Panoramë e Jeruzalemit Panoramë e Jeruzalemit 

Krishtlindje, patriarkët e Kishës së Jeruzalemit: Zoti është me ne, gjithnjë!

Mesazhi i Krishtlindjes, që arrin nga Jeruzalemi, flet për dritë e shpresë, me sytë ngulur tek Zoti, që na shoqëron në çdo rrethanë. Kujtohen edhe bashkësitë e ndryshme fetare në Tokën Shenjte, si shenjë shumë e çmuar për viset ku lindi Krishti e edhe për botën.

R. SH. - Vatikan

“Lindja e Jezusit nuk është vetëm fakt historik, por edhe e kryesisht  dhuratë e përhershme, që i bëhet mbarë gjithësisë”: kështu shkruajnë, në mesazhin e tyre të Krishtlindjes, patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit, duke nënvizuar se “dhurata e Zotit për ne, në këto kohë të vështira, i sjell mbarë krijimit shpresë, përtëritje, inkurajim”. Liderët fetarë ndalohen posaçërisht tek këto kohë jo të zakonshme, kohë pandemie, krize ekonomike, padrejtësish e dhune në rritje kundër njerëzve të ligësht e të pambrojtur.“Prania e Zotit-me-ne në të gjitha rrethanat, është burim inkurajimi e mbështetjeje” - nënvizojnë, duke u shprehur solidaritetin e  tyre të gjithë njerëzve në mbarë botën, që u prekën nga pandemia e nga pasojat e saj në të gjitha nivelet, duke u ndaluar posaçërisht tek popullsia e Betlehemit dhe zona përreth. Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit  sigurojnë se luten që “vaksinimi i ardhshëm kundër Covid-19 të sjellë fundin e pandemisë e rikthimin në jetën normale”.

Mesazhi, më pas, kujton se “prania e bashkësive të krishtera, së bashku me bashkësitë e tjera në Tokën Shenjte, vijon të jetë pjesë themelore e mozaikut shoqëror, kulturor dhe fetar të Lindjes së Mesme” e shton  se dhunimi, kohët e fundit, i Kishës së Agonisë, në Jeruzalem, nuk do t’i trembë të krishterët, të cilët do ta vijojnë misionin e tyre paqësor të dëshmisë.

“Jezusi lindi në një periudhë angushtie, dhune, përjashtimi e varfërie - përfundojnë patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit - U bë njeri, si ne, me kufizimet tona, përveç mëkatit që, përmes mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Tij,  ne të gjithë të mund të kemi jetë e ta kemi me begati”.

19 dhjetor 2020, 10:57