Comece, BE-së për strategjinë Covid-19: “Është tejet e rëndësishme të dialogohet me Kishat”

Masat kundër koronavirusit nuk mund të merren pa dialog me Kishat: këtë kërkon Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece), në një komunikatë drejtuar krerëve të Evropës.

R.SH. - Vatikan

Me rastin e takimit të fundvitit të Komitetit të Përhershëm të Comece-s, të martën, më 15 dhjetor, ipeshkvijtë komentuan Strategjinë e Komisionit Evropian mbi “Mbrojtjen nga Covid-19 gjatë dimrit”. Në një komunikatë për shtyp, ata shprehin kënaqësinë për koordinimin e Brukselit në luftën kundër pandemisë aktuale, por i nxitin institucionet evropiane të konsultohen me Kishat dhe me bashkësitë fetare, veçanërisht kur është fjala për vendime, që kanë ndikim në çështjet e fesë.

Pas botimit të strategjisë së Komisionit Evropian, të mërkurën, më 2 dhjetor, Comece kujton impenjimin e parashikuar në Nenin 17 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Në të vihet në dukje se konsultimi me Kishat dhe bashkësitë fetare është i rëndësishëm kur në dokumentet evropiane bëhet fjalë për çështje fetare, ose për probleme që ndikojnë në to.

Dokumenti i miratuar nga Komisioni Evropian i këshillon shtetet anëtare që, nëse është e mundur,  “të shmangen shërbimet e mëdha fetare e të përdoret transmetimi me internet, televizion, ose radio, në rastin e kremtimeve liturgjike”. Gjithashtu, nuk lejon të këndohet në kore kishtare, pasi kjo do të shkaktonte grumbullimin e njerëzve dhe rritjen e mundësisë së infektimit me koronavirus. Ndërsa shpreh mirëkuptimin për këto këshilla, Comece kritikon metodën e miratimit të tyre. Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian nënvizon se marrëdhëniet shtet-Kishë kanë natyrë kombëtare, prandaj Brukseli nuk mund të ndërhyjë në to.

“Mungesa e kompetencës së BE-së – pohon atë Manuel Barrios Prieto, Sekretar i Përgjithshëm i Comece-s - duhet të jetë një arsye më shumë për institucionet evropiane që t’i pyesin autoritetet fetare kur marrin në shqyrtim rekomandime jo-të detyrueshme për çështje që lidhen me kremtimet liturgjike, në respekt të plotë të lirisë së fesë”.

 Nëse këto masa merren pa u këshilluar me Kishën dhe me bashkësitë fetare, shkruhet së fundi në komunikatë, mund të vihen në rrezik përpjekjet e shteteve anëtare të BE-së, gjatë muajve të fundit, për të siguruar respektimin e sigurisë kundër koronavirusit në të gjitha kremtimet fetare, pa cënuar lirinë e fesë.

18 dhjetor 2020, 12:23