Kërko

Kryqi i Krishtit Kryqi i Krishtit

Raporti Fides: gjatë këtij viti, janë vrarë 20 misionarë

Në panoramën e fotografuar nga Agjencia vatikanase, Amerika është kontinenti ku u derdh më shumë gjak gjatë vitit 2020. Përmenden edhe qindra meshtarë e murgesha, kapelanë të spitaleve e veprimtarë baritorë në fushën e shëndetësisë, si edhe ipeshkvijtë, viktima të pandemisë së koronavirusit

R.SH. - Vatikan

Rufinus Tigau, katekist katolik i dioqezës së Timika-s, në provincën indoneziane të Papuas, thjesht donte t’u fliste ushtarëve, për të ndalur dhunën. Gjatë një operacioni të ushtrisë indoneziane, pa se njerëzit e fshatit të tij ishin frikësuar e në rrezik. Doli përpara paqësisht, për t’u dhënë fund të shtënave. U vra me gjakftohtësinë më të madhe. Tigau është një nga laikët dhe katekistët, protagonistë të rinj të misionit të Kishës në mijëvjeçarin e tretë, siç dëshmohet nga lista e veprimtarëve kishtarë, vrarë gjatë vitit 2020, botuar nga Agjencia e lajmeve Fides, e Veprave Misionare Papnore.

“Primati” i trishtë i martirizimit i takon kontinentit amerikan

 Lista flet për prej njëzet misionarë të vrarë, ndërmjet të cilëve edhe gjashtë laikë, që shërbenin në kishë: përqindje e rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Krah tyre, tetë meshtarë, tre murgesha, dy seminaristë e një rregulltar. Përsa u përket zonave gjeografike, “primati” i trishtë i martirizimit i takon kontinentit amerikan, me tetë vetë në listë. Menjëherë pas, Afrika, me shtatë viktima, Azia me tre, Evropa me dy meshtarë të vrarë, që të dy në Itali.

Meshtarët dhe veprimtarët, viktima të koronavirusit

 Përveç kësaj, në kohën e pandemisë së koronavirusit, vë në dukje Fides, “qindra meshtarë dhe murgesha, kapelanë të spitaleve e veprimtarë baritorë në fushën e shëndetësisë, si edhe disa ipeshkvij, ndërruan jetë gjatë shërbimit, duke bërë çmos për të ndihmuar të prekurit nga sëmundja” e Covid-19. Vërtet, pas mjekëve, meshtarët e rregulltarët janë kategoria e dytë, që e kanë paguar më shtrenjtë impenjimin e tyre kundër pandemisë në Evropë. Sipas një raporti të pjesshëm të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), mbi katërqind meshtarë, të impenjuar në kujdesin mjekësor, ose baritor të besimtarëve, kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit, gjatë vitit 2020. Gjendja është e ngjashme edhe në anë të tjera të botës, pasi në pesë kontinentet, një nga tiparet e misionit të Kishës është kujdesi për të vuajturit dhe impenjimi në fushën e shëndetësisë, sidomos në vendet në zhvillim.

Sulmuar, rrahur e kërcënuar, për shkak të fesë

Siç vëren Agenzia Fides, listës së viktimave i duhet shtuar edhe aradhja e gjatë e veprimtarëve baritorë, ose e katolikëve të thjeshtë, sulmuar, rrahur, grabitur, kërcënuar, rrëmbyer e vrarë, si edhe strukturat katolike të vandalizuara, ose të plaçkitura. “Martirët e sotëm – pati thënë Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të 29 prillit - janë më të shumtë, në krahasim me martirët e shekujve të parë. U shprehim afërsinë tonë këtyre vëllezërve dhe motrave: jemi një korp i vetëm e këta të krishterë janë gjymtyrët e përgjakura të korpit të Krishtit, që është Kisha”.

 Nga të dhënat e agjencisë Fides, gjatë 20 viteve të fundit, rezulton se në gjithë botën, janë vrarë, për shkak të impenjimit të tyre fetar, 536 veprimtarë baritorë, përfshirë pesë ipeshkvij. Që nga viti 1980, viktimat janë 1224, përfshirë ato të gjenocidit në Ruanda, në vitin 1994. Një vazhdë dëshmitarësh të Krishtit, që, në çdo vend dhe në çdo kohë, u lënë pasardhësve një gjurmë të qartë dhe të ndritshme të Ungjillit.

30 dhjetor 2020, 12:46