Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit: kush është Gjoni?

Fillojmë sot komentin e Letrës I të Gjonit, por para se ta përshkojmë, na duhet të sqarojmë kush ishte në të vërtetë shën Gjoni. Ndjekim, si gjithnjë librin “Është ora e leximit të Biblës” të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Cili është problemi më i ndërlikuar në Besëlidhjen e Re? Sigurisht, ai që quhet “çështja e Gjonit”. Kemi tre Ungjij të ngjashëm ndërmjet tyre, ndërsa i katërti, ai i shën Gjonit, është i ndryshëm. E pikërisht në Ungjillin e katërt flitet për njërin nga apostujt si për “dishepullin, që Jezusi e donte fort”. Por këtij dishepulli, të cilin në Ungjill e gjejmë gjithnjë pranë shën Pjetrit, nuk i tregohet emri, megjithëse tradita, që në zanafillë, e ka identifikuar si Gjoni, biri i Zebedeut, dishepull i shën Gjon Pagëzuesit, që së bashku me shën Andreun, ishte ndër të parët që ndoqi Jezu Krishtin.

Në Besëlidhjen e Re kemi pra, një Ungjill, tri Letra dhe Zbulesën, që i atribuohen këtij apostulli: është fjala për “korpusin e Gjonit”.

Studiuesit mendojnë se është e pamundur që versioni i Ungjillit sipas Gjonit, të cilin e lexojmë në ditët tona, të jetë i njëjtë me atë të shkruar nga Gjoni. Teksti i parë është integruar më vonë nga bashkësia e tij, në të cilën tradita na flet për një tjetër Gjon (presbiter, ose ungjilltar). Këtij ambienti e këtij autori i duhet atribuar versioni përfundimtar i Ungjillit të katërt, i Letrave dhe i Zbulesës.

Por le ta shohim pse është kështu. Në kapitullin 20 të Ungjillit sipas Gjonit, pas dukjes së Jezu Krishtit para apostujve e para shën Tomës, gjejmë këto rreshta:

“Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij” (Gjn 20,30-31).

Ata, që e kanë lexuar Ungjillin, e dinë se në këtë përfundim arrihet duke u nisur nga “libri i shenjave” (Gjn 1-12) për të mbërritur deri në këmbët e kryqit, ku apostulli pohon:

“Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni” (Gjn 19,35)

Kjo është pena e atij, që ka qenë nën kryq, e ka kundruar të Kryqëzuarin, e ka parë të Ringjallurin e shkruan, duke u premtuar jetën e amshuar atyre, që do t’i besojnë Jezu Krishtit.

Por, pastaj, vjen kapitulli 21, që i kushtohet, përveç dukjes së Jezusit në liqenin e Tiberiadës, edhe marrëdhënieve ndërmjet shën Pjetrit e shën Gjonit, ndërmjet Kishës së Pjetrit e asaj të Gjonit.

Le ta kujtojmë skenën. Apostujt në liqen janë shtatë, jo dymbëdhjetë. Janë kthyer tek peshkimi e duket sikur s’kanë ndërmend të “peshkojnë njerëz”. Mbërrin Jezusi e ata nuk e njohin. Në rrjeta, asnjë peshk. Ashtu si vite më parë, ky i panjohur u thotë të hedhin rrjetat e ndodh mrekullia: rrjetat mbushen me peshk. Kush e njeh Krishtin? Është Gjoni, që thotë: “Ky është Zotëria!”. Më pas është Pjetri ai, që merr peshqit nga rrjeta e u përgjigjet tri pyetjeve të Jezu Krishtit. Ungjilli ia njeh rëndësinë e, megjithatë, në gjithë tekstin, duket sikur figura e Gjonit i mbivendoset. Fundi i kapitullit 21 duket sikur e konfirmon këtë:

“Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri - iu përgjigj - Ti e di se të dua!”.

“Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!”

“Simon Gjoni, a më do?” …”Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” (Gjn 21,15.16.17)

Ky është versioni zyrtar, që e lexojmë në të gjitha kishat, por në greqisht ka një lojë fjalësh, që na shpjegon si duhet kuptuar bashkësia e Gjonit. Dy herë me radhë Jezusi pyet “Agapas me?”, që ka të bëjë me dashurinë e mirëfilltë e, shën Pjetri përgjigjet “Philo te”, që ka të bëjë me mirëdashjen. Herën e tretë, Jezu Krishti përdor të njëjtën fjalë me Pjetrin, si për t’u ulur në nivelin e tij. Ndërsa për Gjonin, fjala e përdorur është gjithnjë “agapao”, sikur Jezusi të donte veç Gjonin, sikur misteri i dashurisë të ishte ekskluziv për bashkësinë e tij.

E pastaj, pyetja e Pjetrit:

“Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht]… Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit: ‘Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?’ Jezusi iu përgjigj: ‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja mbas meje!” (Gjn 21,20-22)

Pjetri duhet ta ndjekë Zotin e do të vdesë për Të. Ndërsa dishepulli tjetër duhet të mbetet me Zotin. Në takimin e tyre të fundit, në Darkën e Mbrame, fjala “mbetet” përsëritet 9 herë. Është kushti i dashurisë për Gjonin, por edhe sekreti i një urdhërimi të ri për atë, që mbetet në dashurinë e Krishtit.

E këtu ndërhyn bashkësia e Gjonit, që dëshmon për të:

“Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Ka edhe shumë gjëra tjera që i bëri Jezusi, të cilat po t’u renditeshin një nga një, më thotë mendja, se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin” (Gjn 21,24-25).

Është firma e bashkësisë, që deklaron “Ne dimë”, “Ne e njohim”. I ashtuquajturi “korpus i Gjonit” shpreh dëshminë e një Kishe, që u ndje trashëgimtarja e një zbulese unike, që të tjerët nuk e njihnin, ose ndoshta, edhe e kundërshtonin. Letrat janë pikërisht jehona e mësimeve të apostullit e ia vlen ta ndiejmë frymëmarrjen e tyre. Por për to do të flasim në emisionin e ardhshëm.

10 dhjetor 2020, 08:44