Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit, drita

Pasi folëm për Gjonin e për të ashtuquajturin “korpus i Gjonit”, që përbëhet nga një Ungjill, tri Letra dhe Zbulesa, fillojmë sot të komentojmë Letrat, ku ndihet mësimi i apostullit. Edhe për Letrën I të Gjonit ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës” të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Që në fillim, prologu madhështor të kujton atë të Ungjillit sipas Gjonit:

“Çka ishte qysh në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, … çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjn 1,1-3)

Ne! Bashkësia jonë! Ja ku e hasim bashkësinë e Gjonit! E cila shkruan në fillim të shekullit II, nga Efesi, ku shën Gjoni u vendos në periudhën e fundit të jetës së tij. Sipas njërit prej Etërve të Kishës, shën Jeronimit, vdekja i erdhi në vitet 98-99, prandaj është e ligjshme të mendojmë se shkrimet, që mbajnë emrin e Gjonit, datojnë në fillim të shekullit II.

Kush shkruan e ka njohur dishepullin, që Jezusi e donte fort, prandaj ka parë e ka prekur Fjalën e jetës. Natyrisht, mund të thuhet edhe se është vetë Gjoni që përdor “plurale maiestatis” (vetën e parë shumës) për veten e vet, por këtë interpretim po e lëmë në dëshirën e secilit. Cila është pra, përvoja e apostullit dhe e bashkësisë së tij?

Na thuhet menjëherë, në fillim të Letrës, se qendra e gjithçkaje është një përjetim i veçantë i Zotit:

“Kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire!” (1 Gjn 1,5)

Përveçse në rendin e përmbajtjes, kuptimi i kësaj fraze gjendet në rendin e formës: shpreh mënyrën e jetesës së Zotit. Kemi një përjetim të fuqishëm të Hyjit, që është dritë, prandaj, shkruesi e ndien veten të zhytyr në dritën e së vërtetës, që ka marrë dhuratë. Ky përjetim i shndritshëm e verbues është elementi qendror, që i jep jetë Letrës dhe i lejon autorit të gjykojë çdo gjë me qartësi e pa dritëhije. Shën Gjoni nuk njeh dritëhije, nuk e njeh dyshimin e agnostikut a të ateistit të sotëm, i cili nuk e kupton nëse gjërat që i ndodhin janë produkte të rastit apo është një dorë më e epërme, që ka një plan edhe për të. Shën Gjoni ka përvojën e asaj drite, e cila banon në shpirtin e tij e ai vetë banon në të. Ai ka zbuluar një vetëdije të ndritshme, që e orienton planin e njohjes së botës, planin e dëshirave e të operacioneve vetëmbrojtëse të mendjes. Faktet kanë gjithnjë nevojë për një përvojë shpirtërore që të kuptohen e të jetohen. Prandaj, nëse Ungjijtë sinoptikë tregojnë jetën e Jezu Krishtit, nëse shën Pali me Letrat e tij është gjithnjë i pranishëm me figurën dhe historinë e tij, tek shën Gjoni gjithçka zhduket, qendra është drita dhe ngjyrat që prodhon ajo. Faktet dhe historitë, që tregon apostulli, janë në shërbim të këtij përjetimi.

Në të vërtetë, aty ku ka dritë, ka gjithnjë edhe hije. Veçse, shën Gjoni është si piktori, që punon gjithnjë në dritë, e ka tmerr errësirën. Nuk ka vend për dritëhije, për muzg, në tregimin e tij. Aty ku drita është tejet e fortë, nuk ka mundësi të shihen hijet. Gjithçka shndritet. Gjithçka zbulohet. Nuk ka mundësi për t’u fshehur!

“Nëse themi: ‘Ne nuk kemi mëkat’, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.

Nëse themi: ‘Ne nuk kemi mëkatuar’, e bëjmë Zotin rrenacak dhe fjala e tij nuk është në ne.

Kush thotë: ‘Unë e njoh Atë’, por nuk i mban urdhërimet e tij, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të.

Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit” (1 Gjn 1,8.10; 2,4-5).

Vetëdije gati shkencore kjo që shpreh Gjoni, bindje absolute. Të detyron ta ndjekësh pa fjalë e ta imagjinosh atë dritë e ngjyrat e përsosura me të cilat shndrit botën. Është “dashuria e përsosur”. Në këtë Letër, fjala “dashuri” përdoret 28 herë – frekuenca më e madhe në gjithë Biblën! E përvijuar fuqishëm, kjo është dashuria e pamundur për shën Pjetrin - i papërsosur si njeri, pavarësisht se shkëmbi mbi të cilin u ngrit Kisha - por e sigurt për atë, që shkruan Letrën I të Gjonit.

17 dhjetor 2020, 08:44