Atë Patton pranë një kishe të posazbuluar pranë Gjetsemanit Atë Patton pranë një kishe të posazbuluar pranë Gjetsemanit 

Krishtlindje në Tokën Shenjte. Fra Patton: me pandeminë, rizbulojmë Jezusin

Në Betlehemin pa shtegtarë, nisin sonte kremtimet e Krishtlindjes. Rojtari i Tokës Shenjte i fton besimtarët t’i shuajnë për një çast dritat e qytetit, që të shndriten nga drita e lindjes së Birit të Zotit.

R. SH. - Vatikan

Me hyrjen sonte në kishën e Shën Katerinës, në Betlehem të patriarkut të Jeruzalemit, imzot Pierluigi Pizzaballa për të kremtuar Meshën e Mesnatës, në Tokën Shenjte nisin edhe kremtimet për Krishtilindjen 2020, Festë që ndryshon shumë sivjet. Festë me masa parandalimi e pa shtegtarët, që zakonisht rrajnë nga mbarë bota për ta kremtuar Krishtin, pikërisht aty, ku lindi! Ëndërr, që e ka çdo i krishterë. Po kjo nuk i pengon besimtarët ta ndjejnë fort, madje edhe më fort se çdo vit, ardhjen e Krishtit, e ta kuptojnë më thellë ç’do të thotë Krishtlindje. Kështu shprehet atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, në një  intervistë dhënë Vatican News:

“Këtë vit  Krishtlindja do të kremtohet pa madhështinë e viteve të kaluara, sepse vitet e kaluara Betlehemi ishte përplot me shtegtarë, të pranishëm sapo niste Koha e Ardhjes. E sivjet është fare bosh! Faleminderës Zotit  është  bashkësia vendase, që e ndjen fuqimisht Krishtlindjen dhe e kremton me gëzim, edhe pse e rrethuar në të katër anët nga pandemia, që e ka prekur rëndë Betlehemin. Mjafton të kujtojmë se 40% e popullsisë u prek nga sëmundja gjatë këyre dhjetë muajve”.

Duke e jetuar kështu, a mendoni se kjo Krishtlindje mund të jetë  mundësi për t’u rikthyer tek kuptimi i vërtetë i lindjes së Krishtit, siç na e kujton Papa?

“Veçantia e kësaj Krishtlindjeje është se të gjithë ne po e jetojmë të njëjtën situatë, të prekur rëndë e nga afër, kush më pak e kush më shumë, nga pandemia. Kështu, ndoshta, do ta kuptojmë më mirë Shëlbuesin. Sepse për Krishtlindje Krishti paraqitet si shpëtimtar, e ky është edhe lajmi që na sjellin engjëjt. Krishti erdhi për të na shpëtuar. Natyrisht e ka për zemër edhe jetën tonë fizike, shëndetin tonë. Ndonëse, për fat të keq më duket se ka shumë njerëz që e presin më me padurim vaksinën, se Krishtin! Prej këndej, duhet të rikthehemi tek kuptimi i Krishtlindjes. Të kuptojmë ndryshimin që ka zgjatja e jetës tokësore nga jeta e vërtetë në Krishtin Jezus, jetë që nuk vdes kurrë më.  E se shëlbimi nuk vjen nga vaksina, por nga Mesia, që i jep jetë - jetës!”.

E gjithë bota - e nuk mund të jetë ndryshe - i ka sytë të ngulur tek Toka e Shenjtë. Në këtë Krishtlindje e këtë vit të posaçëm, ç’ mesazh  e ndjeni se mund t’i jepni besimtarëve të mbarë botës?

“Nga Toka Shenjte arrin gjithnjë jo vetëm mesazhi i kontradiktave të njerëzimit, por edhe mesazhi i shpresës së fuqishme, që flet në të gjitha gjuhët. Më pëlqen shumë figura e përdorur nga Shën Gjoni në prologun e Ungjillit të tij, për të përshkruar misterin e Mishërimit. Na kujton se drita shndriti në terrina e se Biri i Zotit që lind, është dritë, që e ndriçon çdo situatë të pushtuar nga pasiguria. Gjë që na kujton se edhe kur është dritëz e vogël e një foshnjeje të posalindur, është gjithnjë më e fortë se errësira! Ndaj do të dëshiroja që të gjithë t’i shuajmë simbolikisht dritat, për t’ia ngulur sytë dritëzës së vogël, që shndrit gjithë botën nga Shpella e Betlehemit, dritës, që shkëlqen nga fytyra e këtij Fëmije. Duke e gjetur Atë, gjejmë edhe shpresën, sado e humbur që të na duket. E gjejmë edhe kuptimin më të thellë të jetës sonë, jetës së botës e të gjithësisë!”.

24 dhjetor 2020, 14:30