Kërko

Koha e Ardhjes Koha e Ardhjes 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Premtja II e Kohës së Ardhjes!

Do të ndalohemi sot tek zanafilla e Kohës së Ardhjes – adventus në gjuhën latine. Ç’kuptim ka kjo fjalë?

R. SH. - Vatikan

Do të ndalohemi sot tek zanafilla e Kohës së Ardhjes – adventus në gjuhën latine. Ç’kuptim ka kjo fjalë?  

Adventus do të thotë ardhje, kohë e ardhjes. Është fjalë me zanafillë profane, që kujtonte ardhjen e përvitshme të hyjnisë pagane të tempullit, për t’i vizituar adhuruesit e tij. Besohej se zoti, shtatorja e të cilit adhurohej, zbriste nga Olimpi e ishte, gjatë festës, në mes atyre, që besonin në të. Vizita e tij i ngjiste vizitës së ndonjë personaliteti të rëndësishëm  në fillim të detyrës. Pamjen që merrte me këtë rast tempulli e gjejmë të shtampuar në monedhat e Korinthit.

Adventi në kohën e krishterë

Në kohët e para të Kishës, sidomos tek Vulgata, fjala adventus nis të përdoret si term klasik, për të treguar ardhjen e Krishtit mbi tokë, a më mirë të themi, Mishërimin e Zotit, duke përuruar kështu erën mesianike e, më pas, edhe ardhjen e lumnueshme të Tij në fundin e kohëve.

Gjurmët e para

Gjurmët e para të periudhës së përgatitjes për Krishtlindje duken që në shekullin V, kur Shën Perpetuo, ipeshkëv i Tours,  vendosi të agjërohej tri ditë para se të lindte Zoti. E gjithnjë në fund të këtij shekulli nis edhe “Kreshma e Shën Martinit”, 40 ditë agjërimi, duke nisur nga festa e Shën Martinit. Shën Gregori i Madh (590-604) qe Papa i parë që shkroi uratët për Kohën e Ardhjes e Sakramentari Gregorian, ku gjinden meshët e veçanta për këtë kohë liturgjike, është më i lashti.

Koha e pritjes

Në shekullin IX u vendos që koha e Ardhjes të përbëhej prej katër javësh, gjë që e lexojmë në Letrën e Papës Shën Nikolla I (858-867) drejtuar bullgarëve. Në shekullin XII, agjërimi u zëvendësua me ndonjë flijim të thjeshtë, që vijoi edhe në Mesjetë, kur Koha e Ardhjes kremtohej duke e shoqëruar fuqimisht me kujtimin e kthimit të dytë të lumnueshëm të Krishtit në fundin e kohëve!

Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë kthim! Është caku ynë i fundmë!

11 dhjetor 2020, 13:42