të jetës.

17 janar 2021, 08:44