Mesha e Natës së Këshndellave Mesha e Natës së Këshndellave 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Marta IV e Kohës së Ardhjes!

Po arrin kulmi i Festës së Madhe të Krishlindjes - e kulmi i ndalimeve të mëdha. Një kontrast i tillë, si ky i sivjetmi, nuk është parë që në kohë tejet të largëta, të shkretuara nga luftërat a nga sëmundjet pandemike, të cilave u qe harruar deri emri. As bora nuk do të dukej e bardhë këto ditë, po të mos prisnim lajmin e bardhë, që shkrin zemrat e ngrira: atë të fitores së Zotit mbi të keqen e mbi mortin!

R. SH. - Vatikan

As dëbora nuk do të dukej e bardhë këto ditë, ngarkuar me ankth - e me vdekje. Çdo natë mjetet e komunikimit kumtojnë humbje të reja, ndalesa të reja, viruse të reja, e njerëzit mbyllen me detyrim ndër shtëpitë, kur duhet të vërshonin rrugëve përplot me harenë e Festës së Madhe! Duke i lënë shkret vezullimet, që më kot i thërrasin! Netët janë të ngarkuara me ankth! Po beteja për jetën vijon. Në të katër anët e botës së krishterë, njerëzit nuk flasin për vdekje, por për lindje. E vrapojnë drejt dritareve të tingullit, që dalin nga Shpella e Betlehemit, ku tashmë gjithçka nis të shndrisë. Vdekja bredh rrugëve të qyteteve të mëdha e shtigjeve të katundeve, për të mbjellë errësirën. Po besimtarët në Zotin që lind - i përgjigjen me vezullimin e dritave, ndezur në Sheshe qytetesh të mëdha e në kasolle e, duke e shpërfillur vdekjen, i këndojnë jetës! Deri currilat pikojnë nga pullazet e lashta, si të donin të ftonin pranverën. Pikojnë e duken sikur këndojnë Psalmet dalë nga thellësia e shekujve, duke paralajmëruar, me zërin e Isaisë Profet,  Ditën e Madhe të Ardhjes:   

“Atë ditë një filiz ka për të shpërthyer në trung të Jeses: një pinjoll ka për të mugulluar nga rrënjët e tij. Mbi të ka për të pushuar shpirti i Zotit, shpirti i dijes e i kuptimit, shpirti i këshillës e i qëndresës, shpirti i njohjes e i frikës së Zotit. Ka për t’u mbushur me frymën e frikës së Zotit. Nuk ka për të gjykuar sipas dukjes e s’ka për të marrë vendime simbas fjalëve që ka dëgjuar; por ka për t’i gjykuar me drejtësi të varfërit e ka për të marrë vendime të drejta për ata që janë të shtypur nga banorët e vendit. Fjala e tij ka për të qenë porsi shkop, që ka për të goditur njeriun e pashpirt: fryma e buzëve të tija ka për ta mbytur të mbrapshtin. Brezi i shtatit të tij ka për të qenë drejtësia, rrypi i ijeve të tija ka për të qenë besnikëria.

Ujku ka për të jetuar me qingj, pantera ka për t’u shtrirë bri edhit; viçi e klyshtë e luanit  kanë për të kullotur së bashku e një fëmijë ka për t’u prirë. Lopa e arusha kanë për të kullotur bashkë; bashkë ka për t’u shtrirë pjella e tyre. Luani ka për t’u ushqyer me sanë, sikursè kau. Kërthini ka për t’u argëtuar në vrimë të shlligave; fëmija ka për të shtënë dorën në vrimë të gjarpinjve të helmatisur. Nuk kanë për të kryer punë të padrejta as s’kanë për të plaçkitur më në tërë malin shenjt timin, sepse urtia e Zotit ka për të mbushur vendin, ashtu si ujërat mbulojnë detin.

Në atë ditë rrënja e Jeses ka për t’u ngritë porsi flamur për popuj, fiset kanë për ta kërkuar me të etje: trualli i saj ka për të qenë i lumnueshëm”.

(Is. 11, 1-10)

22 dhjetor 2020, 11:59