Beata Vergine Maria Beata Vergine Maria 

Festa e Zojës së Papërlyer, ftesë për të ‘Madhëruar Zotin’

Këtë na kujton Ungjilli, kur përsërit pyetjen e drojtur, që Vasha i bën Engjëllit të Tënzot: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë?” "Maria s’u shtang, kur dëgjoi,/një Fjalë që askush para saj/s’e kishte dëgjuar,/e s’do ta dëgjonte as më pas./Madhëroi Perëndinë./Në Shëlbuesin galdoi/e veshin fort ia vuri zërit të Engjëllit,/që Fjalën t’ia kuptonte deri në fund./E e kuptoi:/Ai sytë i kishte prirë/mbi përvujtëri të shërbëtores së vet./E punë të mëdhá do të kryente/ në parzëm të saj të kulluar.

R.SH. - Vatikan

Festa e Zojës së Papërlyer, të Zënurit të Pafaj të së Lumes Marì Virgjër, është ftesë për të ‘Madhëruar Zotin’ së bashku me vajzën e Nazaretit. Është dita kushtuar së Zënës pa Mëkat”, “së Papërlyerës”. Përsërisim me nderim e emocion këtë emër misterioz. E përsërisin me mijëra besimtarë në të katër anët e botës, në shenjtërore e kapela, në kasolle e shtëpi të krishtera. Kudo jeton një bashkësi katolike, sot nderohet Zoja me këtë emër të mahnitshëm e të mrekullueshëm: “E Zëna pa Mëkat, Zoja e Papërlyer!”.

Ashtu si fëmija që ngre sytë tek fytyra e së ëmës e, duke e parë buzagaz, harron çdo frikë e çdo dhimbje, kështu edhe ne, duke i sjellë sytë nga Maria, shikojmë në fytyrën e saj ‘buzëqeshjen e Zotit”, pasqyrimin e panjollë të dritës hyjnore, gjejmë në të shpresa të reja për t’i përballuar problemet e dramat e botës.

Ajo na fton të flasim,
për njerëz që nuk kanë zë.
Jetën ta rrezikojmë
për ke e dron rrezikun.

Këtë na kujton Ungjilli, kur përsërit pyetjen e drojtur, që Vasha i bën Engjëllit të Tënzot:

“Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë?”(Lk 1, 26-38).

"Maria s’u shtang, kur dëgjoi,
një Fjalë që askush para saj
s’e kishte dëgjuar,
e s’do ta dëgjonte as më pas.
Madhëroi Perëndinë.
Në Shëlbuesin galdoi
e veshin fort ia vuri zërit të Engjëllit,
që Fjalën t’ia kuptonte deri në fund.
E e kuptoi:
Ai sytë i kishte prirë
mbi përvujtëri të shërbëtores së vet.
E punë të mëdhá do të kryente
në parzëm të saj të kulluar.
Guxoi Maria e pyeti:
“Si është e mundur?
Unë nuk njoh burrë!”.
“Në ty do të zbresë Shpirti Shenjt,
mbi ty do të shtrijë hijen e vet
pushteti i të lartit Zot
- tha Engjëlli e flatrat rishtas
rrahu drejt rrathëve të qiellit.
E Fjala u bë njeri;
Njeriu u gëzua
si gjethi i njomë në puhi
Fjala e mësoi
nga palca e urrejtjes me dalë,
si bima nga fara në pranverë".

Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Krijuesit, Maria krijoi kushtet që shpresa e mijëravjeçarëve të bëhej realitet, të hynte në botë e në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh.

Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi: “Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit. Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdridhur në dritën e paperëndueshme të atdheut të amshuar, shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!”.

07 dhjetor 2020, 15:43