Papa në Shtëpinë e Loretos Papa në Shtëpinë e Loretos 

Festa e Zojës së Loretos: shtëpia e Marisë është shtëpia jonë

Shtëpia e Shenjtë e Loretos u ngrit mbi rrugë. Gjë që do të thotë se nuk është ndonjë shtëpi private, nuk i përket një personi, apo një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë dhe e ndeshim, si të thuash, në rrugën e secilit prej nesh. Prandaj, t’ia besojmë Zojës, jetën dhe familjen tonë, popullin e mbarë njerëzimin.

R. SH. - Vatikan

Më 10 dhjetor kalendari Kishtar përkujton të Lumen Mari Virgjër të Loretos, që lidhet ngushtë me Shtëpinë e Shenjtë të Nazaretit. Në Bazilikën e Loretos, sipas traditës, ruhet Shtëpia e Zojës, e cila është sjellë nga Nazareti, pas rënies së Mbretërisë së Kryqtarëve, më 10 dhjetor 1294.

Festa e Zojës së Loretos na kujton se Maria na mëson se ku është Zoti, aty jemi në shtëpi tonë. Kur shtegton në Loreto, nuk mund të mos prekesh thellë nga historia e nga pamja madhështore e shenjtërores së Zojës së Bekuar. Zemra e kësaj oaze mariane është një shtëpi, sipas traditës, vetë shtëpia ku jetoi Virgjëra Mari. Pikërisht në këtë shtëpi, ku ndjehet fort fryma e jetës e të gjitha kohëve, që i hapin syrit të njeriut horizonte përtej gurëve të një ndërtese.

Ku banon Zoti, duhet ta pranojmë se jemi të gjithë në shtëpi tonë; ku banon Krishti, vëllezërit e motrat e Tij nuk janë më të huaj. Maria, Nëna e Krishtit, e edhe Nëna jonë, na hap portën e shtëpisë së saj, na prin për të hyrë në vullnetin e Birit të saj. Ja, ky është mësimi më i çmuar, që mund të nxëmë në shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto.

Feja na bën të banojmë, të rrimë në këtë shtëpi, por edhe të ecim në udhët e jetës. Por shtëpia e Loretos, na jep edhe një mësim tjetër: kjo shtëpi qe e vendosur në një rrugë. Mesazh i rëndësishëm, ky, sepse nuk është shtëpi private, nuk i përket një njeriu a një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë, në rrugën ku kalojmë të gjithë ne. Atëherë mund të themi se në Loreto të Italisë, gjejmë një shtëpi, që na bën të rrimë, të banojmë, e njëkohësisht, të ecim; na kujton se jemi të gjithë shtegtarë, për udhë drejt një banese tjetër, drejt shtëpisë së fundme, drejt Qytetit të amshuar, banesës së Hyjit me njerëzimin e shpërblyer. 

Por nuk duhet harruar kurrë se për ta hapur portën e kësaj shtëpie, për t’i hapur portat e Zotit, duhet t’i themi ‘po’, lirisht, ashtu si bëri Virgjëra Mari. Zoti, na kujton festa e 10 dhjetorit, kërkon pranimin e lirë të Marisë, për t’u bërë njeri. Sigurisht ‘po’-ja e Marisë Virgjër është fryt i hirit hyjnor. Por hiri nuk e zhduk lirinë, përkundrazi, e krijon dhe e mbështet. Feja nuk i heq asgjë krijesës njerëzore, përkundrazi, i siguron kushtet për realizimin e plotë e përfundimtar.

Së fundit, duam të nënvizojmë një veçori të Shtëpisë së Shenjtë të Loretos: ajo u ngrit mbi rrugë. E kjo do të thotë se ajo nuk është ndonjë shtëpi private, nuk i përket një personi, apo një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë dhe e ndeshim, si të thuash, në rrugën e secilit prej nesh. Prandaj, t’ia besojmë Zojës, jetën dhe familjen tonë, popullin e mbarë njerëzimin, dhe ngjarjet e mëdha kishtare, që përgatitemi të jetojmë në festën e Krishtlindjes.

10 dhjetor 2020, 16:05