Vatican News
Corona di Avvento, seconda domenica di Avvento Corona di Avvento, seconda domenica di Avvento 

Fjala e Zotit e Dielës së 2-të të Ardhjes “B”

Koha e Ardhjes është pritje e përgatitje shpirtërore. Ndërsa përkujtojmë ardhjen e parë të Jezusit në histori, Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton të vihemi në perspektivën e Ardhjes së dytë të Mbretërisë së Tij Hyjnore. Në pritje e përgatitje shpirtërore për Ardhjen e Krishtit në jetën tonë, në këtë të diele të dytë e të tretë të Ardhjes, na ndihmon shembulli dhe figura e Shën Gjon Pagëzuesit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të Dielës së Dytë të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.

Edhe në këtë të Dielë të dytë të Ardhjes, Fjala e Zotit na fton të meditojmë mbi ardhjen e Zotit, dhe e bën këtë përmes figurës së Gjon Pagëzuesit, pёrmes atij që përmbledh në vetvete të gjithë Besёlidhjen e Vjetër dhe e bashkon atë me Besёlidhjen e Re, pararendësi i Mesisё Jezus, si në jetë ashtu edhe në vdekje. Pra, vazhdojmë të përgatitemi për Krishtlindjen e Shenjtë, që është njëra prej festave më të rëndësishme e më të këndshme të kalendarit të fesë së krishterë, duke ndjekur udhëzimet e Isaisë profet dhe të Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Jezu Krishtit. 

Fjala e Zotit e Dielës së 2-të të Ardhjes “B” e homelia ga dom Dritan Ndoci

Krishtlindja nuk është një datë çfarëdo e kalendarit, por rast i volitshëm për ta pranuar Zotin që vjen në jetën tone. Për këtë, është e domosdoshme një përgatitje e përshtatshme shpirtërore e konvertim që, siç paralajmërojnë profeti Isaia dhe pararendësi Gjon Pagëzuesi, qëndron në përgatitjen e udhëve të zemrës sonë.

Fjala e Zotit e dielës të Dytë të Ardhjes na parqet dy lajmëtarë të mëdhenj të ardhjes së Zotit tonë Jezu Krisht. I pari është profeti Isaia ( Leximi I Is 40,1-5.9-11) që nxit të jemi të guximshëm e të shpresojmë në shpëtimin që vjen nga Hyji, pse koha e sprovës ka mbaruar e mëkatet janë shlyer e falur. Tani kumtohet një Besëlidhje e Re: vet Hyji kthehet dhe ecën me popullin e vet udhës së re që hapen në shkretëtirë. Ai do të marshojë para si bari i madh i Izraelit e, pas tij, si grigjë, populli i zgjedhur.

Lajmëtari dytë, që evokon Isaia, është pararendësi Gjon Pagëzuesi (Ungjilli Mk 1,1-8). Risia e parë që kumtohet: Pagëzuesi përvijon figurën e Mesisë si “të fortë” e sovran të vetëm të historisë njerëzore. Risia tjetër është pagëzimi i Gjonit, që mbarështohet me ujë, si shprehje e një pastrimi të thjeshtë nga mëkati, ndërsa ai i Jezusit, dhuruar nga Shpirti Shenjt Zot, do të jetë shartim i plotë në Hirin e shenjtërimit që e shndërron besimtarin në bij të Zotit dhe e bënë trashëgimtar të “qiellit të ri e të tokës së re, ku banon drejtësia” (Leximi II 2Pt 3,8-14))

Koha e Ardhjes është kohë pritjeje e përgatitjeje shpirtërore. Ndërsa përkujtojmë ardhjen e parë të Jezu Krishtit në histori,  Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton të vihemi në perspektivën e Ardhjes së Dytë të Mbretërisë së Tij Hyjnore. Në pritje dhe përgatitje shpirtërore për Ardhjen e Krishtit në jetën tonë, si në këtë të diele të dytë, po kështu edhe në të dielën e tretë të Ardhjes, na ndihmon shembulli dhe figura e Shën Gjon Pagëzuesit. Ai vazhdon akoma, në Kishë, misionin e tij të parapërgatitjes së mirë të popullit që vërtet e pret Mesinë e Shpëtimin e Hyjit. Përveç thirrjes për t’u kthyer tek Zotit, Gjon Pagëzuesi na mëson se si të identifikohemi e të mishërohemi me Fjalën e Zotit. 

                                                  LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 40, 1-5. 9. 11.)
Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar .Hyji e bën ecjen drejt tokës së premtuar pa rreziqe dhe vështirësi të mëdha, duke i zbuluar popullit se Ai vjen për të jetuar me të.

Lexim prej Librit të Isaisë profet 
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.” 
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” 
Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; ngrihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit !

Psalmi 85 (84) 
Ref: Na e trego, o Zot, mëshirën tënde
         Dhe na jep shëlbimin tënd. 

_____________ 
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen. 
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
_____________ 
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
_____________ 
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
_____________ 
 

Leximi i dytë (2 Pjt 3, 8-14)
Të krishterët e parë për një gabim të parashikimit të së ardhmes pritnin menjë-herë ardhjen e Zotit. Por Zoti, para se të kthehet, pret përfundimin e historisë njerëzore që ne nuk e njohim. Për këtë Ai provokon dishepujt e tij të jetojnë konkretisht jetën e tyre në botë sikur Zoti po vjen tani. Të krishterët janë ata që jetojnë çdo ditë në mënyrë aktive duke pritur ardhjen e Zotit.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull
Një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme. Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen. 
Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krizmë, elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.
Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri, ju që e prisni dhe e shpejtoni ditën e ardhjes se Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. Ne veç, sipas premtimit të tij, presim qiellin e ri dhe tokën e re, ku banon drejtësia. Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe! Fjala e Zotit!

Aleluja. Aleluja.
Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! 
Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit. Aleluja.

Ungjilli (Mk 1, 1-8) 
Ungjilltari Marku shpall Ungjillin si një “lajm të mirë” të përjetshëm, drejtuar një populli që pret realizimin e vetë shpresës. Gjon Pagëzuesi i shpall popullit të Izraelit ardhjen e Mesisë: Ai është “zëri” që thërret në shkretëtirë, aty ku populli i Hyjit maturohet nëpërmjet vështirësive. Ai denoncon gënjeshtrat dhe padrejtësitë e njerëzve, dhe shpall se ardhja e Hyjit kërkon pendesë dhe kthimin e zemrave. 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut 
Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit. Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet: “Qe, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje që do ta bëjë gati udhën tënde; është zëri i njërit që bërtet në shkreti: Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija”. 
Në shkreti u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan. 
Gjoni ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Në predikimet e veta thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Fjala e Zotit!

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci: E DIELA II E ARDHJES - NË SHKRETI U DUK GJON PAGËZUESI!

 

Is 40, 1-5. 9. 11; Ps 85 (84); 2 Pjt 3, 8-14; Mk 1, 1-8

Sot në të gjitha kishat është ndezur edhe qiriu i dytë në kurorën prej katër qirinjve që kemi të zbukuruar nëpër kishat tona në këtë kohë të Ardhjes. Janë si katër dritëza që duan të na ndihmojnë të hapim zemrat tona, apo më saktë t’i lejojmë zemrat tona të ndriçohen nga Hiri Hyjnor i cili na fton për kthim kah Zoti e për përmirësim të vazhdueshëm të jetës sonë, deri sa të takojmë Jezusin, Dritën e botës.

Edhe Shkrimi Shenjt i “ndez” dritëzat e veta gjatë këtyre katër të dielave të kohës së Ardhjes e, dritëza e kësaj të diele, është personi i Gjon Pagëzuesit, i cili erdhi si pararendës i Jezusit, si ai që do ta përgatiste popullin e Izraelit – e, në një farë mënyre, mbarë botën – për ta njohur Mesinë tashmë të pranishëm në këtë botë.

Duhet të themi menjëherë se, në predikimet e tyre, apostujt e ungjillizuesit e parë të krishterë, duhet të jenë ndeshur me një vështirësi reale në lidhje me personalitetin e Gjon Pagëzuesit. E, vështirësia, nuk ishte për ndonjë faj të Gjonit, por për atë që shumica e popullatës në Izrael kishte kuptuar në lidhje me të.

Edhe në Ungjill shpesh mund të shohim se si njerëzit kishin filluar ta mendonin seriozisht nëse Gjoni ishte Mesia i pritur apo jo. Disa madje thuhet se shkuan dhe e pyetën drejtpërdrejt Gjonin mbi këtë çështje. Gjoni vazhdimisht u përgjigjej se nuk është ai Mesia, por ishte thjesht i dërguar për të përgatitur ardhjen e Tij apo më saktë pranimin e Tij nga ajo brezni, por, me sa duket, as Gjoni vetë nuk ia kishte arritur që ta ndalte atë mekanizëm nderimi që ishte ndezur kudo në Izrael ndaj tij, nderim i cili pastaj u shtua përtej çdo parashikimi me martirizimin e tij.

Prandaj të gjithë ungjilltarët janë shumë të kujdesshëm që të mos e lënë pa e përmendur Gjon Pagëzuesin në faqet e ungjijve të vet. Jo thjesht ta përmendin, por edhe të “shpejtojnë” që, qysh në fillim, të bëjnë të thuhet nga goja e vetë Gjonit se Mesia nuk është ai por Jezusi.

Tani e kuptojmë se përse, qysh në rreshtat e tij të parë, Shën Marku Ungjilltar thotë menjëherë: «Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit» e, menjëherë pas, fillon të flasë për Gjon Pagëzuesin si ai që ka ardhur të përgatisë rrugën e pranimit të Jezu Krishtit.

Fjalët e para që thotë Gjon Pagëzuesi në Ungjillin e Markut na lënë të kuptojmë atë “ngut” që thamë se, me sa duket, e kishin të gjithë ungjillëzuesit e parë të krishtërimit: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt». Druheshin ungjillizuesit se njerëzit do të besonin ende se Mesia ishte Gjoni e jo Jezusi, prandaj të gjithë i shkruanin e i thoshin këto fjalë me gojën e vetë Gjonit.

E, në fakt, personaliteti i Gjonit ishte vërtetë i rrallë. Ishte vërtetë një dritëz që i afronte njerëzit me Zotin. Është hir i rrallë i Zotit kur na bën të takojmë njerëz që janë vërtet «njerëz të Hyjit». Ekzistojnë edhe në kohën tonë, kanë ekzistuar në çdo epokë e patjetër do të ketë gjithnjë të tillë. Këta njerëz ua kujtojnë breznive në të cilat jetojnë se njeriu nuk qenka i aftë vetëm për të bërë keq, por edhe për të bërë mirë, për të qenë i mirë, i patëkeq, i pafajshëm, i Hyjit.

Për Gjonin, vetë Jezusi ka thënë fjalët më të mëdha: «Gjoni është më tepër se një profet... Ndër ata që u lindën prej grash nuk u gjet asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi».

Ungjilli i sotëm na tregon stilin gati të pabesueshëm të jetës që Gjoni bënte në shkretëtirë, në lutje e në pendesë: «Ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër». E, edhe pse përpiqej të rrinte larg nga turmat, ishin turmat ata që e kërkonin: «Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai». Martirizimi i tij heroik pastaj, për shkak se qortoi jetën mëkatare të Herodit, e bëri edhe më të dashur për turmat. Një dritëz e vërtetë ishte, pra, ky njeri, i lindur vetëm gjashtë muaj para Mesisë. Me jetë e me vdekje foli vetëm e vetëm për ardhjen e Tij.

Në Gjonin ungjilltarët kanë parë të plotësohen pjesët e Besëlidhjes së vjetër, sidomos ajo pjesë që dëgjuam sot të shkëputur nga leximi i parë: «Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot!”». Tekst të cilin edhe Ungjilli i sotëm e citon.

Në këtë kohë të Ardhjes, figura e Gjoni përzgjidhet nga Kisha për të na ndihmuar ta kapim edhe ne praninë e Zotit në mesin tonë. Në fakt, koha e Ardhjes nuk ka për qëllim vetëm të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi për Ardhjen e parë të Jezusit para dymijë vjetësh e as vetëm të na përgatisë për Ardhjen e Tij të dytë në fundin e kohëve, por dëshiron të na mësojë edhe ta “shohim”, ta vërejmë Ardhjen që çdo ditë Zoti bën në jetën tonë. Gjoni nuk thoshte se Mesia do të vinte, por se Ai tashmë ishte në mes të njerëzve.

Shpesh, madje gjithmonë, kemi nevojë për njerëz që na ndihmojnë “ta shohim” Hyjin. Kemi nevojë për shembuj jete që na afrojnë me Hyjin. Kemi nevojë jo vetëm për shembuj, por edhe për njerëz të aftë që të na mësojnë e të na ndihmojnë të dijmë t’i lexojmë shenjat e Hyjit në jetën tonë. Gjoni i bënte të dyja këto: mësonte dhe jepte shembull jete.

Është gjithmonë e vërtetë se mësimi më i bukur është shembulli i jetës. I Lumi Pali VI, Papë, shkruante: «Njeriu bashkëkohor i dëgjon më me ëndje dëshmitarët se sa mësuesit, ose, nëse i dëgjon mësuesit, i dëgjon kur ata janë dëshmitarë». Turma e dëgjonte Gjonin si mësues, ngaqë ai ishte një dëshmitar i mirë. E në fakt si dëshmitar, si martir pra, do ta mbyllte jetën.

Rreth nesh unë jam i bindur se kemi shumë dëshmitarë: të shumtën e rasteve ata janë prindërit tanë apo gjyshërit. Shumë shenjtër janë bërë të tillë duke e “thithur” ajrin e shenjtërisë nga prindërit e vet. Njëra prej Shenjtëreshave më të njohura në Kishë, Shenjta Terezë e Jezusit Fëmijë, shkruante në kujtimet e saja se, kur ishte e vogël, mënyra se si lutej i ati, i bënte shumë përshtypje. Mbrëmjeve, kur ajo ishte ende një vogëlushe, familja e saj (vajzat dhe babai, sepse e ëma u kishte vdekur shumë herët), mblidhej për ta mbyllur ditën me lutje. Shenjtja Terezë shkruante në lidhje me të atin: «Më mjaftonte ta shihja, që kështu të dija se si luteshin shenjtërit».

Pastaj na ndihmojnë pa masë shumë e shumë njerëz që shpesh herë na prekin me thjeshtësinë e jetës së tyre e me thjeshtësinë e fesë së sinqertë që kanë në Zotin.

Prekemi shpesh edhe nga dëshmia e shumë njerëzve që jetojnë larg nesh. Nga shenjtër të gjallë që shpesh e mbushin botën me dëshminë e fesë së tyre, me mirësinë që arrijnë të përcjellin dhe me pasionin që kanë që njerëzimi të përparojë në paqe e mirëqenie.

Ndihmohemi shumë nga shenjtërit që kanë jetuar në këtë botë shumë kohë më parë, si edhe nga martirët që kanë rënë heroikisht për fenë.

Ndihmohemi nga libra e shkrime plot fe e urti që njerëz të ndryshëm i kanë lënë trashëgimi botës, shkrime të cilat shpesh na ndihmojmë t’i shohim shumë ndryshe gjërat përreth nesh e jetën tonë si të krishterë.

Ndërkohë që presim Ardhjen e Jezusit në fundin e kohëve, pra, jemi të thirrur edhe ne që të dimë ta dallojmë praninë e Zotit në jetën tonë dhe, me vepra e me fjalë, të përpiqemi t’ua shpallim këtë prani edhe të tjerëve.

Në letrën e tij, edhe Shën Pjetri na porosit që të bëjmë pikërisht kështu: «Sipas premtimit të tij, ne presim “qiellin e ri dhe tokën e re”, ku banon drejtësia. Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe!»

Të gjithë shenjtërit që rreshtuam më sipër, në një farë mënyre janë përpjekur që të bëjnë kështu. Janë përpjekur që, si Gjon Pagëzuesi – i cili e përgatiti me jetë e me fjalë popullin e Izraelit për takimin me Mesinë – ta shpallin edhe ata praninë e Jezusit në mes nesh që vepron gjithnjë në histori. Si Gjon Pagëzuesi, ishte dashur të bënim edhe secili prej nesh. Edhe ne mund të jemi një dritëz në botë.

Dom Dritan Ndoci

 

05 dhjetor 2020, 09:26