Shën Nikolli, ipeshkëv Shën Nikolli, ipeshkëv 

Nata e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv

Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave.

R.SH. - Vatikan

Sonte besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv. Pra, Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam.

Shën Nikolla u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin e ndihmën për të varfrit, siç pohojnë shumë tregime e gojëdhëna që flasin për bamirësinë e dashamirësinë e tij ndaj nevojtarëve. Prandaj shën Nikolla është për të gjithë ne shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin.

Edhe ndër shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec. Kulti i nderimit të shën Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të Kishave të shumta kushtuar Shenjtit në tokat shqiptare. Kështu, në dokumentet e Farlatatit, shkruan në shekullin XVIII, lexojmë: “Në krahun ku ndodhet Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, pak më nga jugu, prapa kështjellës, dukej një Kishë madhështore me gurë të skalitur, shiheshin rrënime e shumë mure akoma në këmbë.....Ishte Kisha e Shën Nikollit....Turqit nuk guxonin të preknin aty asnjë send...aq i madh ishte nderimi për Shenjtin”.

Gjithnjë sipas Farlatit, andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit.....”. “Duke ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit. Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë – në kremtimin liturgjik të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për shën Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin ditën e festës. Emrin e kësaj Kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”. Kështu shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare.

Një tjetër Kishë e Shën Nikollit ka qenë ngritur që para pushtimit turk në Shkodër, në lagjen Rus, sot e rindërtuar shumë bukur, pas rrënimit të saj të plotë bërë nga komunistët. Po sigurisht që Kisha më e njohur e shën Nikollit në trevat shqiptare është Kisha Katedrale në Lezhë, seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Shën Nikolli nderohet e lutët edhe në shumë vende të dioqezës së lashtë shqiptare të Tivarit, në Mal të Zi. E Kisha kushtuar nderimit të shën Nikollit kemi edhe në Kosovë, ajo e bashkësisë famullitare të fshatit Velezhë të Prizrenit, ndërtuar nga dom Nikollë Mini. Po kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi e shumë kapela tjera.

Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës së Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë të flijohet një gjel ( këndes ); ndër shqiptarë të Kosovës – një qengj. E sidomos është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të darkojnë së bashku e me miq, të ndezin qiriun e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë “Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit së bashku përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive.

Pra, të gjithë atyre që e lusin këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.

Lutja Shёn Nikollit

O i lёvdueshmi shenjti shёn Nikollё, shtylla e Kishёs shenjte, qi me atё dije dhanё prej Zotit, e me atё zemёr plot me zell, luftove kundёr sa e sa njerёzve tё dalun jashta rrugët e jashta fesё shenjte, po tё lutemi tё na nxjerrёsh prej Tenzot njё hire tё mёdha si pёr shpirtat tonё, ashtu edhe pёr shёlbimin e gjithkujt.

O Hyj, ti qi e shqove shenjtin shёn Nikollё, ipeshkёv, me mrekulli tё panumёrta, ban, po tё lutemi, qi nёpёr meritime e lutje tё tija t’i shpёtojmё zjarrit tё ferrit. Ashtu kjoftё!

(nga Shujta shpirtёrore, libёr uratёsh pёrplue nga dom Gaspёr Gjini, Drita 1987).

 

 

05 dhjetor 2020, 16:28